Strukturat ilegale, “kancer” për Kosovën

Autoritetet e Beogradit vazhdojnë ta mbajnë pezull çështjen nëse do të shpallen zgjedhjet lokale serbe edhe në Kosovë, por ata kanë theksuar se në katër komunat e veriut të Kosovës, të ashtuquajturve zyrtarë komunal do tu vazhdojë mandati deri në vitin 2014, për shkak se, siç thuhet, këto komuna kanë pasur zgjedhje të jashtëzakonshme në vitin 2010.

Mos shuarja e këtyre strukturave paralele, dhe sipas zyrtarëve serbë, vazhdimi mandatit të tyre deri në vitin 2014, e shkel marrëveshjen që Serbia ka bërë me Bashkimin Evropian, me të cilën ajo e mori kandidaturën, si dhe prodhon efekte negative, sfiduese dhe destabilizuese për institucionet e Kosovës, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në vend.
Analisti, Mallzum Baraliu, thotë se situatat e tilla, jo vetëm që paraqesin situata sfiduese për institucionet e Kosovës por edhe i çojnë drejt dështimit politikan e Bashkimit Evropian.
“Sfidon edhe Kosovë dhe institucionet e saj, por edhe Bashkimin Evropian. Ky është dështim, duke përdorur politika të dyfishta Serbia, sepse vazhdimi strukturave paralele atje, nënkupton mos respektimin e marrëveshjes, që ka qenë parakusht për pranimin e saj atje. Dhe e dyta, nënkupton, thjeshtë, tektonizimin, të them kështu, të shtetit të Kosovës dhe funksionalitetit të saj. Çdo vazhdim i strukturave reale të organizuara shtetërore të Qeverisë së Serbisë atje (në veri) është kancer për ardhmërinë dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, tha ai për Radio Evropa e Lirë.
Analisti Imer Mushkolaj nuk pret ndonjë reagim nga ana e Bashkimit Evropian lidhur me strukturat jolegale në veri, të cilat pretendojnë ta mbajnë mandatin e pushtetit lokal deri në vitin 2014.
“Tash, nëse flasim me gjuhën e Beogradit, mirëpo, edhe me gjuhën e Brukselit, në fakt ata nuk po i konsiderojnë këto institucione si paralele, por si të vetmet institucione të vetme legjitime në atë pjesë.
Kjo mund të jetë ajo ‘vegëza’ ku do të kapen ata, për të thënë se ‘më mirë që i kemi këto institucione edhe në këtë dyvjeçarin e ardhshëm të mandatit, se sa të mos kemi institucione fare’, gjithmonë duke pasur parasysh se tash për tash nuk po është e mundshme që të organizohen zgjedhjet legjitime të institucioneve kosovare atje”, thotë Mushkolaj.
Por, analisti Baraliu, thotë se institucionet e Kosovës duhet të këndellen dhe të veprojnë me vendosmëri për zbatimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve dhe të funksionalizojnë strukturat përkatëse.
"Duhet ndërprerë ato, dhe thjeshtë duhet ta marrin ligjin në dorë institucionet tona dhe të veprojnë në përputhjen dhe ligjin dhe t’i parandalojnë dhe ndërpresin aktivitetet e këtyre strukturave. Kjo është e mundur pas këtyre marrëveshjeve të fundit atje në Bruksel”, thekson Baraliu.
Por, analisti Mushkolaj, vlerëson se institucionet e Kosovës nuk duket se kanë fuqi që të ndërmarrin diçka të vetme, por sipas tij, ato do të përpiqen që të bëjnë ndonjë lloj të presion përmes Brukselit.
Sidoqoftë, Prishtina zyrtare i patë shpallur edhe më parë të pavlefshme rezultatet e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, duke i quajtur ato të paligjshme.