LDK prezanton platformën për politikë të jashtme

Suksesi në procesin e njohjeve mund të arrihet vetëm me institucione të forta, efikase dhe të afta për të përfaqësuar interesat shtetërore ndërkombëtarisht dhe për ta arsyetuar luftën e drejtë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, theksuan zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në konferencën për media lidhur me platformën programore të LDK-së për politikë të jashtme dhe procese integruese, po ashtu u tha se LDK beson fuqishëm se forcimi i shtetit të Kosovës në dimension të brendshëm do të reflektohet pozitivisht në dimensionin e jashtëm të tij dhe do të fuqizojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar.
“Anëtarësimi në organizata politike, ekonomike, kulturore, sportive, të sigurisë, etj, është synim i rëndësishëm i politikës së jashtme të LDK-së. Kjo do të mundësojë afirmimin dhe njohjen e Kosovës si subjekt sovran ndërkombëtar dhe përafrimin me përvojat ndërkombëtare”, vlerësuan zyrtarë të kësaj partie.
Sipas tyre, politika e jashtme e LDK-së dhe e Kosovës, që nga fillimi, është e lidhur me partnerin strategjik-Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkaq sipas tyre partneriteti forcohet me Bashkimin Evropian nëpërmjet procesit të integrimit.
Më tej u tha se politika e jashtme e LDK-së dhe e Kosovës duhet të ketë koordinim me Shqipërinë duke pasur parasysh synimet euro-atlantike.
Duke folur për proceset integruese, LDK në kuadër të platformës programore përmendi Strategjinë kombëtare për integrim evropian, si udhërrëfyes gjithëpërfshirës me të cilin shteti i Kosovës do të përqafoj një politike të mirëfilltë evropiane, koordinimin e politikave evropiane si dhe aplikimin e reformave gjithëpërfshirëse.