Kryeziu: Vonë foli Delli

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk i ka komentuar të shtunën në Prizren konstatimet e ambasadorit amerikan, Christopher Dell, se spektri politik dhe shoqëror i Kosovës është i zhytur në korrupsion. Për dallim prej tij, ka qenë kryetari i degës dhe eksponenti i njohur i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ai i cili i është kundërvënë deklaratave të ambasadorit Dell.

"Unë e dëgjova me kënaqësi të madhe atë farë vështrimi realist por dhe apokaliptik të ambasadorit Dell, dje, kur tha se Kosovën e ka përfshirë korrupsioni”, ka thënë Kryeziu, transmeton Koha Ditore. “Personalisht do të isha shumë më i kënaqur që këto gjëra ambasadori Dell, për të cilin kam respekt të veçantë, t'i kishte thënë në fillim të mandatit të tij".
Ai ka pranuar se sundimi i ligjit në rrethanat nëpër të cilat ka kaluar Kosova nuk ka qenë prioriteti kryesor, porse sipas tij ky nuk ka qenë përcaktim as i Kosovës e as i LDK-së.
"Kosovës, ta kemi të qartë, i është imponuar stabiliteti përpara sundimit të ligjit. Kjo nuk ka qenë zgjedhja e Kosovës, për nevojat natyrore që i ka një popull, e aq më pak ka qenë zgjedhja e LDK-së", ka deklaruar Kryeziu.