Dialogu me Prishtinën do të udhëhiqet nga një nivel më i lartë shtetëror, ka thënë shefi i delegacionit serb në bisedime, Borislav Stefanovic. Ai ka thënë se dialogu teknik me Prishtinën ka dhënë rezultate konkrete, porse “tash në radhë janë çështjet politike, si veriu i Kosovës, mbrojtja e serbëve në jug të lumit Ibër, statusi i manastireve dhe kishave serbe dhe pronat”.
Në një konferencë shtypi në Qeverinë e Serbisë, Stefanovic e ka kritikuar ndërmjetësin e BE-së në bisedime, Robert Cooper, duke thënë se diplomati evropian interpreton disa marrëveshje “ashtu si i konvenon Prishtinës”, transmeton Rel.
Dy palët, në nëntë raunde negociatash, kanë arritur shtatë marrëveshje, por zbatimi i tyre thuhet të ketë ngecur.
Cooper sot po qëndron në Beograd, kurse nesër do të vizitojë Prishtinën.
Vazhdimi i dialogut pritet të ndodhë pas formimit të Qeverisë së re të Serbisë, e cila do të pasojë zgjedhjet parlamentare të 6 majit.