Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj, tha të hënë se gjatë muajit prill pritet të shpallet fituesi në procesin e privatizimit të distribucioneve të furnizimit me energji elektrike. Në një takim me drejtuesit e asociacioneve të bizneseve vendore dhe të huaja në Kosovë, është biseduar për planin e zhvillimit ekonomik të qeverisë, që përfshin procesin e reformave në ndërmarrjet publike.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, bëri të ditur hapat e ministrisë në procesin e privatizimit të distribucioneve të furnizimit me energji elektrike. Sipas tij, pritet që gjatë muajit prill të shpallet fituesi dhe të fillojë procesi i investimeve.
Gjatë takimin me komunitetin e biznesit, ministri Beqaj, i ka njoftuar edhe me procesin e reformimit të Post-Telekomit të Kosovës, përkatësisht procesin e privatizimit të telekomit.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, theksoi domosdoshmërinë që ndërmarrjet publike të kenë pronarët e tyre, për të ofruar shërbime më të mira për konsumatorët.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, theksoi domosdoshmërinë që ndërmarrjet publike të kenë pronarët e tyre, për të ofruar shërbime më të mira për konsumatorët.
Po ashtu në takim, është biseduar edhe për mënyrat se si duhet të mbrohet Kosova nga kriza ekonomike, që po kërcënon disa shtete në Evropë dhe rajon.
Po ashtu ministri Besim Beqaj të hënë ka takuar edhe ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Islam Lauka, me të cilin ka diskutuar për nevojën e ndihmës reciproke mes dy vendeve në këtë situatë kur të dyja vendet ballafaqohen me mungesë të energjisë duke pas parasysh se sistemet energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë mund të plotësojnë njëri–tjetrin.