Konferencë për promovimin e investimeve në Berlin

Nesër në Berlin të Gjermanisë mbahet një konferencë për promovimin e investimeve dhe mundësive të bashkëpunimit ekonomik me Kosovën, organizuar nga Nisma Ekonomike për Kosovën. Në konferencë pritet të marrin pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, dhe ministrja e Tregtisë e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila.

Mundësitë për investime në Kosovë dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë do të jenë në fokus të konferencës që mbahet në Berlin.
Udhëheqësi i Nismës Ekonomike për Kosovën, Kujtim Dobruna, tha për Radio Kosovën se në konferencë pritet të marrin pjesë një numër i madhe i përfaqësuesve të bizneseve gjermane. “Ka nevojë që investitorëve potencialë por edhe publikut gjerman t’i tregohet se përkundër vështirësive, Kosova ka arritur një stabilitet politik dhe ky është qëllimi i parë. Qëllimi i dytë pastaj është që të tregohet se në Kosovë ka mundësi konkrete të investimeve, ka edhe storie të suksesit”, theksoi Dobruna, raporton Radio Kosova.
Sipas tij, qëllimi i konferencës është që në të ardhmen të gjenerohen investime në Kosovë, dhe paralelisht me këtë synojnë të ndikojnë në përmirësimin e imazhit të Kosovës. “Jam shumë optimist që me aktivitete të këtilla të orientuara direkt dhe të përshtatura për nevojat e investitorëve potencialë, ne mund të zgjojmë më shumë interesim tek investitorët për potencialet që i ofron Kosova”.
Ministri Beqaj, tha se atje do të prezantojë mundësitë për investime në sektorin e energjetikës, minierave, telekomunikacionit, e njëkohësisht edhe nevojën për përmirësimin e infrastrukturës publike. “Krahas kësaj konference unë kam takim me ministrin për bashkëpunim ekonomik të Gjermanisë, i cili është përgjegjës për partneritetin dhe përkrahjen gjermane në kuadër të projekteve të cilat i ka bërë qeveria e Kosovës, dhe do të flasim për detajet e bashkëpunimit në të ardhmen”, u shpreh Beqaj.
Sipas një raporti të Bankës Qendrore, në vitin 2007 investimet e huaja të drejtpërdrejta në Kosovë kanë qenë 421 milionë euro; më 2008 vit ky kur është shpallur pavarësia, investimet kanë qenë 355 milionë euro; ndërsa në vitin 2009 vetëm 310 milionë euro, në vitin 2010, investimet kanë rënë në 265 milionë euro, kurse në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, investimet e huaja në Kosovë kanë qenë 157 milionë euro.