KFOR-i heton vendin e arrestimit të policëve

Një komision ushtarak i KFOR-it ka dalë në vendin ku të shtunën janë arrestuar dy policët kufitarë të Kosovës nga ana e xhandarmërisë së Serbisë, për të vërtetuar dhe hetuar rastin.

Pas arrestimit të policëve Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic, kishte deklaruar se këta dy policë kishin shkelur zonën e gjelbër, me çka, sipas tij, ata edhe kishin shkelur marrëveshjen ushtarako - teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe.
Derisa KFOR-i po i analizon rrethanat dhe më pas pritet të dalë edhe me një rezultat në lidhje me arrestimin e dy policëve kosovarë, autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të besojnë se policët ishin kidnapuar brenda territorit të Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se është në kontakt me autoritetet ndërkombëtare, sidomos me EULEX-in, për të ushtruar ndikimin që policët, ndaj të cilëve është shpallur ndalesa prej 48 orësh në burgun e Kurshumlisë, të lirohen dhe të kthehen në shtëpi.
“Kemi kërkuar, përmes mekanizmave ndërkombëtarë që i kemi në dispozicion, përmes EULEX-it, e po ashtu edhe përmes Përfaqësuesit Special të BE-së, Samuel Zbogar, t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e presionit ndaj Serbisë që të lirohen policët e kidnapuar. Gjithashtu, i jemi drejtuar me shkresa Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera që të bëjnë një presion maksimal për lirimin e policëve, të cilët pa asnjë arsye janë kidnapuar në territorin e Kosovës”, thotë Rexhepi për Rel
Edhe misioni për sundim të ligjit i Bashkimit Evropian – EULEX, thotë se po i hulumton rrethanat dhe lokacionin e ndodhisë. EULEX-i shpreh habinë me këtë veprim pas frymës pozitive dhe arritjes së marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit gjatë dialogut Kosovë - Serbi.
Ministri Rexhepi shpreh bindjen e tij se hetimet që po i bëjnë autoritetet ndërkombëtare, do të rezultojnë me vërtetimin e dëshmive të palës kosovare se policët janë arrestuar brenda territorit të Kosovës.

“Ata (policët) dihet se janë në mbajtje për 48 orë dhe të shohim se çfarë rezultatesh do të sjellin presionet ndërkombëtare. Sot një komision i KFOR-it ka dalë dhe është duke e hetuar vendin ku ka ndodhur kidnapimi dhe, sipas të gjitha gjasave, do të dalë një raport se ai ka ndodhur në territorin e Kosovës”, sqaron Rexhepi.