LDK: Thaçi hoqi dorë nga shtetësia

Lidhja Demokratike e Kosovës reagon për kompromisin e bërë nga kryeministri Hashim Thaçi, që Kosova, në forumet rajonale, mos të përfaqësohet si Republikë, por me fusnotën që i referohet edhe Rezolutës 1244.

“Kryeministri Thaçi mundohet të manipulojë opinionin, duke theksuar se Kosova në të njëjtën kohë do të përfaqësohet me një fusnotë - që përveç Rezolutës 1244, i referohet edhe në Mendimit Këshillëdhënës të GJND-së dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. LDK-ja konsideron se vetë pranimi që Kosova të paraqitet pa ‘Republikë’ dhe me fusnotë (me çfarëdo përmbajtje qoftë ajo) paraqet denigrim të pozitës kushtetuese të Kosovës si Republikë e pavarur dhe sovrane dhe e barabartë me shtetet e tjera”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK-ja beson se heqja dorë nga Republika paraqet heqje dorë nga elemente kushtetuese të shtetësisë, dhe ky vendim mund t’i ndihmojë vetëm Serbisë në rrugën e saj drejt statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.
LDK përkujton se Kryeministri Thaçi, rreth dy javë më parë, pati thënë se kurrë nuk do të heqë dorë nga përfaqësimi si ‘Republikë’, ndërkaq tani e konsideron përfaqësimin në këtë nivel si një “formulë dhe simbolikë të parëndësishme”.
“Pikërisht për këtë Republikë, që ai e quan simbolikë të parëndësishme, populli i Kosovës sakrifikoi me shekuj. Prandaj, ne e kundërshtojmë çdo lloj përfaqësimi ndryshe nga ai që është i paraparë në Kushtetutën e vendit”.
LDK-ja po ashtu ia kujton Qeverisë Thaçi se gjatë kohës sa politika e jashtme udhëhiqej nga LDK-ja, Kosova ishte e barabartë në forumet rajonale dhe evropiane sipas modelit të quajtur “Gymnich”.
Për më tepër, sipas LDK-së, modeli i tashëm ka hapur rrugë që Kosova, në çdo anëtarësim në organizata ndërkombëtare në të ardhmen, të jetë e përfaqësuar me fusnotë në vend të emrit të saj kushtetues.
“Gjithashtu, duke pasur parasysh se pjesa dërrmuese e iniciativave rajonale janë nën ombrellën e BE-së, kjo e detyron Kosovën që edhe në raport me BE-në të paraqitet me këtë model”, thotë LDK.
Përfundimisht, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo do të ketë efekte negative në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete të tjera, meqë “me këtë qëndrim, edhe vetë Kosova e pranon se nuk është anëtare e barabartë me shtetet e tjera”.