Kompania “Hidroterm” e Blerim Kuçit ka gjeneruar mbi 3 milionë euro duke ndërtuar në tokë publike, për të cilën nuk kishte paguar asgjë, në një proces që sipas Auditorit të Përgjithshëm ishte i kundërligjshëm. Kryetari aktual i Suharekës, Blerim Kuçi, kishte fituar mbi një milion euro nga një kontratë ndërtimi me këtë komunë, që kjo e fundit mund të mos ketë pasur të drejtë ta lëshojë e që ishte kontestuar nga Auditori i Përgjithshëm.
Sipas një raporti vlerësues të Kuvendit Komunal të Suharekës, të vitit 2002, del se “ndërtesa e kaltër” e ndërtuar nga kompania “Hidroterm” e Kuçit vlente, sipas çmimit të shitjes, gjithsej 1,478,855 euro. Nga të cilat 20 për qind ose 295,271 euro i takonin komunës.
Kompania “Hidroterm” dhe Blerim Kuçi nuk kanë pranuar të flasin për detajet e çmimeve të ndërtimit dhe shitjes së lokaleve e apartamenteve si dhe për kontratën me komunën. Por gazeta ka arritur të kuptojë se shumica e rreth 2,200 metrave katrorë të ndërtesës, përveç një lokali pronësia e të cilit mbahet nga ndërtuesi, tashmë janë shitur ose i janë kthyer komunës sipas kontratës.
Po ashtu, toka ishte vendosur si hipotekë kur kompania dhe Kuçi kishin marrë rreth dy milionë euro kredi në bankat e vendit, gjatë vitit 2010 dhe 2011. Më 1997, Kuvendi Komunal i Suharekës kishte nënshkruar marrëveshje me ndërmarrjen “Banesa/Stan” nga Prizreni për ndërtimin e themelit dhe katin e parë të objektit banesor, në qendër të qytetit.
Ndërmarrja kishte vendosur themelet dhe kishte shprehur interesim në vitin 2001 tek kuvendi komunal i Suharekës që t’i vazhdojë punimet, mirëpo ky i fundit kishte tjetër disponim. Kontesti kishte përfunduar në gjykatë.
Zëdhënësi i Agjensionit Kosovar të Privatizimit (AKP), Ylli Kaloshi, thotë se në vitin 2001 fillimisht gjykata komunale e Suharekës kishte vendosur që komuna duhej të kompenzonte ndërmarrjen “Banesa” për punimet e saj në shumën prej 106,229.10 DM përkatësisht 54 mijë e 245 eurosh. Aktvendimi ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Qarkut në Prizren. “Pas kësaj, lidhet marrëveshja në mes të KK Suharekë dhe NSH’së (Banesa) për kompensimin e punëve të realizuara”, tregon Kaloshi.
Më 10 dhjetor 2001, ish-kryetari i Suharekës Ukë Bytyqi, kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte ndarë “në shfrytëzim të përhershëm dhe me kompensim tokën ndërtimore për ndërtimin e objektit banesor-afarist në parcelën kadastrale nr.2021 në sipërfaqe prej 023,61 hektarë, me fletën poseduese numër 409, pronë shoqërore e KK të Suharekës”.
Në bazë të ligjit, përkatësisht rregullores për vetëqeverisje lokale 2000/45, neni 44.2, komuna nuk ka të drejtë të lëshojë tokë në shfrytëzim për më shumë se dhjet vjet pa lejen e nivelit qendror.
Një javë më vonë, më 17 dhjetor 2001, Ukë Bytyqi në emër të komunës dhe Blerim Kuçi në emër të NPN “Hidroterm”, nënshkruan kontratën e ndërtimit e lidhur “sipas vullnetit të lirë të palëve kontraktuese dhe pas fitimit të tenderit nga ana e sipërmarrësit”.
“Komuna e Suharekës duhet të zbatojë rregulloren 2000/45, përkatësisht nenin që thotë se komuna nuk guxon të japë pronën më shumë se dhjetë vjet pa miratimin e nivelit qendror” rekomandim i Auditorit Gjeneral 2007
Prej objektit të ndarë, komunës i ishin dhënë tri lokale (87.24, 17.68 dhe 28.61 metrash katrorë) dhe katër banesa prej 58.97 metra katrorë në katin e dytë, tretë, katërt dhe pestë. Në vitin 2005, “NPN Hidroterm” kishte paguar edhe një faturë prej 17 mijë e 241 e 10 eurosh për shkak se raporti i kuvendit komunal i vitit 2003 kishte vlerësuar se ndërmarrja i kishte dhënë komunës 69.09 metra katrorë më pak sesa marrëveshja iniciale prej 80 për qind për ndërmarrjen dhe 20 për qind për komunën.
Më 1 maj 2010, Blerim Kuçi u zgjodh kryetar i Suharekës, si përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pas një fushate me moton “Kodi i Zhvillimit”.
Kuçi, pronar i “Hidrotermit”, vazhdon ta mbrojë kontratën e ndërtimit dhe nuk e sheh atë si shkelje të rregulloreve. “Vendimi është marrë sipas ligjeve të asaj kohe. Pastaj, kjo formë është praktikuar në tërë Kosovën. Në Prizren ka shumë të tilla, e në Kosovë diku 200”, tha Kuçi. “Vendimi është marrë sipas ligjeve të asaj kohe. Pastaj, kjo formë është praktikuar në tërë Kosovën. Në Prizren ka shumë të tilla, e në Kosovë diku 200”, Blerim Kuçi.
As kryetari i mëhershëm i komunës, Sali Asllanaj, i cili ishte kontaktuar nga Auditori i Përgjithshëm, nuk i kishte konsideruar rekomandimet. “Ne i patëm parë rekomandimet, por nuk i kemi adresuar sepse investimet tashmë ishin bërë dhe nuk kemi mundur të bëjmë asgjë. Në atë vend janë ndërtuar objekte me material të rëndë dhe ne nuk kemi mundur t’i prishim investimet ndoshta milionëshe”, ka thënë Asllanaj. Marr me shkurtime nga Gazeta JnK.