Qeveria reagon me deklarata bajate

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) shpreh indinjatën e vet të thellë me rastin e kindapimit të dy policëve të Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës.

“Ky veprim armiqësor i Qeverisë së Serbisë vjen si pasojë e nënshtrimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, e cila në vend se të ndërmarrë veprime konkrete për zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së integritetit dhe sovranitetit të vendit, del me deklarata të çuditshme dhe bajate, gjoja për Serbinë evropiane dhe se gjoja Serbia e paska pranuar Pavarësinë e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të AAK-së, sipas së cilës pozita inferiore dhe nënshtruese e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka lejuar që vendit tonë t’i vritet polici, t’i kidnapohet polici dhe, mbi të gjitha, të përdhoset uniforma e shtetit të Kosovës.
“AAK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos bëjë analizë politike por të ndërmarrë veprime praktike dhe të drejtpërdrejta në mbrojtje të shtetit dhe dinjitet të tij. AAK kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të rishikojë pozicionin e shtetit serb në proceset integruese, duke qenë dëshmitarë se politika e vjetër e Beogradit nuk ka ndryshuar”.