Maxhuni: Do të përgjigjemi me të gjitha mjetet

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka premtuar se imazhe sikurse të ditës së djeshme, të kidnapimit të policëve, nuk do të ndodhin më dhe qytetarët nuk do t’i shohin. Ai ka thënë se "Policia e Kosovës do t’i përgjigjet me të gjitha mjetet në dispozicion ndonjë përpjekje të tillë, sikurse të shtunën”.
“Policët nuk janë keqtrajtuar dhe Policia e Kosovës do të vazhdojë që t’i kryejë detyrat e saj konform obligimeve ligjore dhe kushtetuese edhe në kufirin me Serbinë", ka thënë Maxhuni për RTK-në.
Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë, KFOR-i dhe EULEX-i kanë vendosur komunikim me autoritetet serbe dhe policët shpejt do të lirohen.
Tashmë një komision ushtarak i KFOR-it ka dalë në vendngjarje për të analizuar rrethanat e kidnapimit të policëve.

Bregu: Serbia duhet të shkëputet nga e kaluara

Ministrja e integrimit e Shqipërisë, Majlinda Bregu tha se është e rëndësishme që Serbia të kuptojë se në rrugën drejt BE-së duhet të braktis mentalitetet e vjetra nacionaliste. “Nuk flitet për të patur kthim dhe as do të ketë kthim ndonjëherë të shtetit të Kosovës”, ka thënë Bregu në intervistë për Radio Kosovën.
Lidhur me mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun që po zhvillohet në Bruksel, Bregu tha se është Kosova ajo që e pëson.
“Më shumë se sa kushtet që do të vendosë Bashkimi Evropian, besoj se kjo gjë duhet të jetë e qartë për autoritetet serbe në radhë të parë. Në qoftë se me të vërtetë perspektiva, në të cilën besojnë se është perspektiva e ardhmërisë së Serbisë duke pranuar edhe shtetin e ri të Kosovës (një realitet që tashmë nuk ka kthim), është një perspektivë, e cila orienton Serbinë drejt Bashkimit Evropian, kjo është perspektiva që Serbia duhet ta ndjekë, pavarësisht se sa të forta apo të zbutura mund të jenë herë pas here, gjuha, deklaratat apo kushtet e vendosura nga Brukseli”.
“Ky nuk është proces që po negociohet tashmë dhe nuk flitet për të patur kthim dhe as do të ketë kthim ndonjëherë të shtetit të Kosovës dhe as të pavarësisë së Kosovës. Pra, ajo që është e rëndësishme për Serbinë, është që Serbia të kuptojë që perspektiva e saj e qartë, rruga e saj drejt Bashkimin Evropian, është një rrugë që duhet të kalojë domosdoshmërisht dhe me shkëputje dhe largimin apo braktisjen e mentaliteteve të vjetra nacionaliste”, tha ajo.
Ndërsa e pyetur se çfarë problemi ka në krijimin e institucioneve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës për t’i dhënë më shumë shtysë dhe ndihmë procesit të integrimit sidomos të Kosovës, shteti të ri në Bashkimin Evropian, Bregu ka thënë se “institucionet e përbashkëta të Shqipërisë, të Kosovës dhe të vendeve të tjera që aspirojnë dhe të vendeve të tjera që janë sot në Bashkimin Evropian, janë në Bruksel”.

Përkujtohet masakra e Lybeniqit

Në 13 vjetorin e njërës prej masakrave më të mëdha në Kosovë, në Lybeniq të Pejës, janë përkujtuar 80 dëshmorët dhe martirët e këtij fshati.
Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, Nezir Jahmurataj, aktivist i fshatit, tha se përfaqësuesit e institucioneve vendore duhet të bëjnë më shumë, së paku për fëmijët dhe familjarët e martirëve të Lybeniqit, sepse, siç tha ai, falë gjakut të tyre ne sot jemi të lirë, transmeton RTK.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Lybeniqi përjetoj dy masakra. Më 25 maj të vitit 1998 forcat paramilitare serbe pushkatuan 9 burra të këtij fshati, ndërsa më 1 prill të vitit 1999 u vranë dhe u masakruan 71 shqiptarë, në mesin e të cilëve gra shtatzëna, fëmijë të moshës dyvjeçare dhe pleq mbi të nëntëdhjetat. 

Rrëmbimin e policëve, aventurë provokuese

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi arrestimin e policëve kosovarë e ka cilësuar marketing politik të autoriteteve serbe, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në këtë vend. Bashkimi Demokratik për Integrim e ka cilësuar veprimin e policisë serbe si akt kriminal dhe në kundërshtim me trendet ndërkombëtare.
Ndaj arrestimit të dy policëve nga Kosova, nga ana e xhandarmërisë serbe, ka reaguar sot edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi. Në një deklaratë dhënë RTK-së, Thaçi e ka quajtur këtë veprim të autoriteteve serbe marketing politik në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në këtë vend.
Ai ka shtuar se pas zgjedhjeve të majit në Serbi, bashkësia ndërkombëtare do t’u tërheq vërejtjen autoriteteve serbe që mos të hidhen më në aventura të këtilla provokuese.
Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes zëdhënësit, Bujar Osmani, e ka cilësuar veprimin e policisë serbe si akt kriminal dhe në kundërshtim me trendet ndërkombëtare.
Partitë shqiptare në Maqedoni kërkojnë nga Beogradi zyrtar që të tërhiqet nga kjo politikë e gabuar antievropiane dhe t’i lirojë policët e arrestuar padrejtësisht.

LB me kandidat për kryetar të Ferizajt

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, në mbledhjen e sotme vendosi që Ramadan Emini të jetë kandidat i këtij subjekti politik në garën për Kryetar të Komunës së Ferizajt në zgjedhjet e 29 prillit.
Në këtë mbledhje u diskutua për situatën e përgjithshme politike në vend. Edhe një herë u rikonfirmua qëndrimi i Lëvizjes për Bashkim se dëmi më i madh Kosovës sot po i vjen nga injorimi i problemit kryesor me të cilin ballafaqohet ajo, veriu i vendit dhe Kosova Lindore, dhe marrja me pasojat e tij nga strukturat politike dhe institucionale të Kosovës. 

Haga nuk po heton "tregtinë me organe"

Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës, Serge Brammertz ka thënë se ky tribunal nuk është duke bërë asnjë hetim për tregtinë e supozuar me organe për të cilën Serbia akuzon liderë politikë kosovarë.
“Prokuroria nuk është duke bërë hetime, prandaj nuk mund të komentoj se si po ecën. Informacionet e pakta që i ka pasur prokuroria ia ka dërguar autoriteteve rajonale përgjegjëse. Carla del Ponte e ka bërë një gjë të tillë”, ka thënë Brammertz në një intervistë për portalin kroat T-portal.
Së fundi, Serbia e ka akuzuar edhe Fatmir Limajn për tregtinë me organe të serbëve gjatë luftës në Kosovë. 

Shqipëria dënon rrëmbimin e policëve

Ministria e Jashtme e Shqipërisë, përmes një komunikate për medie, ka reaguar duke dënuar aktin e rrëmbimit të policëve kosovarë nga xhandarmëria serbe.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë aktin e ulët të rrëmbimit të dy policëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
“Ne vlerësojmë se akte të tilla kriminale, të motivuara nga struktura e mentalitete të vjetra e arkaike, nuk i shërbejnë aspak frymës së re të bashkëpunimit e fqinjësisë së mirë në rajon mes vendeve që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”.
Më tej thuhet se Ministria e Jashtme Shqiptare kërkon nga autoritetet përgjegjëse në Beograd të kthejnë në vendin e tyre policët e Republikës së Kosovës dhe të heqin dorë nga përsëritja e akteve të tilla në të ardhmen. 

AK: Serbia po kërkon konflikt me shqiptarët

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar ndaj kidnapimit të dy policëve të Kosovës nga forcat serbe në kufi.
Në një reagim për mediat, AK e cilësoi aktin si të paprecedentë dhe një provokim të hapur. AK thekson se me këtë akt, Serbia po provokon dhe po kërkon konflikt me shqiptarët.

ADK kërkon lirimin e policëve

Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK) dënon ashpër arrestimin e dy policëve të Kosovës nga forcat serbe në territorin e Kosovës, duke e konsideruar këtë si një provokim të rëndë si dhe shkelje dhe cenim të sovranitetit të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.
ADK, kërkon lirimin e menjëhershëm të policëve të Policisë së Kosovës dhe tërheqjen e Serbisë nga veprime të tilla provokuese dhe që i takojnë një mentaliteti të vjetër i cili i ka sjellë shumë luftëra të përgjakshme rajonit tonë, thuhet në reagimin e ADK-së.

ADK fton faktorin ndërkombëtar që të ndërhyjë duke bërë presion mbi Serbinë për ti ndalur këto veprime krejt të papërgjegjshme të Serbisë të cilat mund të shkaktojnë tensione të panevojshme dhe mundë të përshkallëzohen dhe destabilizojnë tërë Ballkanin. 

Majko, grekëve: Njiheni Kosovën!

Dhjetëra faqe interneti dhe blogje të ndryshme greke kanë ripublikuar artikullin e ish-kryeministrit shqiptar Pandeli Majko që përbënte editorialin e faqes së parë të gazetës elektronike politike “Metarithmisi” në numrin e saj të djeshëm.
Shkrimi i Majkos, i pari ekskluzivisht për shtypin grek, është një përgjigje dhe një replikë ndaj artikullit të ish-ambasadorit grek në Shqipëri dhe këshilltarit Aleksandros Malias për çështjet ballkanike në 2005 pranë ministres së jashtme Bakojanis, të botuar në të njëjtën gazetë, rreth një muaj më parë me titull “Greqia dhe shqiptarët, fqinjët e saj”.
Majko që titullon analizën e tij me pyetjen retorike latine "Shqipëria dhe Greqia quo vadis?” për të kuptuar tashmë çdokush se çfarë ndodh në realitet mes Greqisë dhe Shqipërisë, bie dakord në faktin që thekson edhe diplomati grek se marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë në një gjendje statike dhe amullie, madje i konsideron ato se kanë arritur në një pikë të vdekur, raporton TCH.
Gjithashtu ai nuk kundërshton edhe faktin se qëndrimet e politikanëve grekë dhe shqiptarë në marrëdhëniet dypalëshe kanë qenë të karakterizuara në shumicën e rasteve nga dyshimi, pasiguria, kameleonizmi madje dhe arroganca.
Por rrënimi ekonomik i Greqisë, krijimi i shtetit të dytë shqiptar në rajon, Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, çështja pezull e emrit të Maqedonisë, fuqizimi i Kroacisë, roli i Serbisë dhe "zbarkimi" ekonomik i Turqisë krijon sipas Majkos një realitet krejt tjetër gjeopolitik në Ballkan dhe nevojën e një diplomacie konkrete.
Ish-kryeministri i Shqipërisë thekson se faktori shqiptar është tashmë një nga më të rëndësishmit në rajon, kështu që vonesa e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Athina si dhe qëndrimi i ngurtë me Shkupin për emrin duke mënjanuar shqiptarët si aktorë të çështjes, veçohen si gabime politike të Athinës, e cila duhet të modernizojë sa më shpejt politikat e saj të jashtme që janë kaq anakronikë përsa u përket fqinjëve.
Me shqiptarët nuk duhet folur me gjuhën e “sirenave”, shkruan Majko që shprehet se “maqedonizimi” i marrëdhënies së Greqisë me Shqipërinë nuk mund të jetë zgjidhja e së ardhmes së marrëdhënieve dypalëshe mes Athinës dhe Tiranës. 
“Ne duam apo nuk duam, i duhemi njëri-tjetrit më shumë se sa e kundërta sepse vërtet grekët janë kombi që lindi “politikën”, por edhe shqiptarët janë fqinjët e tyre më të vjetër”, përfundon Majko. 

Zanetti: Trajneri na ka kthyer entuziazmin

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, është shprehur i kënaqur pas fitores prej 5-4 kundër Genoas, duke thënë se trajneri i ri, Andrea Stramaccioni, e ka kthyer entuziazmin te skuadra.
“Jemi angazhuar shumë këtë javë me një trajner, i cili e ka rikthyer entuziazmin dhe e kemi treguar vullnetin tonë për të filluar nga e para”.
“I rëndësishëm ishte reagimi që bëmë, edhe pse ka ende gjëra në të cilat duhet të punojmë”.
“Duke qenë se ishte ndeshja e para, mendoj se mund të jemi të kënaqur. Kemi biseduar shumë me trajnerin dhe ai është një njeri i mençur”, ka thënë argjentinasi për faqen zyrtare të klubit. 

Schweini: Nuk na intereson çfarë bën Dortmundi

Bayern Munichu nuk është i shqetësuar për paraqitjet e Borussia Dortmundit, por është i fokusuar në fitimin e ndeshjeve të veta- ka deklaruar mesfushori Bastian Schweinsteiger.
Pas fitores minimale ndaj Nurnbergut dhe barazimit të Dortmundit, bavarezët gjenden vetëm tre pikë prapa në garën për titull.
“Po luajmë çdo tri ditë, prandaj vetëm fitorja ishte me rëndësi. Ne nuk jemi të shqetësuar me atë që bën Dortmundi, ne vetëm përpiqemi t’i fitojmë ndeshjet tona”.
“Është e qartë se duam ta fitojmë titullin”, u ka thënë gjermani gazetarëve.

Zola të marrë drejtimin e Lazios

Gianfranco Zola do ta zë vendin e trajnerit të Lazios, Edy Reja, i cili pritet të shkarkohet në fund të sezonit aktual- shkruan Corriere dello Sport.
Biancocelestët mbajnë pozitën e tretë në tabelë, mirëpo kanë pasur probleme në javët e fundit duke humbur tri nga katër ndeshjet e fundit në Serie A dhe përballen me konkurrencë të fuqishme nga Napoli dhe Udinese për pozitën që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Reja tentoi të jepte dorëheqje nga posti i tij më herët, mirëpo presidenti Claudio Lotito e refuzoi vendimit e tij.
Mirëpo, Lotito nuk është i kënaqur me paraqitjet e fundit të skuadrës dhe pritet ta shkarkojë trajnerin aktual, ndërsa flitet se Zola do ta drejtojë Lazion në sezonin e ri. 

Pato përfshihet në ekipin e plotë të Milanit

Skuadra e Milanit ka bërë publike listën e plotë të lojtarëve që do të udhëtojnë në Barcelonë, ndërsa aty është edhe emri i sulmuesit Alexandre Pato.
Braziliani ka pasur probleme me lëndime gjatë gjithë sezonit, ndërsa së fundmi është mjekuar në SHBA dhe thuhet se mjekët e kanë zbuluar shkakun, ashtu që ai nuk do të ketë më probleme të ngjashme.
Skuadra e plotë e Milanit:
Portierë: Abbiati, Amelia, Piscitelli
Mbrojtës: Abate, Antonini, Bonera, De Sciglio, Mesbah, Mexes, Nesta, Zambrotta, Yepes
Mesfushorë: Ambrosini, Aquilani, Boateng, Emanuelson, Nocerino, Seedorf
Sulmues: El Shaarawy, Ibrahimovic, Maxi Lopez, Pato, Robinho.

Pedro: Barca do ta eliminojë Milanin

Barcelona do ta mposhtë Milanin në ndeshjen kthyese çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe do të kualifikohet në gjysmëfinale. Kështu mendon sulmuesi katalunas, Pedro Rodriguez.
Skuadrat luajtën pa gola në takimin e parë në San Siro, ndërsa Pedrito është optimist se skuadra e tij do të jetë në katër të fundit.
“Të gjithë besojmë se mund të vazhdojmë tutje. Milani ka lojtarë të shkëlqyer dhe padyshim se nuk do të na i lehtësojë gjërat”.
“Sido që të jetë, ne jemi të bindur se mund të bëjmë një paraqitje të mirë me ndihmën e tifozëve tanë”, citon EFE fjalët e spanjollit. 

Caceres: Është vështirë ta ndalësh Cavanin

Mbrojtësi i Juventusit, Martin Caceres, ka deklaruar se është shumë vështirë që të ndalet sulmuesi i Napolit, Edinson Cavani.
“Shpresoj të luaj. Mirëpo, Edinsonin e njoh qe shumë vite, qëkur jemi njoftuar në ekipin kombëtar...”.
“Ta ndalësh atë është e vështirë, sepse edhe kur nuk shënon ai të çmend me vrapimet e tij”, ka thënë Caceres për TuttoNapoli.net.
Pas barazimit të Milanit ndaj Catanias, Bianconerëve u duhet fitore për ta ngushtuar në dy diferencën e pikëve ne garën për titull.

Vëllai i Cavanit përleshet me bashkëlojtarin (Video)

Vëllai i madh i Edinson Cavanit, Walter Guglielmone (Gully), është përjashtuar nga një ndeshje në një ligë më të ulët braziliane për shkak të përleshjes me bashkëlojtarin e tij.
33-vjeçari nuk ka gjene sulmuese sikur ylli i Napolit, por duket se ka cilësi dyluftimi falë të cilave e ka goditur një lojtar të ekipit të tij dhe është përjashtuar me karton të kuq.
Gully e ka goditur disa herë në fytyrë Douglas Silvan dhe padyshim që gjërat do të përkeqësoheshin po të mos i kishin penguar lojtarët tjerë. 

Ky është Interi!

Interi ka arritur të shënojë fitore të madhe ndaj Genoas me rezultat 5-4, duke realizuar kështu një debutim shumë të suksesshëm të trajnerit të ri, Andrea Stramaccionit.
 Interi në këtë sfidë u paraqit më ndryshe. Me një formacion 4-3-3 dhe me motivim të shtuar, tifozët në shkallët e stadiumit kanë pasur se çfarë të shikojnë.
Diego Milito hapi serinë e golave pas 13 minutash lojë, kur pas një harkimi të Diego Forlan realizoi me kokë për 1-0. Seria e golave vazhdoi dhe ishte El Principe ai që përsëri realizoi, tani për 2-0 (27').
Fitoren e Interit në këtë takim në njëfarë mënyre e garantoi Walter Samuel, kur shënoi për 3-0 (38'). Shpresat e gjenovianëve i mbajti Emiliano Moretti, i cili shënoi për 3-1 dhe rezultatin e pjesës së parë.
Në pjesën e dytë Interi ishte edhe më impenjativ dhe kjo ka mundur t'u hakmirret Nerazzurëve të cilët bënë tri penalti në dëm të tyre, e që të triat i realizuan mysafirët.
Fillimisht Rodrigo Palacio (59') shënoi për 3-2, duke vënë në dyshim epokën e re të Stramaccionit. Sidoqoftë, në vazhdim Mauro Zarate iu kthehet golave duke shënuar për 4-2 (74'). Pesë minuta më vonë Julio Cesar përjashtohet nga loja dhe përsëri u akordua penalti në dëm të Interit, të cilën e konkretizoi për 4-3 Alberto Gilardino (80').
Edhe Interi fiton një penalti pas pesë minutave, të cilën pas kartonit të kuq të Belluschit e realizoi Diego Milito, që shënoi për hettrikun e tij (85') dhe rezultatin 5-3. Në fund, Lucio e shtoi dramën në Meazza, duke ua dhuruar mysafirëve penaltinë e tretë në takim të cilën e konkretizoi Alberto Gilardino (90') për rezultatin përfundimtar 5-4.
Me këtë fitore Interi gjendet në vendin e shtatë me 44 pikë, shtatë pikë larg vendit të tretë që dërgon në Ligën e Kampionëve dhe tetë javë pa përfunduar sezoni në Serie A.

Tjetër humbje e Liverpoolit

Newcastle United ka shënuar fitore me rezultat prej 2-0 ndaj Liverpoolit në shtëpi, duke e thelluar kështu krizën e klubit nga Anfield.
 Liverpooli e dominoi në tërësi pjesën e parë, por nuk arriti të gjejë rrugën e golit. Këtë e bëri Papis Cisse, i cili realizoi për 1-0 (19') me asistimin e Hatem Ben Arfas.
Në pjesën e dytë Liverpooli përsëri kërkon portën dhe sulmuesit e The Reds lëshojnë disa raste të volitshme. Por, ishte përsëri Papis Cisse ai që u tregua vendimtar, duke realizuar për 2-0 dhe fitoren e madhe të Newcastle.
Gjithë ajo që Liverpooli bëri ishte një karton i kuq për portierin Pepe Reina shtatë minuta pa përfunduar takimi (83').
Me këtë disfatë, Liverpooli mbetet në vendin e tetë me 42 pikë, kurse Newcastle United ka 53 pikë në vendin e gjashtë, po aq sa ka dhe Chelsea në vendin e pestë.

KFOR-i heton vendin e arrestimit të policëve

Një komision ushtarak i KFOR-it ka dalë në vendin ku të shtunën janë arrestuar dy policët kufitarë të Kosovës nga ana e xhandarmërisë së Serbisë, për të vërtetuar dhe hetuar rastin.
Pas arrestimit të policëve Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic, kishte deklaruar se këta dy policë kishin shkelur zonën e gjelbër, me çka, sipas tij, ata edhe kishin shkelur marrëveshjen ushtarako - teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe.
Derisa KFOR-i po i analizon rrethanat dhe më pas pritet të dalë edhe me një rezultat në lidhje me arrestimin e dy policëve kosovarë, autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të besojnë se policët ishin kidnapuar brenda territorit të Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se është në kontakt me autoritetet ndërkombëtare, sidomos me EULEX-in, për të ushtruar ndikimin që policët, ndaj të cilëve është shpallur ndalesa prej 48 orësh në burgun e Kurshumlisë, të lirohen dhe të kthehen në shtëpi.
“Kemi kërkuar, përmes mekanizmave ndërkombëtarë që i kemi në dispozicion, përmes EULEX-it, e po ashtu edhe përmes Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zbogar, t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e presionit ndaj Serbisë që të lirohen policët e kidnapuar. Gjithashtu, i jemi drejtuar me shkresa Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera që të bëjnë një presion maksimal për lirimin e policëve, të cilët pa asnjë arsye janë kidnapuar në territorin e Kosovës”, thotë Rexhepi për Rel
Edhe misioni për sundim të ligjit i Bashkimit Evropian – EULEX, thotë se po i hulumton rrethanat dhe lokacionin e ndodhisë. EULEX-i shpreh habinë me këtë veprim pas frymës pozitive dhe arritjes së marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit gjatë dialogut Kosovë - Serbi.
Ministri Rexhepi shpreh bindjen e tij se hetimet që po i bëjnë autoritetet ndërkombëtare, do të rezultojnë me vërtetimin e dëshmive të palës kosovare se policët janë arrestuar brenda territorit të Kosovës.

“Ata (policët) dihet se janë në mbajtje për 48 orë dhe të shohim se çfarë rezultatesh do të sjellin presionet ndërkombëtare. Sot një komision i KFOR-it ka dalë dhe është duke e hetuar vendin ku ka ndodhur kidnapimi dhe, sipas të gjitha gjasave, do të dalë një raport se ai ka ndodhur në territorin e Kosovës”, sqaron Rexhepi. 

Përpjekje për lirimin e policëve, Rexhepi nuk flet

Policia e Kosovës po bën përpjekje të vazhdueshme në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe me të gjithë mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar, që të bëhet trysni për lirim të menjëhershëm të dy zyrtarëve policorë, të cilët dje janë kidnapuar nga xhandarmëria serbe. Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i pyetur se çfarë po bënë Qeveria për lirimin e policëve, nuk pranoi të flasë.
Rexhepi ka pohuar se të gjitha ato çka ka dashur t’i thotë, i ka thënë përmes komunikatave për medie dhe se nuk ka se çfarë të shtojë lidhur me rastin në fjalë.
“Më duket se ju i keni përcjell komunikatat dhe nëse i keni përcjell, jeni të informuar dhe se nuk kam çfarë të shtoj më tepër”, i ka thënë Rexhepi agjencisë Kosovapress.
Ndryshe nga Ministri Rexhepi, i cili nuk kishte se çfarë t’iu shtonte komunikatave për media të lëshuara që nga dje, nga ministria që ai drejton, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani tha se lidhur me kidnapimin e dy zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës nga ana e xhandarmërisë serbe, po bëhen përpjekje të vazhdueshme në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe me të gjithë mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar, që të bëhet trysni, të kërkohet lirimi i menjëhershëm i zyrtarëve policorë, që janë në mbajtje tek autoritetet e Serbisë.

Hakerët shqiptarë sulmojnë 19 ueb faqe në Serbi

Shumë ueb-faqe serbe janë sulmuar sot nga hakerët shqiptarë, të njohur si “iLLyrian Hackers Group” për shkak të arrestimit të 2 policëve shqiptarë nga Serbia
Hakerët shqiptarë kanë dhënë mesazhe politike në çdo ueb-faqe që e kanë sulmuar.
“Të gjitha arrestimet e bëra nga ana e Serbisë janë te qëllimshme, pa ndonjë arsye dhe nëse mendoni se me 2 policë e keni rrëzuar Republikën e Kosovës e keni gabim”, “Ju vetëm po e tregoni fytyren tuaj se jeni skllav dhe asgjë më shumë. Por edhe ju, herët apo vonë do hasni n’hunlesh!”, “Amanet e kom prej shqipes ta ruj venin tem, kuq e zi e kom flamurin e ruj n’mes t'zemres tem”...
Këto janë vetëm disa nga mesazhet që hakerët shqiptar ua kanë përcjellë lexuesve të këtyre faqeve.

Portali Lexoshqip.com ka siguruar nofkat e hakerëve shqiptarë të njohur si “theb0x” dhe “bLackLegend”. 

Shtet pa kredibilitet

Shteti i së drejtës nuk mund të ndërtohet me institucione, mbi përfaqësuesit e të cilëve rëndojnë akuzat për përfshirje në korrupsion, krim të organizuar dhe veprime të tjera ilegale, thonë përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohësit e integrimeve evropiane në Prishtinë.
Ata theksojnë rëndësinë për reforma të thella që do të krijonin një ndarje reale të pushteteve me një gjyqësor të paanshëm e të pavarur nga politika.
Eksperti për integrime evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se parakusht për avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, është përmirësimi i problemeve të brendshme.
“Ne, nëse s’kemi një shtet funksional, atëherë nuk trajtohemi dhe nuk kemi kredibilitet si aktorë ndërkombëtarë, e as nuk mund të marrim pjesë e t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thotë Muharremi për Radio Evropa e Lirë.
Avni Zogiani, nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thotë se është i nevojshëm krijimi i një plani “të konservuar” nga çfarëdo ndikimi politik. Ai e quajti të pakuptimtë krijimin e task-forcave apo këshillave të ndryshëm që janë formuar deri më tani për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Rëndësia që Kosova të zbatojë reforma në shumë segmente shtetërore ishte theksuar vazhdimisht edhe nga Bashkimi Evropian, mekanizëm në të cilin vendi synon të anëtarësohet në të ardhmen.
Muharremi thotë se reformat evropiane duhet të shfrytëzohen si model për të përmirësuar funksionimin e brendshëm të shtetit.
Në kuadër të përpjekjeve për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë, Bashkimi Evropian kishte angazhuar, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, një mision me detyrë monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e institucioneve kosovare në Polici, Dogana e Gjyqësi. Por, as prania ndërkombëtare, sipas Zogianit, nuk ka arritur ta përmbush obligimin e saj.
“Fatkeqësisht, nuk kanë ndihmuar ndërkombëtarët... Intervenimet e tyre kanë qenë tërësisht periferike, kryesisht janë përkufizuar në krijimin e ambienteve fizike të mira për gjyqtarët e prokurorët”, vlerëson Zogiani.
Kosova ka disa vjet që e ka shpallur “prioritet” luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Megjithëkëtë, kritikat që flasin për mungesë të angazhimit dhe rezultateve në këtë drejtim vazhdojnë të jenë në qendër të raporteve që organizatat dhe mekanizmat e ndryshëm vendorë e ndërkombëtare publikojnë për vendin. 

“Serbia ka qenë, është dhe do të mbetet shtet kriminal”

Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së dënojnë arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e Serbisë.
“Ne nuk jemi të befasuar nga këto gjëra që i bën Serbia sepse ajo ka qenë, është dhe siç po shihet, do të mbetet edhe për një kohë të gjatë, shtet kriminal. Serbia ende iu ka borxh shqiptarëve tokat që i mban nën okupim. Përcaktimi i Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së do të jetë gjithnjë i orientuar drejt bashkimit të shqiptarëve në një shtet”, thuhet në një komunikatë për shtyp.
“Kërkojmë nga spektri politik shqiptar, të jetë i matur dhe të angazhohet bashkërisht në tejkalimin e situates, e jo të bëj lojëra fjalësh, për të krijuar situata që do t’i shkojnë për shtati vetëm Serbisë dhe politikës së saj dinake e armiqësore”. 

BE dhe SHBA t’i bëjnë trysni Beogradit

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon rrëmbimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga xhandarmëria serbe.
LDK-ja u bën thirrje institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për lirimin e dy policëve të rrëmbyer dhe kthimin e tyre në Kosovë.
“LDK-ja konsideron se aktet e tilla janë tërësisht të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve dhe fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve”, thuhet në një komunikatë për shtyp. “LDK-ja fton bashkësinë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e botës demokratike, që t’i bëjnë trysni Beogradit zyrtar për ndaljen e provokimeve të tilla të rënda ndaj Kosovës”. 

Qeveria reagon me deklarata bajate

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shpreh indinjatën e vet të thellë me rastin e kindapimit të dy policëve të Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës.
“Ky veprim armiqësor i Qeverisë së Serbisë vjen si pasojë e nënshtrimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, e cila në vend se të ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit, del me deklarata të çuditshme dhe bajate, gjoja për Serbinë evropiane dhe se gjoja Serbia e paska pranuar Pavarësinë e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të AAK-së, sipas së cilës pozita inferiore dhe nënshtruese e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka lejuar që vendit tonë t’i vritet polici, t’i kidnapohet polici dhe, mbi të gjitha, të përdhoset uniforma e shtetit të Kosovës.
“AAK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos bëjë analizë politike por të ndërmarrë veprime praktike dhe të drejtpërdrejta në mbrojtje të shtetit dhe dinjitet të tij. AAK kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të rishikojë pozicionin e shtetit serb në proceset integruese, duke qenë dëshmitarë se politika e vjetër e Beogradit nuk ka ndryshuar”. 

Sot ftohtë, nesër më nxehtë!

Pas një dimri të ftohtë dhe pas ngritjes së temperaturave, kthehet sërish bora.
Mëngjesi i sotëm ka zbardhur me reshje të borës dhe me temperatura mjaftë të ulëta. Megjithatë, nuk pritet që reshjet e borës dhe këto temperatura të ulëta të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, pasi që nga nesër temperaturat pritet të arrijnë deri në 16 gradë celsius.
Sylë Tahirsylaj, drejtor i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës tha për Kosovapress se reshjet do të jenë vetëm gjatë ditës së sotme dhe se ato nuk pritet që të vazhdojnë në ditët në vijim. Sipas tij, nata e sotme pritet të jetë e ftohtë, ku temperaturat do të shkojnë nën zero gradë celsius.

Roma deklason Novarën

Roma ka shënuar fitore të lartë me rezultat 5-2 ndaj Novaras në Olimpico, duke u ngritur në tabelë dhe duke ashpërsuar luftën për vendin e tretë që dërgon në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja filloi në mënyrë të baraspeshuar, ku edhe mysafirët nuk u sprapsën. Por, ndeshja u bë më e hapur në minutën e 17-të, kur Andrea Carraciolo shënoi me kokë për 1-0 dhe epërsinë e mysafirëve.
Roma e ktheu shpejt rezultatin. Marquinho realizoi pas 25 minutash lojë për 1-1, para se për 2-1 të shënonte Pablo Osvaldo (34').
Në pjesën e dytë vetëm sa u konfirmua fitorja. Fabio Simplico (55') shënoi për 3-1, kurse listës iu bashkangjit edhe Bojan, që shënoi për 4-1 (61'). Golin e dytë për mysafirët dhe rezultatin 4-2 e shënoi Takayuki Morimoto (78'), kurse rezultatin përfundimtar prej 5-2 e vuri Erik Lamela në minutën e fundit të takimit (90+1').
Me këtë fitore Roma ka 47 pikë në vendin e gjashtë dhe është vetëm katër pikë larg vendit të tretë, Lazios.

Fabregas i gatshëm për Milanin

Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, është deklaruar i gatshëm nga trajneri Pep Guardiola për sfidën ndaj Milanit, që zhvillohet të martën mbrëma.
 Ish-mesfushori i Arsenalit ishte mungesë e befasishme për ndeshjen e parë ndaj Rossonerëve në San Siro, ndërsa mungoi po ashtu edhe në sfidën ndaj Bilbaos. Sidoqoftë, Guardiola tani ka konfirmuar praninë e Cesc për ndeshjen shumë të rëndësishme kthyese që zhvillohet në Camp Nou të martën.
"Cesc Fabregas ka pasur një problem në shpinë të enjtën. Ne jemi marrë me këtë problem dhe sot ai është më mirë. Kështu, edhe pse jemi detyruar ta lëmë jashtë sfidës ndaj Bilbaos, ai do të luajë sigurt ndaj Milanit të martën", ka theksuar Guardiola. 

Mourinho i ngazëllyer me paraqitjen

Jose Mourinho ka lëvduar paraqitjen profesionale të lojtarëve të tij ndaj Osasunës në fitoren e lartë me rezultat 5-1 mbrëmjen e kaluar.
“Më pëlqeu mënyra se si lojtarët u janë përgjigjur thirrjeve të mia. Nuk ishte ndeshje e lehtë. Granero dhe Albiol nuk kanë luajtur dhe aq, por u përgjigjën mirë”.
“Ne jemi të ngazëllyer që ndeshja shkoi mirë për ne. Jam i kënaqur me Graneron dhe Albiol ashtu sikurse me Sahinin që ishte i shkëlqyer në Qipro. Unë falënderoj këta lojtarë”, është shprehur Mourinho.

Conte: Ose Borriello ose Quagliarella

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka zbuluar se ai është duke shqyrtuar që të luajë me Marco Borriellon ose me Fabio Quagliarellan ndaj Napolit të dielën mbrëma.
“Ose Borriello ose Quagliarella mund të startojë. Quagliarella është dashur të tejkalojë disa probleme me lëndimin dhe tani po kthehet në nivelet e tij. Borriello nuk ka shfaqur formë të mirë, por ai mund të jetë i rëndësishëm”.
“Nëse fitojmë ndaj Napolit, sigurojmë Ligën e Kampionëve. Sidoqoftë, ne kemi ndeshje të vështirë ndaj një ekipi që ka bërë mirë edhe në Coppa Italia. Është ndeshje e vështirë, kështu që do të fokusohemi në vetvete dhe jo në të tjerët”, ka thënë Conte.

UEFA: Fusha e San Siros, e mirë

Përfaqësues të UEFA-s kanë mbrojtur gjendjen e fushës së San Siros pas ankesës së Barcelonës që bëri ankesë zyrtare me pretekstin se fusha e pa përshtatshme ndryshoi rrjedhën e takimit.
Barcelona bëri ankesë me pretekstin se gjendja e keqe e fushës ndikoi në lojën e ekipit katalanas, por drejtori i UEFA-s, Giorgio Marchetti, ka hedhur poshtë këtë ankesë duke thënë se Interi dhe Milani po bëjnë ç’mos që fusha të jetë sa më e mirë.
“Interi dhe Milani po tentojnë të rregullojnë problemin duke shtruar barin disa herë gjatë sezonit, por shumë ndeshje janë luajtur në kushte më pak se ideale. Por, kur e kemi parë gjendjen e fushës para sfidës ndaj Barcelonës, gjithçka ishte në rregull. Është dallim mes një fushe të pranueshme për ne dhe një fushe ideale”, ka theksuar Marchetti.
Ndeshja e parë përfundoi me rezultat të barabartë 0-0, kurse ndeshja kthyese zhvillohet të martën në Camp Nou.

I dashuri i J-LO, tatuash me emrin e saj

I dashuri i pop yllit amerikan Jennifer Lopez, Casper Smart, besohet të ketë bërë një tatuazh të ri dhe atë emrin e këngëtares seksi.
Një burim për mediat amerikane ka zbuluar se Jennifer mendon se tatuazhet e Casperit janë tepër seksi dhe ajo pëlqen tatuazhin më të fundit me emrin e saj. Që të dy besohet se janë të dashuruar në tatuazhin e ri që flet edhe më shumë për lidhjen e tyre.
Jennifer Lopez ishte ndarë kohë më parë nga ish-bashkëshorti Marc Anthony, për t’u bashkuar me valltarin Casper Smart.
Këngëtarja 42 vjeçare që duket sikur 22 vjeçare këto ditë ka lansuar këngën më të re nëpër radiot amerikane, të titulluar “Dance Again”, kurse gjatë vitit të kaluar ka ditur të publikojë superhite si “On The Floor” dhe “Papi”.

Dafina nuk lë karrierën për dashurinë

Këngëtarja Dafina Rexhepi është shumë e qartë - ai që e do atë dhe që pretendon të fillojë lidhje të dashurisë me të duhet të ketë parasysh karrierën e këngëtares dhe agjendën e ngjeshur nëpër koncerte.
Këto pohime pop ylli kosovar i bëri për emisionin Prive, ku pos faktit se ajo nuk e lë karrierën për dashurinë, bëri edhe pohime tjera interesante.
“Fyerja më e keqe që dikush mund të ma ketë bërë është se i kam flokët e këqija. Nga errësira nuk kam frikë dhe kurrë, kurrë nuk do të bëj operacion plastik. Dua të jem natyrale”, ka theksuar Dafina.

Kthimi i smartbookëve?

Para disa viteve, me arritjen e netbookëve, lindi edhe një kategori tjetër e pajisjeve – smartbookët. Bëhet fjalë për portativët miniaturë të bazuar në arkitekturën ARM të cilët pritej të ndryshojnë mënyrën në të cilën përjetojmë kompjuterët, dhe tregun në tërësi... Ekzistonte vetëm një problem – askush nuk po i blinte.
Një nga arsyet ishte se kompjuterët ishin të bazuar në Andorid i cili në atë kohë ishte ende në fillet e tij, e Microsoft anashkalonte ARM-në me të madhe. Shansin e dytë kjo kategori e pajisjeve e morri me Windows 8 i cili pa problem do të punoj në procesorët ARM, kështu që vitin që vjen mund të presim të shohim portativët e bazuar në procesorët që karakterizohen me kursim të lartë të energjisë.
Që gjërat shkuan në atë drejtim e konfirmon edhe Qualcomm i cili paralajmëroi një version të posaçëm të SoC-së së vet Snapdragon S4 i cili do të jetë me katër bërthama. Çipi do të jetë i adaptuar për përdorim në portativët me Windows 8, e sipas paralajmërimeve të prodhuesve, pajisjet do të jenë dukshëm më të holla dhe më të lehta nga ultrabookët aktual dhe nga MacBook Air i Apple.
Portativët e bazuar në ARM, si dhe tabletët, do të ofrojnë shkallë të lartë të portativitetit, rezolucionet e larta të ekranit, bateritë që zgjasin më shumë, si dhe lidhshmëri konstante me rrjeta. E metë e tyre do të jetë se nuk do të mund të ekzekutojnë versionet “e vërteta” të Windows 8, por ato që do të jenë vetëm për ARM. 

Bogdanovic: S’duam ta shkelim Rezolutën 1244!


I ashtuquajturi ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic, deklaroi se ndoshta nuk do të mbahen zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë.
"Nuk dëshirojmë që ta shkelim Rezolutën 1244 dhe ndoshta nuk do të organizojmë zgjedhjet lokale në Kosovë", ka thënë Bogdanovic për B92.
Ai ka theksuar se është në interes shtetëror që në Kosovë të mbahen edhe zgjedhjet lokale edhe parlamentare, por “kështu do të ngriheshin tensionet, sidomos në se mbahen zgjedhjet lokale".
Bogdanovic ka thënë se ekziston një mirëkuptim i bashkësisë ndërkombëtare dhe Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.
“Pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare nuk mund të organizojmë kurrfarë zgjedhjesh në Kosovë. Nuk duam ta shkelim rezolutën 1244", ka thënë ministri serb. 

Kryeziu: Vonë foli Delli

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk i ka komentuar të shtunën në Prizren konstatimet e ambasadorit amerikan, Christopher Dell, se spektri politik dhe shoqëror i Kosovës është i zhytur në korrupsion. Për dallim prej tij, ka qenë kryetari i degës dhe eksponenti i njohur i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ai i cili i është kundërvënë deklaratave të ambasadorit Dell.
"Unë e dëgjova me kënaqësi të madhe atë farë vështrimi realist por dhe apokaliptik të ambasadorit Dell, dje, kur tha se Kosovën e ka përfshirë korrupsioni”, ka thënë Kryeziu, transmeton Koha Ditore. “Personalisht do të isha shumë më i kënaqur që këto gjëra ambasadori Dell, për të cilin kam respekt të veçantë, t'i kishte thënë në fillim të mandatit të tij".
Ai ka pranuar se sundimi i ligjit në rrethanat nëpër të cilat ka kaluar Kosova nuk ka qenë prioriteti kryesor, porse sipas tij ky nuk ka qenë përcaktim as i Kosovës e as i LDK-së.
"Kosovës, ta kemi të qartë, i është imponuar stabiliteti përpara sundimit të ligjit. Kjo nuk ka qenë zgjedhja e Kosovës, për nevojat natyrore që i ka një popull, e aq më pak ka qenë zgjedhja e LDK-së", ka deklaruar Kryeziu.

Galliani: Referim i pa pranueshëm

Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është shprehur i frustruar me nivelin e referimit në ndeshjen ndaj Catanias që përfundoi me barazim, duke thënë se këto gabime të gjyqtarëve mund të kushtojnë me titull.
“Nuk kam shumë për të thënë. Unë kurrë nuk flas për gjyqtarët. Por, është hera e dytë që në një ndeshje topi kalon vijën fatale. Kur e kalon vijën fatale, është gol - por jo për ne”.
“Është hera e dytë që po ndodh kjo. Së pari ndaj Juventusit dhe tani ndaj Catanias. Është mjaft e pa pranueshme. Në ndeshjet tjera ata i kanë parë mirë këto gjëra, por ne jemi fatkeq. Shpresoj që fati të mos na e kthejë shpinën për ndeshjet e ardhshme të cilat do të jenë kruciale në luftën për titull”, ka deklaruar Galliani pas takimit. 

Stramaccioni: Pak fjalë, më shumë vepra

Trajneri i ri i Interit, Andrea Stramaccioni, u ka bërë thirrje lojtarëve të tij që të fillojnë mbarë të dielën me një fitore ndaj Genoas, pasi tashmë është tepruar me fjalë dhe se ka ardhur koha për veprime.
“Ka pasur shumë fjalë, shumë premtime, tani duhet të përgjigjemi në fushë. Unë jam dhe ndihem trajner i Interit dhe çfarë dua t’u them fansave është se kanë dëgjuar shumë fjalë dhe tani duhet të shohin se si luan Interi i vërtetë”.
“Veprat janë më të rëndësishme se fjalët. Kjo është ajo që unë dua dhe ajo që lojtarët duan. Ata janë profesionistë të jashtëzakonshëm dhe janë të përkushtuar. Nga e diela, ne do të bëjmë gjithçka për t’ua kthyer kënaqësinë tifozëve”, ka deklaruar Stramacioni para takimit ndaj Genoas.

Ferguson: Rooney mund të shënojë 40 gola

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, beson se sulmuesi anglez, Wayne Rooney, mund të arrijë në shifrën e 40 golave këtë sezon.
“Ai mund të shënojë shumë lehtë 40 gola. Ai ka edhe tetë ndeshje dhe ai mund t’i arrijë 40 golat duke shënuar nga një gol për ndeshje. Ne sigurisht se presim së paku tetë gola nga Rooney në tetë ndeshjet e mbetura”.
“A do të shpallet futbollisti më i mirë i vitit? Mirë, nuk duhet ta harrojmë as Robin Van Persien që po kalon sezon të jashtëzakonshëm”, është shprehur Ferguson. 

Veç 20 ulëse

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare partitë politike do të garojnë për 120 vende në Parlamentin e Kosovës, e jo qysh kanë garuar deri më tash vetëm për 100 vende, derisa ulëset e tjera kanë qenë të rezervuara për pakicat. Kjo për shkak se do të fshihet Neni 148 i Kushtetutës, i cili parasheh ndryshimin e statusit të ulëseve të minoriteteve në Parlament.
Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, minoritetet nuk do të kenë më vende të garantuara, plus vendet e fituara në zgjedhje. Kjo i bie që pakicat nuk do të mund të marrim më shumë se njëzet vende, veç nëse arrijë t`i marrin me vota, gjë që duket të jetë e pamundur, shkruan Express.
Në legjislaturën aktuale, minoritetet në Parlament kanë pesë vende të fituara me votë dhe njëzet të rezervuara. Megjithëkëtë, kryetari i Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, sa i përket kalimit prej vendeve të rezervuara në vende të garantuara, nuk do të ketë debat dhe as votim në Parlament. 

Qeveria e Kosovës organizon zgjedhjet serbe!

Pavarësisht nga deklaratat e ashpra se nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të vendit, Qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk do t’i ndalojë, por edhe do t’i organizojë ato.
Madje, për t’i “shërbyer” sa më mirë shtetit serb, qeveria që drejtohet nga Hashim Thaçi ka hartuar një plan konkret, me të cilin udhëzohet se si do të votojnë qytetarët serbë në Kosovë, më 6 maj 2012.
Dokumentin të cilin e ka parë “Zëri” përcakton në detaje se si do të shkojë mbarëvajtja e procesit zgjedhor, ndërkaq, për gjithçka që ka të bëjë me procesin në fjalë do të angazhohet një trup ndërkombëtar.
Sipas këtij plani, trupi ndërkombëtar, mes tjerash, do të angazhohet që të sigurojë fletëvotimet, do të ketë përgjegjësi për numrin e fletëvotime të shpërndara, do ta mbikëqyrin futjen e fletëvotimeve në kutitë e votimit, dhe do të merret me transportin e fletëvotimeve dhe kutive të votimit nga vendvotimet tek autoritetet serbe.
“Qytetarët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në komunat në vijim: Prishtinë, Graçanicë, Novobërdë, Ranillug, Kllokot, Gjilan, Shtërpc, Prizren, Deçan, Pejë, Klinë, Mitrovicë, Zveçan, Zubim-Potok, Leposaviq dhe në vendet tjera për të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partnerët e saj zbatues mund të japin miratimin më vonë”, thuhet në njërën nga pikat e këtij plani që e ka parë gazeta. 

Të premten takimi Thaçi-Obama?

I dëgjuan me kujdes “këshillat” e tyre, e si shpërblim duket se po marrin vëmendjen e tyre, qoftë edhe për disa minuta.
Lidershipi kosovar të martën do të niset sërish për në SHBA, për t’u takuar me krerët e shtetit amerikan. E, kësaj radhe, vetë Kryeministri Hashim Thaçi do të takohet me të parin e shtetit amerikan, Barack Obama.
Burime të Expressit në Zyrën e Kryeministrit bëjnë të ditur se takimi mes Thaçit e Obamës pritet të zhvillohet më 6 prill.
Ndryshe, takimi Thaçi-Obama ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, as nga pala amerikane, as nga ajo kosovare.

Ronaldo: Barça ta harrojë titullin

Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka pohuar se ai luan me mendimin në kokë se skuadra e tij do ta fitojë La Ligën në fund të këtij sezoni.
Ylli portugez shkëlqeu në sfidën ndaj Osasunës duke realizuar ‘double-double’ prej dy golash dhe dy asistimeve, ndërsa optimist në luftën për titull, portugezi nuk fshehu dëshirën për ta përshëndetur Barcelonën.
“Unë luaj me mendimin se ne do ta fitojmë titullin. Ideja se ne nuk do ta fitojmë dhe se Barca do ta fitojë nuk është në kokën time. Ne jemi në situatë të mirë në tabelë. Kanë mbetur edhe tetë ndeshje dhe ne duhet të mendojmë se titulli është i joni”, ka deklaruar Ronaldo.

Iniesta: Duhet ta eliminojmë Milanin

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, beson se Blaugranët pa arsyetime duhet ta eliminojnë Milanin të martën mbrëma në sfidën që zhvillohet në Camp Nou.
“Ne duhet të fitojmë, ky është realiteti. Në shtëpi, me tifozët tanë, ne duhet të arrijmë në gjysmëfinale dhe duhet të hyjmë në ndeshje me shumë besim. Ne do të shohim triller gjatë 90 minutave të martën”.
“Ndaj Bilbaos ishte ndeshje e vështirë. Mendoj se luajtëm mirë dhe se Bilbao nuk u dorëzua në asnjë moment. Ata janë ekip i mirë”, është shprehur Iniesta.

Allegri kritikon ekipin

Trajneri i Milanit, Massimilano Allegri, ka kritikuar ekipin e tij për performancën jo të mirë të shfaqur ndaj Catanias, duke mos vënë në gojë fare gjyqtarin e takimit i cili bëri disa gabime skandaloze.
“Ndeshja ishte tepër me tempo të ulët, por ne mbushëm sulmin me topa pa konstrukstuar sa duhet raste. Në pjesën e dytë, Catania është angazhuar më shumë dhe ne ndalëm së luajturi herët”.
“Ishte me rëndësi të fitojmë dhe ne e kemi ditur se do të jetë e vështirë kjo, sepse Catania është ekip shumë i mirë. Sidoqoftë, për momentin, ne kemi forcuar kreun për një pikë”, ka deklaruar Allegri.

Wenger: Merituam humbjen

Menaxheri i Arsenalit, ArseneWËenger, ka pranuar se ekipi i tij me plot meritë pësoi humbje, pasi vendasit e QPR ishin shumë më të përkushtuar.
“Na mungoi përkushtimi. Në Ligën Premier nëse humbisni përkushtimin atëherë dënoheni. Ky ishte rezultat i situatës sot”.
“Është shumë frustruese. Ata na e lanë topin dhe i pritën gabimet tona. Ne morëm topin, unë nuk bëra shumë me të dhe bëra gabime. Kjo e bën rezultatin. Paraqitja jonë nuk ishte mjaft e mirë për të fituar këtë lloj të ndeshjes. Ajo që bëmë ne nuk mjaftoi”, është shprehur francezi.

Barca vazhdon luftën...

Barcelona ka shënuar fitore solide në shtëpi ndaj Athletic Bilbaos me rezultat 2-0, duke vazhduar kështu luftën për titull të kampionit në La Liga.
Blaugranët e dominuan takimin, por prapa nuk mbetën as mysafirët e lodhur nga Bilbao. Ekipi i Marcelo Bielsas u mbajt mirë, por në fund të pjesës së parë dështoi t’i bënte ballë presionit.
Andres Iniesta me asistimin e Lionel Messit (40’) kaloi në epërsi Barcelonën, që ishte dhe rezultati i pjesës së parë.
Në pjesën e dytë Bielsa fut në lojë dy prej lojtarëve më të mirë të cilët i la në pankinë, Iker Muniain dhe Ander Herreran, por as këta nuk arritën të bëjnë diferencën.
Një penalti të akorduar në të mirë të katalanasve e shfrytëzoi kush tjetër pos futbollistit më të mirë në botë, Lionel Messit, i cili vazhdon ta ndjekë Ronaldon në listën e realizatorëve me 36 gola (58’). Me rezultatin 2-0 mbaroi takimi, pasi baskët nuk kishin gjasa që të bënin një rikthim.
Me këtë fitore Barcelona ka 72 pikë, gjashtë pikë më pak se sa Real Madridi që është lider dhe që sonte arriti në shifrën e 100 golave të shënuar këtë sezon në La Liga.

Metallica koncert në Prishtinë!

Një nga bendet më me ndikim i të gjitha kohërave që ka shitur më shumë se 100 milionë kopje albumesh anekënd botës, “Metallica”, do ta nderojë Kosovën me një koncert të madh në Stadiumin e Prishtinës.
Grupi i njohur me megahitin “Nothing Else Matters” ne ueb-faqen e tyre, në listën e datave të koncerteve si destinacion e ka përfshirë edhe Prishtinën, ku do të ‘çmendin’ publikun më 9 maj. Një ditë më parë, “Metallica” do të qëndrojë në Beograd, ndërsa pas Prishtinës rokerët legjendarë do të fluturojnë për në Varshavë të Polonisë.
“Kosovë përgatitu për një koncert si kurrë më parë... Ne do të jemi aty për t’ju ‘metalizuar’... Po vijmë t’ju tregojmë se sa JU duam...”, ka shkruar frontmeni James Hetfield në profilin e tij në Twitter.
Gjatë luftërave në Ballkan ka pasur thashetheme se “Metallica” ka mbështetur financiarisht ushtrinë serbe, ndërkohë që Hetfield ka shkruar në Twitter se vendimi për koncert në Kosovë nuk ishte i rastësishëm, porse për të dëshmuar të vërtetën mbi kauzën që bart në vete muzika e tyre: “zemërim për të pavërtetën, humbjen që e përjetojmë të gjithë dhe ndëshkimin për kriminelët”.
Duke konfirmuar ardhjen e “Metallica” në vendin tonë, Reutersraporton se kryeministri Hashim Thaçi do të jetë njeriu që do t’i ftojë në skenë legjendarët e rokut, megjithatë asgjë nuk është konfirmuar nga Zyra për informim e kreut të ekzekutivit. Nga ana tjetër, Daily Mail flet për një pakënaqësi të kreut të Prishtinës, Isa Mustafa, i cili mendon se ky nder duhet t’i takojë atij, pasi që udhëheq me kryeqytetin, vendi ku do të mbahet koncerti.
Producenti i bendit, Rick Rubin, duke komentuar datat e koncerteve, në blogun e tij shkruan se përkundër se “Metallica” është marrë vesh me organizatorët dhe e ka caktuar datën për koncertin në kryeqytet, problemi qëndron te drejtuesit e Stadiumit të Qytetit të Prishtinës, të cilët kërkojnë nga menaxhmenti i koncertit, që stadiumi pas koncertit të kthehet, ashtu siç ishte marrë, në të njëjtën gjendje. Afrim Muçiqi nuk lejon shitjen e birrave në stadium, ndërsa dështuam në përpjekje për ta kontaktuar sepse ishte në një koncert në Zvicër. Sipas spekulimeve, në refuzimin e Muçiqit është duke ndikuar Isa Mustafa, i cili e kushtëzon koncertin me miratimin në Kuvend të Ligjit për Prishtinën.
Ende nuk është bërë publike se kush do të jenë paragrupet, por spekulohet se “Troja” mund të jetë një nga bendet pjesëmarrëse. Porsa kanë marrë informatën, në profilet e tyre në rrjetet sociale kanë reaguar Genta dhe Nora që nuk janë ftuar të ngjiten në skenë, ndërkohë që B.B. Poqi nuk mund të marrë pjesë, sepse është në një turne në Gjermani. Nga ana tjetër, burime tona në Tetovë thonë se “Elita 5” ka refuzuar pjesëmarrjen me arsyetimin se “po të kishte qenë ‘Bon Jovi’ apo ‘Whitesnake’ do të vinim, po kush është ‘Metallica’ që ne të jemi paragrup i tyre”.
RIA Novosti ka publikuar një komunikatë të Presidencës ruse, e cila ka reaguar ashpër duke e quajtur “implikim të Qeverisë amerikane” anulimin e koncertit të “Metallica” në Moskë dhe mbajtjen e tij në Prishtinë. Po ashtu, sipas Xinhua, presidenti i Kinës, Hu Jintao, ka nënshkruar një urdhër përmes të cilit ua ndalon katër anëtarëve të bendit hyrjen në Kinë deri në vitin 2018, për shkak të, siç thuhet, “nxitjen e popujve për vendimmarrje të njëanshme” duke aluduar te Tajvani. Akoma nuk ka një reagim zyrtar nga Spanja, por Elpais.es raporton se kryeministri Mariano Rajoy ka caktuar një seancë urgjente të hënën në Kuvend, ku do të kërkojë që Real Madridit t’i ndalohet udhëtimi në Tiranë.
Ende nuk kemi informata mbi çmimin e saktë të biletave që do të lëvizë nga 20-50 euro, por një është e sigurt, shitja e tyre do të fillojë ditën e hënë në çdo cep të Kosovës- kioskë, kafene e qebaptore..., në mënyrë që sa më shpejtë të shpërndahen biletat, pasi që jemi pak më shumë se një muaj larg ditës së koncertit.
Pas përfundimit të koncertit, Kirk Hammet, i cili ndjen një lidhshmëri të ngushtë me shqiptarët, pasi rrjedh nga një nënë filipinase dhe nga një baba irlandez, do t’ia dhurojë kitarën e tij Muzeut të Kosovës. Bateristi Lars Ulrich, i cili si i ri u largua nga Danimarka drejt Los Angelesit për ta ndjekur ëndrrën e tij për t’u bërë tenist, pjesën e tij të përfitimeve nga koncerti (prej 37 për qind) do ta ndajë për ndërtimin e një fushe tenisi në Ferizaj. Ndërkohë, basisti Robert Trujillo ka premtuar që nëse në stadiumin e Prishtinës mblidhen më shumë se 30.000 njerëz, do t’i shkurtojë flokët dhe do të bëhet tullac, ndërsa flokët e prera do t’i dhurojë për zgjatje artificiale.
Duke shpresuar që do të kaloni momente të paharrueshme dhe çaste madhështore duke u argëtuar me njërin nga grupet më të mira në histori, jua urojmë 1 Prillin... 

BBA: Largohet Anila, Meti i nominuar

Anila është viktima e kësaj jave nga nominimet, pasi nuk ka arritur të sigurojë qëndrimin brenda në shtëpi, në konkurrencë të fortë me Vlashin, i cili ia arriti të mbijetojë. Risi është edhe futja e banorëve të rinj, përderisa nuk munguan as befasitë.
Në shtëpi vlen të përmendet se është futur banori i ri Dritani, teksa befasia është hyrja e motrës së këngëtares Elvana Gjata, Gertës.
Nga befasitë e mbrëmjes vlen të përmendim vizitën e babait të Erjonit në shtëpinë më të madhe në Shqipëri.
Interesante këtë javë do të jetë lufta për mbetje në shtëpi, pasi të nominuarit janë Meti dhe Lorena, ku favorit është modeli nga Vushtrria, i cili dhe ka fituar zemrën e mijëra vajzave që përcjellin spektaklin.