Cameron lavdëron Thaçin për fusnotën

Kryeministri britanik David Cameron të hënën, në seancën e Dhomës së Ultë të Parlamentit, ka raportuar lidhur me vendimin e Këshillit Evropian për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat, pasi që Beogradi ishte pajtuar që të mos kundërshtojë pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat rajonale.

Në një raport të Parlamentit britanik thuhet se “Kryeministri Cameron ka lavdëruar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për lidershipin e treguar duke shtuar se tani Kosova është në rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Cameron ka deklaruar se po të mos i jepej Serbisë statusi i kandidatit do t’i inkurajonte ekstremistët në Serbi e jo ata që dëshirojnë të ardhme paqësore evropiane, raporton “Express”.
Pas tij ka folur edhe ish-ministri britanik për Evropë, Danis MacShane, i cili tani është anëtar i parlamentit.
“Faza e ardhshme e zhvillimeve politike në Ballkan duhet të jetë pajtimi i Serbisë për njohjen e Kosovës”, ka thënë MacShane.