“Ezeli” më i popullarizuar se Liga e Kampionëve?

Seriali turk “Ezel”, që po “çmend” tashmë edhe shqiptarët që e ndjekin atë ekskluzivisht në Tv Klan, mund të jetë më i popullarizuar edhe se gara më e madhe sportive evropiane, Liga e Kampionëve - ose së paku kështu duket në Shqipëri.

Ky video-produksion më i ri turk ka pushtuar madje edhe publikun mashkullor, të cilët rrallë mund t’i “gozhdojë” para ekranit një serial, përveçse një ndeshje futbolli.
Por suksesi i “Ezel” ka vajtur deri aty sa tashmë publiku është ndarë në mes: shumica duan vetëm “Ezel”, të tjerët duan Ligën e Kampionëve. Mediat në Shqipëria shkruajnë se teleshikuesit shqiptarë janë të gatshëm që të sakrifikojnë emocionet e “Champions League” në “Tv Klan”, sepse ato që iu dhuron “Ezel” janë më të forta.
Një duel preferencash ka lindur tashmë të martave dhe të mërkurave, që njihen si netët e “Champions League”, duke zënë vendin e “Ezel”.
Drejtori i Programit në “Tv Klan”, Albert Dumani, pohon se me dhjetëra telefonata dhe qindra komente në “Facebook” kërkojnë të transmetohet vetëm “Ezel”.
“Komentet kanë arritur deri aty sa të mos e duan më ‘Champions League’ në ‘Tv Klan’ dhe kërkojnë medoemos ‘Ezel’. Sapo ora kalon 20:10, kam dhe telefonata nga miq dhe kolegë se përse nuk ka ‘Ezel’ sonte kur është e martë dhe e mërkurë, apo postimet e shumta në ‘Facebook’ që shprehin shumë mërzitje sepse u mungon ‘Ezel’,” ka pohuar Dumani.
Megjithatë në Kosovë situata mund të jetë më ndryshe, me RTK që e ka ekskluzivitetin e Ligës së Kampionëve e që nuk transmeton seriale turke, spanjolle ose të natyrave të ngjashme