AAK: Fusnota me 1244, prapakthim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kundërshton fuqishëm përfaqësimin e Kosovës me fusnotë në të cilën përmendet Rezoluta 1244, në emërtimin e saj në nismat rajonale.

AAK e konsideron këtë pajtueshmëri të Qeverisë së Kosovës si kompromis të dhimbshëm dhe të rëndë, të bërë me Beogradin, në disfavor të shtetësisë së Kosovës, të sovranitetit dhe të të gjitha të arriturave të deritashme në funksion të avancimit të statusit të Republikës së Kosovës.
“AAK e konsideron fusnotën me 1244 si prapakthim të madh politik në statusin e Kosovës, të bërë nga Qeveria e Kosovës, dhe si një gabim që do t’i kushtojë shumë vendit tonë në hapat e mëtejmë të ruajtjes së subjektivitetit shtetëror dhe të sovranitetit”.
“Fusnota me 1244 është goditja më e rëndë që i është dhënë shtetësisë së Kosovës, në 4-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në të njëjtën kohë, AAK përshëndet rolin e SHBA-ve dhe i falënderon ato për kontributin e madh dhe mbështetjen në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova dhe populli ynë”, thuhet në deklaratën e AAK-së.