Po ia shohin sherrin një ure. Banorët e fshatit Vragoli kishin pritur që lëvizjet e tyre drejt vendeve përreth do të lehtësoheshin me ndërtimin magjistrales Prishtinë - Pejë. Por ndërtimi i saj, jo që nuk ua lehtësoi lëvizjen, por i bllokoi ata tërësisht. Niveli i ujit nën urë nga ata duhet të kalojnë vazhdimisht me automjete dhe në këmbë, ka pamundësuar lëvizjen e këtyre banorëve në këtë pjesë.
Uji që aty ka arritur gati në dy metra, sipas banorëve ka ardhur për shkak të mosndërtimit siç ishte në projekt. Urës, thonë, se ia lanë mangut një metër. Në vend të katër metrave lartësi, ajo u ndërtua vetëm tri metra. Bashkë me këtë, ata pohojnë se ura u ndërtua nën nivelin e lumit Sitnicë dhe se kjo është edhe arsyeja që tash aty është vërshuar.
Tash banorët e këtij fshati dhe të gjithë ata që duan të kalojnë me makina andej, duhet të gjejnë rrugë të tjera për të lëvizur drejt fshatrave të tjera. Madje këtu më së keqi e kanë pësuar fëmijët, të cilët për të shkuar në shkollë u duhet të kalojnë nën atë urë. Rreziku se mos fëmijët mund të mbyten në atë ujë, ka bërë që prindërit çdo ditë t’i përcjellin fëmijët e tyre deri në shkollë. Për shkak të kësaj situate, disa thonë se më mirë ishin pa atë urë, se me të.
Agron Mirena, banor i fshatit Vragoli, shtëpia e të cilët është afër këtij kalimi, thotë se janë në hall të madh për shkak të ujit që e vërshon pjesën nën urë për çdo vit.
“Kjo urë do të duhej të kishte 4 metra lartësi, por ia kanë hangër një metër, e e lanë veç 3 metra, e tash na banorët po e pësojmë ma së keqi”, tregon Mirena.
Në këtë situatë, ai pohon se janë deri në stinën e verës, madje vitin e kaluar thotë se ishin të rrezikuar që ky ujë t’i vërshojë edhe shtëpitë e tyre.
Por hallin ai e ka edhe më shumë te fëmijët.
“Nuk po guxojmë t’i lëmë kurrë të shkojnë në shkollë vetëm, po duhet me i përcjellë, e besa mezi po arrijmë të kalojmë nëpër dheun që është anash, se në mes të urës as që mund të kalojë njeri aty ”, thotë ai për gazetën.
Të njëjtin hall si Agroni, e kanë edhe shumë banorë të kësaj ane. Ruzhdi Dervisholli tregon se asnjëherë para se të ndërtohej ura, nuk kishin pasur telashe me këso vërshime. Tash ai thotë se kjo u ka sjellë vetëm telashe, madje edhe shpenzime nga xhepi i tyre për të hequr ujin.
“Na është dashur disa herë të paguajmë dikë që të heqë ujin, edhe pse prapë niveli ka mbetur po i njëjti gati 2 metra”, thotë ai.
E në Ministrinë e Infrastrukturës, thonë se ura nuk i ka fajet për vërshimet që po ndodhin për shkak të reshjeve të mëdha. Lahudin Myrtaj, nga kjo ministri, thotë se ajo është po e njëjta që ka qenë edhe para 40 vitesh, vetëm se është zgjeruar.
“Ne vetëm kemi bërë zgjerimin e një korsie të asaj ure, se ajo as nuk është ngritur, as nuk është ulur”, pohon ai.
Sipas tij, nën urë ka mjaft hapësirë për të kaluar, por tash aty thotë se është problemi i bllokimit të shtratit të lumit dhe hedhja e mbeturinave që po bëhet në atë pjesë.
Ministria e Infrastrukturës, sipas tij, nuk i menaxhon ujërat, pasi nuk është përgjegjësi e tyre.