Një delegacion i nënoficerëve të lartë të FSK-së qëndroi për vizitë zyrtare në bazat amerikane në Grafenwoehr dhe në Hohenfels në Gjermani.
Vizita e tyre kishte për qëllime koordinimin e veprimeve për organizimin e kurseve institucionale për nënoficerë me Akademinë e Nënoficerëve në Grafenwoehr të Gjermanisë. Në përbërje të delegacionit të FSK-së, që kryesohej nga rreshter - major Genc Metaj, ishin edhe rreshter -majori Komandës së Forcave Tokësore (KFT), Fetah Zejnullahu dhe rreshter-majori i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Neshat Birda.
Delegacioni i nënoficerëve të lartë vizitoi shumë qendra të trajnimit në Komandën e Përbashkët Multinacionale të Trajnimit në Grafenwoehr dhe në Qendrën e Përbashkët Multinacionale të Gatishmërisë në Hohenfels të Gjermanisë.
Nënoficerët e lartë të FSK-së janë pritur dhe nderuar nga rreshter-majori i Komandës (RMK) së Përbashkët Multinacionale të Trajnimit, Dennis Zavodsky, Komandant i Akademisë së Nënoficerëve RMK, Jimmy Sellers, RMK i Qendrës së Përbashkët Multinacionale të Gatishmërisë, Eric Dostie dhe shumë oficer dhe nënoficer të këtyre qendrave.
Në Akademinë e Grafenwoehr deri tani kanë kryer kursin e liderit luftëtar gjithsejtë 29 nënoficerë të FSK-së. Në bazë të aktiviteteve të koordinuara pritet që të rritet numri i pjesëmarrësve në këtë Akademi dhe gjithashtu të kemi mbështetje me ekipe mobile për zhvillimin e kurseve institucionale për nënoficer.
Vizita e ushtarakëve të FSK-së u organizua nga Zyra e Bashkëpunimit Mbrojtës pranë Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe është rrjedhë e bashkëpunimit të mirëfilltë në mes Ambasadës së SHBA-ve dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.