Shteti i së drejtës nuk mund të ndërtohet me institucione, mbi përfaqësuesit e të cilëve rëndojnë akuzat për përfshirje në korrupsion, krim të organizuar dhe veprime të tjera ilegale, thonë përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohësit e integrimeve evropiane në Prishtinë.
Ata theksojnë rëndësinë për reforma të thella që do të krijonin një ndarje reale të pushteteve me një gjyqësor të paanshëm e të pavarur nga politika.
Eksperti për integrime evropiane, Shenoll Muharremi, thotë se parakusht për avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, është përmirësimi i problemeve të brendshme.
“Ne, nëse s’kemi një shtet funksional, atëherë nuk trajtohemi dhe nuk kemi kredibilitet si aktorë ndërkombëtarë, e as nuk mund të marrim pjesë e t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thotë Muharremi për Radio Evropa e Lirë.
Avni Zogiani, nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, thotë se është i nevojshëm krijimi i një plani “të konservuar” nga çfarëdo ndikimi politik. Ai e quajti të pakuptimtë krijimin e task-forcave apo këshillave të ndryshëm që janë formuar deri më tani për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Rëndësia që Kosova të zbatojë reforma në shumë segmente shtetërore ishte theksuar vazhdimisht edhe nga Bashkimi Evropian, mekanizëm në të cilin vendi synon të anëtarësohet në të ardhmen.
Muharremi thotë se reformat evropiane duhet të shfrytëzohen si model për të përmirësuar funksionimin e brendshëm të shtetit.
Në kuadër të përpjekjeve për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë, Bashkimi Evropian kishte angazhuar, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, një mision me detyrë monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e institucioneve kosovare në Polici, Dogana e Gjyqësi. Por, as prania ndërkombëtare, sipas Zogianit, nuk ka arritur ta përmbush obligimin e saj.
“Fatkeqësisht, nuk kanë ndihmuar ndërkombëtarët... Intervenimet e tyre kanë qenë tërësisht periferike, kryesisht janë përkufizuar në krijimin e ambienteve fizike të mira për gjyqtarët e prokurorët”, vlerëson Zogiani.
Kosova ka disa vjet që e ka shpallur “prioritet” luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Megjithëkëtë, kritikat që flasin për mungesë të angazhimit dhe rezultateve në këtë drejtim vazhdojnë të jenë në qendër të raporteve që organizatat dhe mekanizmat e ndryshëm vendorë e ndërkombëtare publikojnë për vendin.