Lëvizja Vetëvendosje është kundër fusnotës që përmend Rezolutën 1244, në përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.
Nënkryetari i kësaj lëvizjeje, Shpend Ahmeti, deklaratat e kryeministrit Thaçi të një dite më parë i ka quajtur vendime personale. Ahmeti dhe shefi i Grupit parlamentar, Visar Ymeri, kanë deklaruar se futja e Rezolutës 1244 në fusnotën për Kosovën e kthen vendin 10 vjet prapa.
"Ky qëndrim personal i kryeministrit, nuk është vendim i qeverisë së Kosovës dhe nuk rrjedh nga ndonjë mbledhje e qeverisë së Kosovës që emrit të shtetit të Kosovës t’i hiqet Republika e t’i shtohet fusnota ka kërkuar Serbia”, u tha në konferencë.
“Ai paguhet nga qytetarët e Kosovës që t’i plotësojë kërkesat e qytetarëve të Kosovës e jo të Serbisë, apo jo? Dhe, paguhet që të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe jo aspiratat e Serbisë".
Vetëvendosje ka thënë se po koordinohet me partitë e tjera opozitare për të kundërshtuar këtë kompromis të Qeverisë së Kosovës.