Rrëmbimin e policëve, aventurë provokuese

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi arrestimin e policëve kosovarë e ka cilësuar marketing politik të autoriteteve serbe, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në këtë vend. Bashkimi Demokratik për Integrim e ka cilësuar veprimin e policisë serbe si akt kriminal dhe në kundërshtim me trendet ndërkombëtare.

Ndaj arrestimit të dy policëve nga Kosova, nga ana e xhandarmërisë serbe, ka reaguar sot edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi. Në një deklaratë dhënë RTK-së, Thaçi e ka quajtur këtë veprim të autoriteteve serbe marketing politik në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në këtë vend.
Ai ka shtuar se pas zgjedhjeve të majit në Serbi, bashkësia ndërkombëtare do t’u tërheq vërejtjen autoriteteve serbe që mos të hidhen më në aventura të këtilla provokuese.
Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes zëdhënësit, Bujar Osmani, e ka cilësuar veprimin e policisë serbe si akt kriminal dhe në kundërshtim me trendet ndërkombëtare.
Partitë shqiptare në Maqedoni kërkojnë nga Beogradi zyrtar që të tërhiqet nga kjo politikë e gabuar antievropiane dhe t’i lirojë policët e arrestuar padrejtësisht.