Bregu: Serbia duhet të shkëputet nga e kaluara

Ministrja e integrimit e Shqipërisë, Majlinda Bregu tha se është e rëndësishme që Serbia të kuptojë se në rrugën drejt BE-së duhet të braktis mentalitetet e vjetra nacionaliste. “Nuk flitet për të patur kthim dhe as do të ketë kthim ndonjëherë të shtetit të Kosovës”, ka thënë Bregu në intervistë për Radio Kosovën.

Lidhur me mos zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun që po zhvillohet në Bruksel, Bregu tha se është Kosova ajo që e pëson.
“Më shumë se sa kushtet që do të vendosë Bashkimi Evropian, besoj se kjo gjë duhet të jetë e qartë për autoritetet serbe në radhë të parë. Në qoftë se me të vërtetë perspektiva, në të cilën besojnë se është perspektiva e ardhmërisë së Serbisë duke pranuar edhe shtetin e ri të Kosovës (një realitet që tashmë nuk ka kthim), është një perspektivë, e cila orienton Serbinë drejt Bashkimit Evropian, kjo është perspektiva që Serbia duhet ta ndjekë, pavarësisht se sa të forta apo të zbutura mund të jenë herë pas here, gjuha, deklaratat apo kushtet e vendosura nga Brukseli”.
“Ky nuk është proces që po negociohet tashmë dhe nuk flitet për të patur kthim dhe as do të ketë kthim ndonjëherë të shtetit të Kosovës dhe as të pavarësisë së Kosovës. Pra, ajo që është e rëndësishme për Serbinë, është që Serbia të kuptojë që perspektiva e saj e qartë, rruga e saj drejt Bashkimin Evropian, është një rrugë që duhet të kalojë domosdoshmërisht dhe me shkëputje dhe largimin apo braktisjen e mentaliteteve të vjetra nacionaliste”, tha ajo.
Ndërsa e pyetur se çfarë problemi ka në krijimin e institucioneve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës për t’i dhënë më shumë shtysë dhe ndihmë procesit të integrimit sidomos të Kosovës, shteti të ri në Bashkimin Evropian, Bregu ka thënë se “institucionet e përbashkëta të Shqipërisë, të Kosovës dhe të vendeve të tjera që aspirojnë dhe të vendeve të tjera që janë sot në Bashkimin Evropian, janë në Bruksel”.