Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni ka premtuar se imazhe sikurse të ditës së djeshme, të kidnapimit të policëve, nuk do të ndodhin më dhe qytetarët nuk do t’i shohin. Ai ka thënë se "Policia e Kosovës do t’i përgjigjet me të gjitha mjetet në dispozicion ndonjë përpjekje të tillë, sikurse të shtunën”.
“Policët nuk janë keqtrajtuar dhe Policia e Kosovës do të vazhdojë që t’i kryejë detyrat e saj konform obligimeve ligjore dhe kushtetuese edhe në kufirin me Serbinë", ka thënë Maxhuni për RTK-në.
Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë, KFOR-i dhe EULEX-i kanë vendosur komunikim me autoritetet serbe dhe policët shpejt do të lirohen.
Tashmë një komision ushtarak i KFOR-it ka dalë në vendngjarje për të analizuar rrethanat e kidnapimit të policëve.