Rezoluta 1244 degradon pozitën e Kosovës

Klubi për Politike të Jashtme shpreh shqetësimin me rrjedhën e dialogut Kosovë – Serbi. KPJ konsideron se zhvillimet brenda këtij procesi po prodhojnë rezultate në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe aspiratat shtetformuese të qytetareve të Kosovës.

“Gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për lëshime, si ajo e përfaqësimit rajonal përmes fusnotës, që si pikë reference ka rezolutën 1244, degradon pozitën ndërkombëtare të Kosovës, paraqet kthim prapa në kohë dhe shënon regres në konsolidimin e shtetësisë. Për më tepër hap derën për njohjen e pozicionit kontestues serb ndaj pavarësisë se Kosovës si qëndrim legjitim brenda dialogut integrues evropian”, thuhet në kumtesën e Klubit.
KPJ konsideron se procesi i integrimeve evropiane duhet të shërbejë si nxitës për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete te pavarura dhe të barabarta, e jo si proces që do të legjitimojë kontestimin e pavarësisë së Kosovës në marrëdhëniet mes Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.