Serbët bllokuan automjetet e EULEX-it në veri

Serbët e veriut, të cilët përcjellin lëvizjen e automjeteve që qarkullojnë nga jugu i Mitrovicës në rrugën që shpie drejt pikës së kalimit kufitar në Bërnjak, sot rreth mesditës kanë ndaluar tri automjete të EULEX-it, të cilat sipas serbëve, ishin drejtuar për në Stacionin Policor në Zubin Potok.

Derisa serbët nuk kanë lejuar qarkullimin e automjeteve të EULEX-it, ushtarët e KFOR-it janë përgjigjur duke bllokuar rrugën magjistrale nga Zubin Potoku për në Mitrovicë, në Jagnenicë dhe rrugën Zupçë - Zubin Potok, raportojnë mediat serbe.
Në vendin ku ishte më parë e vendosur barrikada në Zupçë është grumbulluar një numër i konsiderueshëm serbësh, por situata raportohet të jetë e qetë.
Serbët kishin paralajmëruar se do të ndalojnë automjetet e EULEX-it, për të cilat dyshohet se ndihmojnë vendosjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në veri.
Ndërsa EULEX-i dhe KFOR-i kërkojnë lëvizje të pakushtëzuar për misionin e BE-së.