Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka njoftuar homologun e tij malazias, Milan Rocen, se janë krijuar kushtet që komuniteti malazias në Kosovë të zërë vend së shpejti në Kushtetutën e Kosovës, është bërë e ditur në Podgoricë.
Mali i Zi e ka njohur Kosovën e pavarur, por shkëmbimi i ambasadorëve është kushtëzuar me atë që malazeztë të pranohen si komunitet me Kushtetutën e Kosovës dhe të jenë të përfaqësuar në trupat e pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv, shkruan “Koha Ditore”.
Ministria e Jashtme e Malit të Zi ka bërë të ditur se ministri Hoxhaj ia ka dërguar një letër ministrit Rocen në të cilën e njofton atë për aktivitetet e ndërmarra me synim të njohjes kushtetuese të komunitetit malazias në Kosovë.
Sipas këtij njoftimi, siç raportojnë mediat e rajonit, Hoxhaj ka thënë se më 15 janar ka hyrë në fuqi ligji që është bazë për ndryshimet kushtetuese në Kosovë gjatë vitit 2012, ku një prej qëllimeve është edhe futja e komunitetit malazias si kategori kushtetuese.
Me këtë pozicioni dhe të drejtat e malazezve në Kosovë do të vendosen në baza të barabarta me bashkësitë e tjera në Kosovë, citohet të ketë shkruar Hoxhaj.
Në letër shtohet se edhe me ligj mundësohet pjesëmarrja e dy përfaqësuesve të komunitetit malazias në Këshillin Konsultativ për Komunitete, që përbëhet nga përfaqësuesit e të gjitha bashkësive në Kosovë, Qeverisë së Kosovës, Zyrës së presidentit dhe agjencive relevante.
Këshilli konsultativ do të përbëhet nga dy përfaqësues të romëve, egjiptianëve, ashkalinjve, goranëve, malazezve dhe kroatëve, prej të cilëve njëri mund të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës, citohet letra e ministrit Hoxhaj dërguar ministrit Rocen.