BE dhe SHBA t’i bëjnë trysni Beogradit

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon rrëmbimin e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga xhandarmëria serbe.

LDK-ja u bën thirrje institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për lirimin e dy policëve të rrëmbyer dhe kthimin e tyre në Kosovë.
“LDK-ja konsideron se aktet e tilla janë tërësisht të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë normalizimit të marrëdhënieve dhe fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve”, thuhet në një komunikatë për shtyp. “LDK-ja fton bashkësinë ndërkombëtare, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjitha vendet e botës demokratike, që t’i bëjnë trysni Beogradit zyrtar për ndaljen e provokimeve të tilla të rënda ndaj Kosovës”.