Rekord i ri i Talking Tom

Një nga aplikacionet më të popullarizuara për Android dhe iOS, Talking Tom, shënoi një rekord të ri, 100 milion shkarkime.
Aplikacioni prapa të cilit qëndron ekipi nga sllovenia Outfit 7 është lansuar në vitin 2010, e pasi që maçoku i lazdruar arriti sukses, arritën edhe versionet tjera të aplikacionit.
Kështu deri tani ekzistojnë edhe qeni, bateria, roboti ose gjirafa që do të përsërisin atë që ju thuani, e të gjithë ata së bashku janë shkarkuar mbi 300 milion herë.
Appolicious transmeton deklaratën e kompanisë, se Talking Friends tani janë në dispozicion në më se 120 vende të botës, e dhe se kjo është “zbavitja mobile me rritjen më të shpejtë”.
Se çfarë miq ekzistojnë, si dhe lidhjet deri tek aplikacionet e tyre për platformën e cila ju intereson mund ti gjeni në ueb faqen zyrtare.

Capital T bashkëpunim me Yll Limanin?

Reperi nga Prishtina, Capital T, besohet se do të rikthehet në skenë me një bashkëpunim dhe atë me yllin nga emisioni i talentëve të këndimit “The Voice of Albania”, Yll Limanin.
Kështu së paku mësojnë burimet e Telegrafit, me Ylli Limani që po kërkon shpërthimin në skenën e muzikës argëtuese shqiptare me bashkëpunimin e planifikuar me Capital T.
Megjithëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga ndonjë prej artistëve, bashkëpunimi sigurisht nëse realizohet pritet të jetë një prej atyre që kanë potencial për t’u bërë hit, ashtu sikurse janë projektet e kaluara të Capos, “U bo von”, “Ma e mira” dhe “Make a Wish”

Ne-Yo shpenzon 5.000 dollarë në striptiz

Reperi Ne-Yo, ka shpenzuar shuma të mëdha të hollash në një striptiz klub, përderisa e pranishme ishte edhe e dashura e tij.
Krijuesi i hitit “Just a Dream” besohet se ka shpenzuar 5 mijë dollarë në një klub striptizi në Atlanta të Georgias, duke lënë të shtangur të pranishmit. Ai i hodhi paratë pa ndonjë problem në drejtim të valltares seksi, e cila duket se argëtonte reperin.
Dhe, i pranishëm me të sipas TMZ ishte edhe e dashura e tij dhe nëna e vajzës së tij, Monyetta Shaw, një veprim që duket të ketë shkaktuar shumë polemika nëpër mediat amerikane. 

Higuain pranë Chelseat, vëllai fyen Mourinhon

Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain mund të jetë më pranë një kalimi te Chelsea, kjo falë vëllait të tij, që me anë të Twitterit, ka fyer rëndë trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho.
Lautaro Higuain ishte tepër i lumtur me spekulimet që thoshin se Jose Mourinho mund të largohet nga Real Madridi, aq i gëzuar sa që edhe nuk ka hezituar ta fyejë portugezin.
“Kjo është gjëja më e mirë që ka mundur të ndodhë, pasi ai është një bir i tmerrshëm bushtre dhe një foshnje që dh*het në vete kur e sheh Guardiolën, duke mos ditur si të luhet ndaj Barcelonës”, theksoi Lautaro në Twitter. 

De Gea: Nuk largohem, dua të tejkaloj Schmeichel

Njeriu i cili pasi u kritikua dhe u vlerësua si blerje e dështuar, e që më pas u bë hero ndaj Chelseat, David de Gea, ka thënë se për të nuk është opsion largimi nga Old Trafford, pasi dëshiron të ndjek gjurmët e Peter Schmeichel.
“Unë kam për synim të qëndroj shumë vite te Manchester United. Unë dua të bëhem portier i madh për Unitedin dhe një që meriton respekt. Unë dua të ndihmoj Unitedin të bëjë historinë”.
“Peter Schmeichel ishte legjendar dhe model për çdo portier”, ka thënë De Gea. 

Barcelona kërkon Thiago Silvan

Barcelona ka intensifikuar përpjekjet për të transferuar mbrojtësin e Milanit, Thiago Silva, i cili është që një kohë të gjatë në radarin e Blaugranëve.
Guardiola e ka bërë prioritet transferimin e një qendërmbrojtësi kalibër, me Silvan që ka impresionuar drejtorët e Barcelonës me paraqitjet e treguara ndaj Blaugranëve në Ligën e Kampionëve.
Marca shkruan se Thiago Silva është në krye të listës së shopingut të katalanasve dhe shuma e transferimit besohet se do të jetë mbi 30 milionë euro.

Kolni kontratë të re për Podolskin

Skuadra e Kolnit është e gatshme t’i ofrojë Lukas Podolskit një kontratë të re me vlerë prej pesë milionë eurosh në sezon, me qëllim që ta bindë sulmuesin që të qëndrojë.
Gjermanit 26-vjeçar i skadon kontrata në verën e vitit 2013, ndërsa është lidhur vazhdimisht me një kalim në Ligën Premier, me Arsenalin që prin në garën për ta transferuar atë.
Mirëpo, sipas Bild, Kolni do t’i ofrojë Podolskit rritje të pagës prej 1.7 milion euro dhe kontratë dyvjeçare me opsionin për ta vazhduar edhe për një vit.

Sneijder kthehet ndaj Novaras

Interi ka marrë lajme të mira nga stafi mjekësor, sipas të cilave, Wesley Sneijder pritet të kthehet në aksion këtë fundjavë kundër Novaras.
Mesfushori ofensiv u lëndua në takimin ndaj Palermos, ndërsa nuk luajti në humbjen prej 4-0 ndaj Romës.
Megjithatë, të mërkurën holandezi është kthyer në stërvitje, ku është angazhuar plot 90 minuta, ashtu që pritet të jetë në formacion të dielën ndaj Novaras në Giuseppe Meazza.

Juve do të kërkojë 444 milionë euro dëmshpërblim

Juventusi pritet të bëjë një padi ndaj Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), nga e cila do të kërkojë kompensim prej 444 milionë eurosh për dëmet që ia shkaktoi skandali Calciopoli.
Në vitin 2006, Zonjës së Vjetër iu morën dy tituj të Serie A dhe u dërgua një edicion në Serie B, ndërsa drejtori i përgjithshëm, Luciano Moggi, së fundmi u dënua me pesë vjet e katër muaj burg.
Mirëpo, të dhënat më të reja nga Gjykata e Napolit kanë treguar se Juve u dënua pa prova dhe se gjyqi ishte i shpejtë dhe tendencioz, ndërkohë që për sezonin 2004/2005 është i pafajshëm. Po ashtu, ka paqartësi edhe sa i përket Scudettos së vitit 2006 që iu dha në tavolinë Interit.
Nga këto të dhëna, Bianconerët kanë marrë zemër, dhe sipas La Stampa, ata do të kërkojnë dëmshpërblim për të gjitha të këqijat që ua shkaktoi Calciopoli, ku janë vënë në dyshim si të përfshirë në komplot edhe prokurorët dhe gjyqtarët që e dënuan asokohe. 

Villa shpreson të luajë në Euro 2012

Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, është optimist për shanset e tij për t’u rikthyer në fushë para fundit të sezonit, pasi rikuperimi i këmbës së thyer shkon sipas orarit të paraparë.
“Isha në klinikë të premten e kaluar për të hequr dy helika nga këmba ime. Gjithçka shkoi në mënyrë të përkryer dhe shkova në shtëpi pa ndonjë problem të theksuar. Kjo është një hap tjetër i rëndësishëm në rikuperimin tim”.
“Kur u lëndova, thash se qëllimi im është të arrij të luaj në Euro 2012 dhe të ndihmoj Barcelonën në fund të sezonit. Dhe po bëhem gjithnjë e më shumë optimist për këtë çdo ditë pasi kjo shkon shumë mirë”, ka thënë Villa.

Moratti kthehet kah Spalletti?

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, raportohet se ka kthyer në agjendën e tij ish-trajnerin e Romës, Luciano Spalletti.
Disfata e Interit nga Roma e ka lënë Morattin të zemëruar dhe ai tash po bëhet gati për një pastrim të madh në skuadër.
Trajneri i Zenit St Petersburg, Spalletti, është sërish në planet e Morattit, i cili është i vetëdijshëm se rusët nuk po arrijnë të sigurojnë kontratë të re me italianin. 

Maxi Lopez i gatshëm ta zëvendësojë Ibran

Nënshkrimi më i ri i Milanit, Maxi Lopez, është i gatshëm të dalë në fushë për të dëshmuar vlerat e tij.
Agjenti i Maxi Lopez thotë se sulmuesi është i gatshëm të mbulojë zbrazëtirën e lënë nga Milani pas largimit të Zlatan Ibrahimovic.
“Nëse Maxi ftohet nga Allegri atëherë ai do të japë më të mirën nga vetja. Ai është një lojtar fizik, ka një talent të madh, edhe teknik edhe fizik dhe pa dyshim se do të japë kontribut për të ndërtuar korridoret e lojës, dhe përtej kësaj”, ka thënë Andrea D’Amico për Tuttomercatoweb.com.

Rekomandimet për ligjin e ri të bankave

Në vazhdën e punës për shqyrtimin dhe amendamentimin e Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare, Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, ka mbajtur dëgjim publik, në të cilin ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të bankave, organizatave joqeveritare dhe ekspertë të tjerë, të cilët dhanë vërejtjet dhe ofruan rekomandimet e tyre për këtë projektligj.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se zhvillimi i sistemit bankar gjatë dhjetë viteve të fundit në Kosovë dhe ndryshimet në praktikën e mbikëqyrjes bankare, kanë rritur kërkesën për nxjerrjen e ligjit të ri për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet e tjera financiare jo bankare. “Ligji përmirëson standardet e qeverisjes së bankave. Dispozitat e tij i japin autoritet Bankës Qendrore të ndërmarrë masa përmirësuese si dhe të vendosë gjoba administrative për shkelje të ndryshme të ligjit, me qëllim të forcimit të stabilitetit financiar në vend”, tha ministri Hamza.
Sa i përket institucioneve mikrofinanciare, ai tha se ligji përcakton një strukturë të përcaktuar qartë të pronësisë dhe njëkohësisht eliminon paqartësitë ekzistuese të institucioneve mikrofinanciare dhe atyre jo bankare. “Në përgjithësi, ky ligj ka për qëllim ndërtimin e një infrastrukture moderne ligjore për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e bankave, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jo bankare, duke siguruar objektivin e saj kryesor për avancimin e një sistemi bankar e financiar si dhe sigurimin e një niveli të përshtatshëm mbrojtës të interesave të depozitorëve”, u shpreh ministri Hamza.
Kryetarja e komisionit Safete Hadërgjonaj, tha se fusha të cilën ai e mbulon, deri tani nuk ka qenë e rregulluar me ligj. Ajo tha se sistemi bankar i Kosovës dhe veprimtaria e institucioneve mikrofinanciare, kanë qenë të rregulluara me rregullore të UNMIK-ut, ndërsa institucionet jo bankare, me rregulla të Bankës Qendrore.
“Meqenëse ky projektligj rregullon një sferë të rëndësishme që reflekton në sigurimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit të sektorit financiar, Komisioni për Buxhet dhe Financa e ka parë të arsyeshme të organizojë këtë dëgjim publik, që t’iu mundësohet të gjithë të interesuarve të ofrojnë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre, në mënyrë që komisioni ta ketë mundësinë të bëjë ndryshim-plotësimet e nevojshme në projektligj, që kjo fushë të rregullohet sa më mirë, ndërsa ligji të jetë sa më i zbatueshëm në praktikë”, theksoi Hadërgjonaj.
Ajo tha se me këtë projektligj përmirësohen standardet e qeverisjes së bankave, krijohet mundësia për një mbikëqyrje më të mirë të institucioneve bankare, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jo bankare, si dhe është përcaktuar mënyra e licencimit, gjë që, sipas saj, e ngrit nivelin e sigurisë e të stabilitetit financiar në vend dhe siguron një nivel më të përshtatshëm të mbrojtjes së depozitave. “Meqenëse ky projektligj ka bërë avancimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonomin tonë, i është përafruar direktivave të BE-së dhe standardeve ndërkombëtare, komisioni e ka mirëpritur atë dhe është i angazhuar të shqyrtojë kujdesshëm çdo vërejtje dhe rekomandim të deputetëve në seancën plenare, si dhe do të analizojë të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e juaja në këtë dëgjim publik”, u shpreh kryetarja Hadërgjonaj.
Guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri, përmendi një varg risish që projektligji sjell në këtë fushë, ndërsa theksoi se risia kryesore ka të bëjë me forcimin e kritereve të qeverisjes, si nevojë aktuale për bankat dhe institucionet financiare në Kosovë.
Anëtarët e tjerë të Bordit të BQK-së, Mejdi Bektashi e Sejdi Rexhepi, ekspertët, përfaqësuesit e bankave, të institucioneve të tjera e të shoqërisë civile, i bënë një elaborim të detajuar projektligjit, dhanë vërejtje dhe sugjerime për rregullimin pjesëve të caktuara të tij. Duke e cilësuar si ligj shumë të domosdoshëm për vendin, diskutuesit zhvilluan një debat të gjerë duke potencuar mangësitë e projektligjit dhe duke mëtuar të japin zgjidhjet adekuate për përmirësimin e tij. 

Qeveria ndan 1 milion euro për promovimin e Kosovës në CNN

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka miratuar një sërë propozim-vendime, midis të cilëve edhe atë për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 1 milion euro për promovimin e Kosovës tek investitorët e huaj, në Agjencinë e lajmeve CNN.
Propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 1 milion eurove për realizimin e marrëveshjes në mes të MTI-së dhe Agjencisë së lajmeve CNN, e cila ka për qëllim promovimin e potencialeve të vendit tonë para investitorëve të huaj, është miratuar me shumicë votash.
Për këtë ka dhënë arsyetimin ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se kjo kampanjë do të filloj më 17 shkurt në katër vjetorin e pavarësisë së Kosovës. “Viteve të fundit, Kosova ka ndërmarrë një numër të kampanjave promovuese. Pa marrë parasysh, këto kanë rezultuar me nevojën për vazhdimin e promovimit qoftë në nivelin politik, qoftë në atë të investimeve. Do të ketë për qëllim promovimin e potencialeve investive të Kosovës. Kjo kampanjë do të fillojë më 17 shkurt në katër vjetorin e pavarësisë. Lidhur me këtë janë bërë edhe koordinimet e nevojshme me Ministrin e Financave”, ka thënë Kusari-Lila.
Nga ana tjetër, ministri i financave, Bedri Hamza ka thënë se mjetet që nevojiten për financimin e këtij projekti do të sigurohen nga rezerva e Qeverisë dhe një pjesë e tyre nga MTI.
Nga ana tjetër ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci ka ofruar sqarime rreth raportit të Komisioni Evropian, i cili ka nxjerrë tokën e Kosovës si tokë të helmuar. Sipas tij, këtu nuk ka asnjë lloj paniku, duke shtuar se prodhimet e vendit janë cilësore, të sigurta dhe të shëndetshme.
Ndryshe, në rend të ditës, është miratuar edhe propozim-vendimi për fillimin e përgatitjeve për shpronësimin e patundshmërive të nevojshme për projektin e Brezovicës.
Po ashtu, është miratuar propozim-vendimi për emërimin e dy anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare të Pronës. Bëhet fjalë për Ejup Krasniqin dhe Smajl Osdautajn.

Serbia të heq dorë nga destabilizimi i rajonit!

Ministri i Punëve të Jashtëm, Enver Hoxhaj, duke folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, në mbledhjen për Kosovën, i ka bërë thirrje Serbisë të heq dorë nga dhuna dhe veprimet destabilizuese në Kosovë dhe rajon. Ministri Hoxhaj i ka informuar anëtarët e këtij këshilli për progresin e arritur në Kosovë, si dhe për perspektivën e marrëdhënieve komplekse me Serbinë, dialogut teknik dhe të ardhmen evropiane.
“Mendoj se nuk mund të flasim për një Evropë të tërë, të lirë, demokratike dhe në paqe pa zgjidhur çështjet e mbetura në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Kosovës integrimi i plotë i rajonit në institucionet euro-atlantike është mënyra më e mirë për të siguruar paqe afatgjate dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka theksuar ministri Hoxhaj.
Duke folur për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ministri Hoxhaj ka thënë se Serbia ka dështuar të bëjë progres të mjaftueshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Kosovën dhe si rezultat i situatës së bllokuar dhe të tensionuar që është krijuar në komunat veriore të Kosovës nga strukturat qeveritare të Serbisë.
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për situatën e tanishme në pjesën veriore të Kosovës dhe moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. “Së pari, në lidhje me veriun e Kosovës, Serbia ka dështuar t’i mbajë obligimet sipas konkluzioneve të dhjetorit të Këshillit Evropian. Situata në terren veçanërisht në veri të Kosovës mbetet e tensionuar si rezultat i bllokadave të rrugës që janë ngritur nga ekstremistët serbë dhe strukturat shtetërore të Serbisë që paguhen nga Beogradi. Prej korrikut të vitit të kaluar, liria e lëvizjes e qytetarëve dhe mallrave në pjesën veriore të Kosovës u mohohet qytetarëve të Kosovës”.
“Në kundërshtim me rezolutën 1244, Serbia ende mban struktura të sigurisë dhe gjyqësisë përfshirë qindra policë, anëtarë të xhandarmërisë dhe policisë sekrete në veriun e Kosovës. Për më tepër, dy aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, KFOR-i dhe veçanërisht EULEX-i, misione të autorizuara nga Këshilli i Sigurimit, nuk janë në gjendje të kryejnë mandatin për arsye të bllokadave”, ka theksuar Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka thënë se sundimi i ligjit nuk është e i negociueshëm dhe duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. “Së dyti, Serbia ka dështuar të përmbushë obligimet prej të gjitha marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Bruksel. Pavarësisht zbatimit të pjesshëm të marrëveshjeve të lirisë së lëvizjes dhe tregtisë së lirë, të gjitha marrëveshjet tjera si kthimi i regjistrit civil dhe librave kadastralë, njohja e dyanshme e diplomave shkollore dhe universitare dhe integrimit të menaxhuar të kufirit nuk janë zbatuar aspak. Në çështjet e telekomit, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal, Serbia ka dështuar të pajtohet me propozimet që kanë ardhur nga Kosova dhe Bashkimi Evropian”, ka thënë ministri Hoxhaj.
Duke folur për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit, ministri Hoxhaj ka thënë se paqja dhe stabiliteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe prosperiteti i tërë rajonit do të varet nga vendimet që do të merren shpejt në Bruksel nga Këshilli Evropian. Ai ka thënë se Serbia nuk mund të shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërbërjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për paralajmërimin e strukturave ilegale shtetërore të Serbisë të cilat po synojnë organizimin e referendumit në komunat veriore të Kosovës.
“Këtë vit, kur zgjedhjet do të organizohen në Serbi, Beogradi po synon t’i organizojë ato brenda territorit të Republikës së Kosovës gjithashtu. Kjo përbën shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 dhe sovranitetit tonë shtetëror. Këto ngjarje të mundshme mund të paraqesin një zhvillim shumë të dëmshëm për stabilitetin përbrenda Kosovës dhe mund të vendosin tërë arkitekturën e sigurisë rajonale në pikëpyetje”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj duke i bërë thirrje Serbisë të përmbahet nga dhuna, veprimet destabilizuese dhe retorikës provokative.

MPJ: LDK me gjuhë si në kohën e komunizmit

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për reagimin e pakuptimtë dhe të pasaktë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj lëvizjeve interne kadrovike të MPJ.Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për reagimin e pakuptimtë dhe të pasaktë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj lëvizjeve interne kadrovike të MPJ.
“Përkujtojmë subjektin partiak që Ministria e Punëve të Jashtme ka trashëguar një gjendje shumë të rëndë kadrovike, logjistike dhe administrative nga koha e operimit të kësaj ministrie nën ish-Ministrin që vinte nga radhët e LDK-së. Fletërrufeja e kësaj partie e dërguar sot mediave ka injoruar faktet më bazike krahasuese të punës më parë dhe tani. Gjuha sulmuese e përdorur nga ky subjekt politik po ashtu ngjanë tentativave për diferencime politike nga kohërat moniste”, thuhet në reagimin e MPJ-së.
“MPJ nuk ka përjashtuar asnjë nëpunës të vetëm nga asnjë pozitë e vetme në MPJ, duke dashur të ruajë kohezionin dhe kontinuitetin në punë. Përkundrazi, kemi filluar për së pari herë në histori të MPJ-së, një program shumë të gjerë trajnimesh diverse për ta përmirësuar kualitetin e punës së stafit, edhe atë me ndihmën e institucioneve më kredibile akademike ndërkombëtare”.
“LDK-ja harron krejtësisht se gjatë mandatit ka sjell në pozita kyçe diplomatike, përfshi edhe në ekipin e mbrojtjes në rastin e GJND-së, edhe persona që nuk kanë pasur as njohje më bazike të gjuhës angleze. LDK-ja harron se gjatë mandatit të vet e ka lënë shumicën e stafit të MPJ-së që për tre vite të punojnë në kushte jonjerëzore dhe të rrezikshme për shëndet, në bodrume pa dritë dielli. LDK-ja harron se gjatë mandatit të vet nuk ka punuar fare në ngritje të kapaciteteve dhe trajnime të reja apo në edukim të vazhdueshëm. LDK-ja po ashtu harron në qindra ankesa të qytetarëve tanë në mbarë botë që janë ballafaquar drejtpërdrejtë me punën e ngadalshme dhe interaksionin shpesh frustrues për shtetas me Ministrin dhe ish-kabinetin e tij”.
MPJ-ja, përkatësisht Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, vlerëson se ka obligim ligjor dhe profesional, që në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, analizës zyrtare të performances së punës, procedurave ligjore të verifikimit të ankesave dhe vendimeve të Komisionit disiplinor, të propozoj dhe implementoj ndryshime brenda organogramit të aprovuar të stafit senior, që qëllim të vetëm ka funksionalizimin e vonuar të MPJ-së në fushat kritike operative. “Emërimet dhe ndryshimet kadrovike janë kudo në botë mjetet më themelore të përmirësimit të performancës dhe subjekti politik i LDK-së do të duhej të marr mësim për mënyrën e menaxhimit modern të diplomacisë konform nevojave të shtetit dhe kujdesit për stafin”

Serbia po e humb kot kohën me Kosovën

Katër pikëshi i presidentit serb, Boris Tadic, edhe njëherë është përmendur nga kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se ky plan dhe çfarëdo plani që propozon Serbia është i papranueshëm për autoritetet e Kosovës. Madje, ai i ka propozuar Serbisë që të mos humbas kohë me çështjen e Kosovës, pasi koha e saj për të vendosur për Kosovën “tashmë ka përfunduar”.
“E kaluara jonë me Serbinë është e paharrueshme, në kuptimin negativ. Janë të paharrueshme edhe planet që ka pasur Serbia për një shekull të tërë”, ka thënë Thaçi në mbledhjen e qeverisë, transmeton “Kosovapress”.
“Serbia në shekullin e kaluar ka përpiluar me qindra plane për Kosovën, të cilat kanë pasur vetëm një qëllim: pushimin e Kosovës dhe largimin e shqiptarëve nga Kosova”.
I pari i qeverisë, ka thënë se koha kur Serbia ka bërë plane për Kosovën ka përfunduar dhe se ajo nuk do të kthehet më kurrë.
“Është fundi i kohës të merremi me çdo deklarimi të zyrtarëve të Beogradit”. 

Insistojnë në referendum

Referendumi, me të cilin serbët e këtyre komunave do të deklarohen nëse i pranojnë ose jo institucionet e Kosovës, do të mbahet në datat e paralajmëruara, thonë përfaqësuesit e serbëve të veriut të vendit.
Slavko Stevanovic, drejtues i të ashtuquajturit Kuvend i Komunës së Leposaviqit, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se referendumi do të mbahet në mesin e këtij muaji.
“Përgatitjet janë duke u zhvilluar normalisht dhe referendumi do të mbahet më 15 shkurt në Leposaviq, ndërkaq, në komunat tjera më 14 shkurt. Mendojmë se kjo nuk i dëmton fare interesat e shtetërore të Serbisë”, thotë Stevanovic.
Por, Beogradi zyrtar kundërshton organizimin dhe mbajtjen e referendumit të serbëve të veriut, duke e quajtur atë të panevojshëm. Megjithatë, mediat serbe citojnë ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, të ketë thënë se Qeveria serbe nuk është duke bërë fushatë kundër organizatorëve të referendumit.
Përfaqësuesi i serbëve të Zveçanit, Dragisa Milovic, thekson se autoritetet e Beogradit nuk ua kanë shtruar serbëve të veriut asnjë argument të arsyeshëm pse nuk duhet të mbahet referendumi.
Ai shton se përfaqësuesit e serbëve të veriut tashmë u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë që ta vëzhgojnë mbajtjen e referendumit.
Në anën tjetër, politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkovic, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, thekson se Beogradi zyrtar nuk e ka sqaruar kundërshtimin e tij lidhur me referendumin e paralajmëruar nga serbët e veriut.
“Përveç asaj që mund të dëgjohet nga Goran Bogdanovici, unë vërtet nuk kam dëgjuar kundërshtim të argumentuar qartë ndaj këtij aksioni që nënkupton referendumin”, thekson Trajkovic. 

Vetëvendosje: Kamishi, profesor analfabet

Profesor analfabet e ka quajtur Lëvizja Vetëvendosje, Bekim Haxhiun e PDK-së, duke shtuar se mund të paraqes çfarëdo, por që të gjitha, sipas kësaj lëvizjeje, janë shpifje.
“Këto shpifje na bëjnë më të fortë. Kur kjo qeveri nuk ka argumente për ato se çka pyesim ne, siç është takimi i Thaçit me Tadicin, atëherë ata shpifin. Kështu tentohet të zhvendoset vëmendja nga problemet reale që i ka Kosova dhe të krijohet mjegull tek qytetarët”, ka thënë Shpend Ahmeti, njofton KTV.
Ai ka shtuar se kjo është përgjigje nga agjentë të grupit parlamentar të PDK-së, për ata që mendojnë ndryshe, para kompromiseve tjera të Qeverisë Thaçi me Serbinë.
“Këto janë simptoma se ky shtet është i kapur nga mafia dhe agjentura ilegale”, ka theksuar Glauk Konjufca. 

Rexhepi takon zëvendëssekretaren amerikane të Mbrojtjes

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, priti sot në takim një delegacion nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kryesuar nga Zëvendëssekretarja e Mbrojtjes, Celeste A. Wallender.
Në këtë takim u diskutua situata e sigurisë në vend dhe thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë.
Rexhepi, pasi i shpalosi prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e informoi bashkëbiseduesen për sfidat aktuale, me fokus në pjesën veriore të vendit.
Wallender vlerësoi progresin e arritur në konsolidimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në ngritjen e kapaciteteve dhe performancës së Policisë së Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për nevojën e rishikimit të sektorit të sigurisë në vend, në përputhje me situatën aktuale, përgjegjësitë e Institucioneve të Republikës së Kosovës dhe agjendën e pajtuar për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga ky proces.

VV: Planet e errëta për veriun

Ndërhyrja e 25 korrikut e Qeverisë, në veri të Kosovës, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, e ka pasur vetëm një rezultat – barrikadimin e veriut.
“Qëllimi do të duhej të ishte shtënia nën kontroll e veriut, arrestimi i strukturave kriminale të Beogradit si dhe shpërbërja e tyre”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes, sipas së cilës problematizimi i veriut në negociata do të thotë legjitimimi i Serbisë si palë vendimmarrëse në integritetin territorial të Kosovës.
“Përveç që nuk bën të negociohet me Serbinë për veriun dhe as për një problem të brendshëm të Republikës sonë, rreziku bëhet edhe më i madh kur kihet parasysh se kush do të na përfaqësojë. Një njeri i cili bashkë me shumë vartës të tij është pjesë e dhjetëra dosjeve për korrupsion dhe krime tjera, nuk të sjell gjë tjetër veçse koncesione e kompromise”.
Sipas Vetëvendosjes, Plani Ahtisaari mund të shërbej për plane më të errëta.
“Në negociatat e ardhshme që do të mund të ndodhin, do të negociohet mes Planit të Ahtisaarit dhe 4 Pikëshit të Tadiqit. Dhe, mesi mund të jetë diçka me keq se Plani i Ahtisaarit”, thuhet në kumtesë.

Nga ngricat, 100 pacientë në ditë

Mospastrimi i trotuareve nga bora dhe akulli, është bërë shkak që 246 qytetarë të kërkojnë ndihmë mjekësore vetëm gjatë vikendit.
Këtë e thotë për “Radion Evropa e Lirë”, Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit të qendrës emergjente në Qendrën Klinike Universitare.
“Brenda vikendit, 246 raste kanë kërkuar ndihmë. Disa nga ta tashmë janë në kirurgji, e të tjerë në orientuar në klinikën e ortopedisë, për shkak të thyerjeve që i kanë si pasojë e rrugëve të papastruara”, shprehet ai.
Në klinikën e ortopedisë, për shkak të kushteve të rënda atmosferike, është rritur në mënyrë drastike numri i të operuarve, i të pranuarve në klinikë dhe i vizitave në ambulanca specialistike.
“Rreth 100 pacientë në ditë vizitohen dhe gati gjysma kanë fraktura të kockave të thyera, por edhe të kurrizit.... Përafërsisht i kemi 25 operacione në javë, për shkak të thyerjeve”, bën të ditur Faton Morina, ushtrues detyre i klinikës së ortopedisë.
Lenjani thotë se për shkak të numrit të madh të pacientëve, janë mobilizuar me ekipe shëndetësor, me barna e material shpenzues.

OneNote për Android

Pas iOS-it, në versionet për iPhone dhe iPad, OneNote i Microsoftit arriti edhe në Android. Aplikacioni i dedikohet marrjes së shënimeve të cilat mund të ndahen me të tjerët.
Shënimet sinkronizohen me shërbimin “në re” të Microsoftit SkyDrive, ndërsa ato mund të qasen edhe përmes shfletuesit të Internetit ose aplikacioneve klient në kompjuter ose pajisjet portative. Ndërfaqja e aplikacionit për Android ofron mundësinë e formatimit elementar të tekstit, qasjen e shpejtë tek shënimet e fundit, dhe mundësinë e qasjes së shpejtë tek kamera për vendosjen e fotografisë tek shënimet.
Aplikacioni mund të shkarkohet pa pagesë nga Android Market, e në versionin pa pagesë mund të krijohen deri në 500 shënime. Për pesë dollarë Microsoft ofron numër të pakufishëm të shënimeve. 

Miranda e kënaqur me këngë “Qiraxhiu

Ka disa ditë që këngëtarja e njohur Miranda Hashani ka lansuar në treg këngën “Qiraxhiu” me tekst dhe muzikë të Avni Qahilit. Sipas Mirandës kënga është mirëpritur si nga publiku ashtu edhe nga kritikët e këngës.
“Jam e kënaqur që kënga ‘Qiraxhiu’ po pëlqehet në publik, uroj që suksesi i saj të vazhdojë edhe më tutje”, ka thënë ajo për “Zërin”.
Kjo këngë është lansuar bashkë me videoklip, të përgatitur nga produksioni “EMF Creative”, me të cilët Miranda thotë se është ndarë mjaft e kënaqur.

Kastro Zizo së shpejti do të bëhet me vajzë

Këngëtari Kastro Zizo ka njoftuar se fëmija i tij i dytë, të cilin e pret me të fejuarën e tij Erleta Hoti, do të jetë vajzë.
“Do të bëhem me vajzë, me princeshën e jetës sime. Në fakt do të bëhem me dy princesha”, ka thënë Kastro, i cili është në lidhje me me prezantuesen Erleta Hoti për më se një vit.
Kastro po ashtu ka premtuar se së shpejti do të vijë me projekte të reja muzikore.

Benitez: Pep më i mirë se Mou dhe Fergie

Ish-trajneri i Liverpoolit, Rafael Benitez, e vlerëso trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola, mbi Jose Mourinhon dhe Sir Alex Ferguson.
“Është vështirë, por për të mos e shmangur pyetjen them se gjithmonë më ka pëlqyer mënyra më e veçantë e interpretimit të futbollit, që është Pep Guardiola”.
“Mendoj se fuqia e tij më e madhe ka qenë njohuria se si t’i japë vazhdimësi projektit të tij. Stabiliteti nuk është aq i komplikuar sa ndryshimet”, ka thënë Benitez. 

Van der Sar: United do ta mbrojë titullin

Legjenda e Manchester United, Edwin van der Sar, është i bindur se Djajtë e Kuq do të dalin të jenë shumë të fuqishëm për Manchester Cityn.
“Mendoj se United ka kaluar një muaj të fundit të fuqishëm dhe konkurrues. I shoh kualitetet që i ka United dhe taktikat e Ferguson mund të funksionojnë”.
“Shpresoj se këto mund të jenë të mjaftueshme për edhe një titull tjetër”, ka thënë Van der Sar. 

Arsenali të transferojë Sturridge?

Arsenali është duke u përgatitur për një transferim befasues të anësorit të Chelseat, Daniel Sturridge.
Daily Mail shkruan se Chelsea mund të përballet me një sfidë për të mbajtur Sturridge pasi Arsenali ka bërë hapa të theksuar drejt një transferimi të tij gjatë verës.
Sturridge, 22-vjeçar, është shënuesi më i mirë i Bluve këtë sezon me 10 gola, por burime të afërta me lojtarin thonë se ai nuk është i kënaqur me rolin e anësorit të djathtë nën drejtimin e trajnerit Andre Villas-Boas.
Sturridge po ashtu dëshiron një kontratë të përmirësuar, por Chelsea nuk është i gatshëm pasi lojtari ka ende dy vite e gjysmë të mbetura me kontratën e tij aktuale.

Guardiola: Pa dyshim se duam ta fitojmë Kupën

Trajneri i Barcelonës, Pep Guaridola, thotë se nuk ka dyshime se lojtarët e tij janë të motivuar në prag të ndeshjes së sotme të Kupës përballë Valencias.
Sfida, e cila sonte do të vazhdojë në Camp Nou, është e ekuilibruar pas barazimit 1-1 javën e kaluar në Mestalla.
“E di se ne kemi fituar shumë tituj, por këta lojtarë dëshirojnë të arrijnë edhe në një finale. Finalja e Kupës është një prej më të bukurave”, ka thënë Guardiola.

Air France anulon 40 % të fluturimeve

Për shkak të grevës së pilotëve, e cila tashmë ka hyrë në ditën e tretë, Air France, njëra nga kompanitë më të mëdha ajrore në botë, ka anuluar rreth 40 për qind të fluturimeve të gjata dhe rreth 30 për qind të fluturimeve të shkurtra.
Zyrtarë të Kompanisë ka thënë se, të martën, pothuajse çdo i dyti fluturim është anuluar, duke detyruar pasagjerët të përdorin fluturime alternative.
Pilotët po protestojnë kundër draft-ligjit, i cili parasheh që punëtorët e transportit ajror të japin njoftimin 48 orë para se të futen në grevë.

Komunat dekurajojnë investitorët me tokaKorniza ligjore për menaxhimin e Tokës dhe Pronës Komunale në Kosovë nuk është në shërbim të tërheqjes së investitorëve, është thënë në një konferencë të organizuar nga USAID-i të mërkurën në Prishtinë. Shtetet e rajonit kanë politika më të favorshme për tërheqjen e investimeve në pronën komunale, është thënë gjatë prezantimit të një studimi, nga Olga Kaganova, eksperte ndërkombëtare për menaxhimin e tokës. “Në Kosovë janë shumë çështje me rëndësi që duhet të rregullohen. Njëra ndër to është korniza ligjore në harmoni me vendet e rajonit, sepse në të gjitha shtetet fqinje investitorët mund të blejnë pronën komunale pa problem”, theksoi Kaganova. Kurse në Kosovë, sipas saj, kjo nuk mund të ndodhë, sepse qeveritë lokale si ofrues tokash japin të drejta vetëm deri në 40 vjet, kundrejt të drejtave 99 vjeçare që u jepen blerësve të ndërmarrjeve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, tha se kjo çështje në Kosovë është komplekse, dhe se duhet të rregullohen disa çështje ligjore në mënyrë që edhe pronat komunale të jenë tërheqëse për investitorët potencialë.

Korniza ligjore për menaxhimin e Tokës dhe Pronës Komunale në Kosovë nuk është në shërbim të tërheqjes së investitorëve, është thënë në një konferencë të organizuar nga USAID-i të mërkurën në Prishtinë.
Shtetet e rajonit kanë politika më të favorshme për tërheqjen e investimeve në pronën komunale, është thënë gjatë prezantimit të një studimi, nga Olga Kaganova, eksperte ndërkombëtare për menaxhimin e tokës. “Në Kosovë janë shumë çështje me rëndësi që duhet të rregullohen. Njëra ndër to është korniza ligjore në harmoni me vendet e rajonit, sepse në të gjitha shtetet fqinje investitorët mund të blejnë pronën komunale pa problem”, theksoi Kaganova.
Kurse në Kosovë, sipas saj, kjo nuk mund të ndodhë, sepse qeveritë lokale si ofrues tokash japin të drejta vetëm deri në 40 vjet, kundrejt të drejtave 99 vjeçare që u jepen blerësve të ndërmarrjeve shoqërore nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, tha se kjo çështje në Kosovë është komplekse, dhe se duhet të rregullohen disa çështje ligjore në mënyrë që edhe pronat komunale të jenë tërheqëse për investitorët potencialë.

Zmbrapset Kamishi?

Tërhiqet dhe ndërron taktikë Bekim Haxhiu – Kamishi i PDK-së. “Faktet” që ka për Albin Kurtin e afërt me serbët, thotë se ia ka vënë në dispozicion një tjetër njeriu të Vetëvendosjes, kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-t, Florin Krasniqi.
“Desha t’ju njoftoj se të gjitha faktet e disponuara për zotin Kurtin unë ia kam dorëzuar kryetarit të Komisionit, Florin Krasniqi, në mënyrë zyrtare të protokolluar. Besoj që kur t’vjen zoti Krasniqi do t’i ketë në dispozicion. Ai le t’i shqyrtojë me AKI-në, sepse ai ka qenë në zyre dhe i ka takuar, ne jo. Ia kemi lënë Krasniqit të vendosë për faktet për Kurtin”, ka thënë Haxhiu në një mbledhje të Komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, raporton "Indeksonline".
Për të thënë të njëjtat gjëra, Haxhiu ka paralajmëruar një konferencë për nesër në ora 12:00, pasi që skadon ultimatumi i tij. 

LB: Standarde të njëjta për veriun dhe për Luginën

Në një deklaratë për media, Lëvizja për Bashkim thekson se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha subjektet politike shqiptare duhet të mos heshtin përballë situatës në veri, por të jenë aktivë dhe ta ofrojmë alternativën tonë rreth kësaj çështjeje që ka mbetur e hapur.
“Në radhë të parë, Qeveria e Kosovës duhet t’ia bëjë të qartë edhe faktorit ndërkombëtar, edhe serbëve e Serbisë, se çfarëdo zgjidhjeje që parashihet të merret në konsideratë për veriun e Kosovës, një krijesë e tillë nuk mund ta përfshijë veriun e qytetit të Mitrovicës dhe fshatrat shqiptare përreth. Dhe, së dyti, e njëjta zgjidhje duhet të vlejë edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën”, thuhet në komunikatë.
“Po u pranua si fakt i kryer ndryshimi i strukturës etnike me anë të spastrimit etnik në veriun e Mitrovicës dhe po nuk u ofruan të drejta për popullatën shqiptare të Kosovës Lindore, në po atë masë sa për serbët e veriut të Kosovës, situata mund të shpërthejë”. 

LDK: PDK-ja rrënon strukturën e MPJ-së

Pas veprimeve joligjore për të ndërruar ambasadorët dhe pas punësimit të militantëve të PDK-së pa asnjë procedurë të rregullt dhe në kundërshtim me ligjin, struktura e PDK-së, e ndihmuar nga shërbimet e saj të instaluara në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e ka degraduar strukturën e njerëzve që kanë ndihmuar në ndërtimin dhe funksionalizimin e MPJ-së, thuhet në një komunikatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas LDK-së, problemet kanë filluar me largimin t Sekretarit të Përgjithshëm, Fitim Gllareva, “në vendin e të cilit kryeministri ka dërguar një njëri të vetin, pa asnjë formim dhe pa asnjë përvojë në këtë fushë, z. Nagip Skënderi”.
LDK thotë se “nëpërmjet tij dhe ‘vlerësimeve’ të komisioneve ndëshkuese që ka ngritur ky person, ditëve të fundit janë degraduar nga pozicionet”, katër udhëheqës të lartë të strukturës së MPJ-së: Elmaze Pireva, Jetmira Bërdynaj, Eqrem Haziri dhe Sami Halili.
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga kryeministri dhe nga PDK-ja “që të heqin dorë nga veprimet e tilla të papërgjegjshme e delikuente”, dhe që institucionet “të lihen të qeta që të kryejnë punën e tyre”.
“Shërbimi i jashtëm nuk guxon të politizohet, ashtu siç po vepron PDK-ja, Hoxhaj dhe të tjerët që ka dërguar aty kryeministri. Politika e jashtme është një interes jetik kombëtar dhe jo interes i partive dhe i strukturave e grupeve joformale të interesit”, thuhet në kumtesë.

KIPRED: Jo planit të Tadicit

Njoftimi i Grupit Ndërkombëtar Drejtues se procesi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës mund të përfundoj kah fundi i viti 2012, vuri në pah nevojën e zgjidhjes të riintegrimit të veriut të Kosovës me pjesën tjetër të shtetit.
KIPRED publikoi analizën politike “Vizioni Gjithëpërfshirës për Veriun: Mundësia e Fundit”, sipas të cilit çdo vonesë e riintegrimit të veriut të Kosovës do ta rrisë potencialin për konflikt brenda Kosovës.
Në këtë analizë theksohet mungesa e një plani serioz nga institucionet Kosovës si dhe mospërmbushja e mandatit të prezencës ndërkombëtare, gjegjësisht KFOR-it dhe EULEX-it, në shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri. Një shpërfillje e tillë e pjesës veriore të Kosovës ka bërë që ajo pjesë të kontrollohet nga ekstremistët serb, të lidhur ngushtë me partitë më të mëdha të Serbisë, dhe me krimin e organizuar.
Raporti shpalosë detajet e 4 pikave të Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, të cilat po marrin përkrahje ndërkombëtare, përderisa institucionet e Kosovës mbesin pa ide për një zgjedhje të duhur.
Ajo çfarë për KIPRED tërheq vërejtjen, është pika ku propozohet “status special”, përmes të cilit “Serbia dëshiron të përfitoj status dhe të drejta të shtuara të serbëve”, në komuna të veriut të Kosovës ku janë shumicë.
“Krijimi i një rajoni të tillë, të ngjashëm me Republikën Serbe të Bosnje e Hercegovinës, do ta shndërronte Kosovën në një shtet jofunksional, do të tensiononte marrëdhëniet ndëretnike në jug të Ibrit, dhe do të destabilizonte tërë rajonin”, thuhet në raport.
KIPRED propozon një plan të panegociueshëm, i cili duhet të bazohet vetëm në dispozitat e Planit të Ahtisarit. Ky plan duhet të zbatohet në dy faza.
“Në fazën e parë (emergjente), që do të zgjaste 3 muaj, propozohet që: (1) BE ta kushtëzoj Serbinë të vendosë para 9 marsit që nuk do t’i mbaj zgjedhjet lokale në veri; (2) themelimin e Këshillave Tranzitor Komunal për 4 komunat e veriut; (3) zbatimin e sundimit të ligjit duke ndërmarrë hapa konkretë; (4) Zbatimin e plotë të marrëveshjes ‘IBM’, tabelave të regjistrimit dhe marrëveshjen për lëvizjen e lirë; (5) Krijimin e ‘Fondit Special Zhvillimor’ në 5 komunat në veri (Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Zubinpotok, Zveçan, Leposaviq), i cili edhe do të shërbej si model për rajonet tjera të pazhvilluara në Kosovë”.
Në fazën e dytë (akomodimi) që do të zgjaste 1 vit, KIPRED propozon: funksionalizimin e plotë të Ekipit Përgatitor Komunal të Mitrovicës së Veriut; organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në komunat e veriut që do të njiheshin nga Beogradi me kushtëzimin e BE-së; operacionalizimin e rrjedhës transparente të fondeve pas përfshirjes në bashkëpunim kufitar të komunave; fillimin e zbatimit të pakos për zhvillim ekonomik për veri të Kosovës, që do të përfshinte gjithashtu edhe komunën e Mitrovicës së Jugut; si dhe krijimin e hapësirës për investime speciale i cili po ashtu do të shërbente si model për rajonet tjera të pazhvilluara të Kosovës. 

Krasniqi: Nuk merremi me kamisha e llulla

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk e ka ndërmend që t’iu përgjigjet akuzave të deputetit të Partisë së kryeministrit Hashim Thaçi, Bekim Haxhiu, i njohur si ”Kamishi”, i cili ka thënë se Kurti duhet të japë sqarime për të kaluarën e tij të dyshimtë dhe lidhjet me serbët.
Edhe pse 8 shkurti është caktuar si afat i fundit që Kurti të përgjigjet në pyetjet e shtruara nga ish-agjenti i SHIK-ut, Bekim Haxhiu, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë as sot në ditën e fundit, raporton “Zëri”.
Albin Kurti asnjëherë nuk e ka parë të arsyeshme që të deklarohet për media dhe të japë sqarime lidhur me akuzat e “Kamishit”, porse reagime për këtë çështje kanë ardhur vetëm nga deputetë të partisë së tij, dhe një komunikate të lëshuar për media.
Florin Krasniqi i Vetëvendosjes, i cili njihet edhe për fjalorin e tij të ashpër për kryeministrin Hashim Thaçi dhe PDK-në, ka thënë se subjekti i tij politik nuk dëshiron të merret me spekulimet, siç ka deklaruar ai, të Kamishit.
“Nuk mund të merremi me rrenat e kamishave e të llullave. Nuk kemi kohë për këso gjërash, sepse nëse Vetëvendosja merret me deklarimet e deputetëve të PDK-së, atëherë ata do ta spekulojnë për diçka tjetër”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq, Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”, ka bërë të qartë se nëse Kurti deri më 8 shkurt në orën 24:00 nuk përgjigjet në pyetjet e tija, atëherë më 9 shkurt do të dal publikisht me të gjitha faktet që posedon për të kaluarën e dyshimtë të Kurtit dhe lidhjet e këtij të fundit me një grua serbe.
“E ka për obligim moral ndaj opinionit që t’i përgjigjet pyetjeve se pse është takuar me serbët në Klinë në vitin 2004? Të tregojë se kush janë ata serbë me të cilët është takuar, a janë kosovarë apo të Serbisë dhe pse ka qenë i mbuluar me batanije kur është takuar me ta? E dyta ka të bëjë me gruan serbe me të cilën është takuar vazhdimisht në Pogradec, si dhe është parë edhe në Prishtinë? E treta, duhet të tregojë se çka përmban letra të cilën e ka marrë më 28 shtator të 2011-ës nga vajza e ministrit të Millosheviqit”, janë pyetjet e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, në adresë të kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Lakrat e ngrira bllokuan autostradën

Tollovi e madhe trafiku u krijua të martën në një autostradë afër Frankfurtit në Gjermani, pasi një sasi e madhe e lakrave ra nga një kamion dhe kokat e lakrave u ngrinë në rrugë, duke krijuar pengesa akulli, njoftoi policia gjermane.
Kamioni me disa qindra pako lakrash goditi një makinë tjetër jo fort larg Freidbergut, ndërsa ngarkesa u shpërnda nëpër rrugë.
Për shkak të temperaturave të ulëta, lakrat u ngrinë pothuajse menjëherë dhe krijuan pengesa të pakalueshme dhe pengesa në trafik. U krijua një kolonë e gjatë dhjetë kilometra.
Autostrada u mbyll plotësisht për disa orë, derisa lakrat u hoqën nga rruga.

Humb bastin, zhvishet në të ftohtë (Video)

Udhëheqësja e bukur televizive, Maria Menounos, për shkak të humbjes së bastit është dashur që ta drejtojë një pjesë të shout të Super Bowlit vetëm me bikini.
Maria ishte e bindur se ekipi i saj i preferuar, New England Patriots, do të fitonte përballë New York Giants, ashtu që kishte vënë bast me kolegun e saj, A. J. Calloway.
Ndërsa basti ka qenë se nëse ekipi i saj nuk fiton, atëherë ajo do ta drejtonte shoun me bikini. Dhe pikërisht kështu ndodhi. Giants fituan me rezultat 21-17, ndërsa asaj iu desh ta përmbushë premtimin.
“I urrej bastet. Nuk do ta bëj më asnjëherë një gjë të tillë”, ka thënë Maria teksa po qëndronte në Times Square e veshur vetëm me bikini. 

Mundësi për realizim të idesë

Pas organizimit të Prishtina Startup Weekend, në dhjetor të vitit 2011 të cilën e ka mbështetur edhe telegrafi.com, Innovation Centre Kosovo, mbështetur nga Ministria e Punëvetë Jashtme e Norvegjisë, së fundi ka publikuar online edhe thirrjen e hapur për ide, ku mund të aplikojnë ata të cilët kanë një ide me bazë teknologjike ose një biznes në hapat fillestar, dhe që dëshirojnë ta zhvillojnë mëtej.
Në bazë të njoftimit të publikuar në ueb faqen përkatëse www.ickosovo.com, thuhet se ata që kanë ide me bazë teknologjike dhe ata që kanë një biznes të fushës së teknologjisë informative mund të aplikojnë për të hyrë në dimensionet e zhvillimit, ku përfshihen: rrjeti për konsulencë, trajnimet profeisonale, sinergjia ndërmarrëse, hapësira të lira dhe të kapshme për punë, mundësia për qasje në resurse të ndryshme, etj.
Safet Rama, Menaxher i Inkubatorit për biznese pranë Innovation Centre Kosovo, shprehet për telegrafi.com se thirrja e hapurqë është lansuar që pothuajse dy javë është një mundësi shumë e mire që përfundimisht ata që po synojnë të hapin biznesin e tyre të kenë ku të orientohen. “Një incubator për biznese, është mundësi shumë e mire për të gjithë ata që janë duke kërkuar ekspertizën, hapësirat e punës dhe trajnimet e nevjoshme për të kthyer idenë e tyre në realitet” shprehet ai.
Me fjalë të tjera nga kjo nënkuptohet se bizneset startuese apo siç po quhen startups, do të kenë mundësitë shfrytëzojnë zyre për një afat të caktuar kohor, e gjatë tërë kësaj në mes tjerash të përfitojnë edhe shërbime konsulence, trajnime adekuate për të avancuar atë pjesë të stafit që duhet profesionalizuar, si dhe qasje në një rrjet të gjerë për mundësi të depërtimit edhe në tregun ndërkombëtar.
Afati i fundit për dorëzim të aplikimieve që duhet të plotësohen online në ueb faqen e Innovation Centre Kosovo, është data 24 shkurt 2012.

Kush pi pak ujë, rrezikohet nga diabeti!v

Studiues francezë në fushën e mjekësisë kanë shpjeguar se ata që pinë pak ujë, kanë 28 për qind rrezik më të madh nga zhvillimi i sëmundjes së sheqerit.
Dehidrimi është i lidhur ngushtë me sëmundjen e diabetit të“sheqerit”. Ky është përfundimi më i fundit i studiuesve në fushën e mjekësisë të cilët shpjegojnë se niveli i rritur i hormoneve vasopresin shkakton ruajtjen e ujit në trup dhe është shkaktar i sheqerit të tepërt në gjak.
Kështu që duke folur me shifra ata që pinë shumë pak ujë kanë 28 për qind rrezik më të madh nga zhvillimi i sëmundjes së sheqerit. Sipas studimit 9 vjeçar të institutit francez INSERM, jep të dhëna se “Hormoni vasopresin është ndoshta hallka që na mungon për të kuptuar raportin e sheqerit në gjak dhe ujit në organizëm. Ai hormon antidiuretik na ndihmon në rregullimin e mbajtjes së ujit në trup. Nëse jemi të dehidruar, niveli i vasopresinës rritet dhe veshkat ruajnë ujin. Kështu që niveli i rritur i vasopresinës është indikator për sëmundjen e sheqerit”
Edhe pse shkencëtarët kanë vërtetuar që ekziston lidhja në mes pirjes së ujit dhe sheqerit të ngritur, nuk kanë zbuluar se cila është marrëdhënia shkak-pasojë e sëmundjes së sheqertit dhe e pirjes së ujit.
“Kemi llogaritur edhe peshën e të anketuarve, shprehitë e tyre jetësore, pirjen e duhanit dhe alkoolit, por lidhja e pirjes së ujit dhe e diabetit ka mbetur konstante”, ka thënë autorja e studimit, Lise Bankir

Me cilat femra meshkujt nuk dëshirojnë lidhje

Nëse femra nuk është natyrale, i pëlqen të kritikojë dhe nuk i do miqtë e tij- atëherë nuk është material i dëshiruar për lidhje.
Shumë femra shpesh janë pyetur pse nuk mund të krijojnë një lidhje kualitative me një mashkull. Deri më tani në këtë pyetje janë përgjigjur vetëm ekspertët, ndërsa tani meshkujt kanë vendosur të përgjigjen, duke zbuluar disa fshehtësi që shumë femrave mund t’ua ndryshojnë qasjen në raport me lidhjet e dashurisë dhe mund t’i mësojnë se ku po gabojnë.
Duan të kritikojnë
Rreth gjysma e meshkujve të anketuar kanë deklaruar se nuk e dëshirojnë pranë vetes një femër e cila kritikon vazhdimisht.
E duan nënën më shumë në botë
Rreth 30 për qind e të anketuarve janë kundër një lidhjeje me një femër, e cila nënën e vet e vë gjithmonë në rend të parë.
Gjithmonë të rregullta
Meshkujt nuk duan lidhje me femrat të cilat janë tepër të rregullta dhe këtë e presin edhe nga partneri. Kështu kanë deklaruar së paku 20 për qind e të anketuarve.
Nuk i do miqtë e tij
Për meshkujt, miqtë e tyre janë shumë të rëndësishëm, prandaj nëse femra nuk i do ata, atëherë bëhet problem- kanë deklaruar më shumë se 20 për qind e pjesëmarrësve në studim.
Të gjithë meshkujt i konsiderojnë njësoj
Qëndrimi për t’i gjeneralizuar gjërat nuk është veti e mirë për femrat- kanë thënë një nga pesë të anketuar.
Nuk janë natyrale
Thjeshtësia është shumë e rëndësishme për meshkujt. Kështu ka thënë çdo i treti nga 400 meshkujt e anketuar në këtë hulumtim.

Stine në pritje të femrës ideale

Kantautori Nesti Duka, që të gjithë e njohin si Stine, ka pohuar se për të, femra ideale është një femër e cila është vetvetja.
Stine ka rrëfyer se nuk është në lidhje dashurie, por është në pritje për të gjetur femrën e duhur.
“Jo, akoma nuk jam në lidhje. Jam në pritje. Femra perfekte? Do doja të ishte perfekte në versionin e saj. Të ishte vetvetja, të ishte ideale për mu”, ka shtuar Stine.
Stine së fundmi ka realizuar një këngë në bashkëpunim me Nogën me titull “Sa më pëlqen ti”, e cila pritet të shoqërohet me videoklip. 

Noizy dhe Eni Koçi me videoklip të ri për “Shën Valentin”

Nuk ka kaluar ende një vit nga bashkëpunimi i tyre i parë, dhe reperi shqiptar Noizy dhe këngëtarja Eni Koçi do të sjellin një tjetër këngë.
“Je gjithçka” titullohet kënga më e re e Noizyt dhe Eni Koçit, e cila do të shoqërohet edhe me një videoklip.
Videoklipi do të prezantohet për herë të parë në 14 shkurt, pikërisht në ditën e të dashuruarve.
Dyshja Noizy dhe Eni Koçi më parë kishin realizuar duetin me titull “So hot”.

Terry: Titulli është i paarritshëm

Kapiteni i Chelseat, John Terry, pranon se forma e Bluve këtë sezon nuk ka qenë mjaft e mirë.
Chelsea ka fituar vetëm dy nga nëntë ndeshjet e fundit në ligë, kundër Wolves dhe Sunderland, dhe Terry mendon se forma e tyre e fundit nuk ka qenë mjaft e mirë për t’i mbajtur ata në garën për titull.
“Ne kemi barazuar në dy ndeshje radhazi në udhëtim në ligë, kundër Norwich dhe Swansea”.
“Ne kuptuam se ata ishin ndeshje të vështira pasi të dyja ekipet ia dolën mirë, siç treguan kur ata erdhën në Stamford Bridge më herët gjatë këtij sezoni. Por që ne të luftojmë për titull, ka disa ndeshje të cilat duhet patjetër të fitohen”, ka thënë Terry.

Tare i pakënaqur me trajtimin nga mediat

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, u është kundërpërgjigjur mediave rreth kritikave drejtuar klubit nga kryeqyteti italian.
Tare ka marrë si shembull rivalin lokal, Romën, për të lartësuar politikat transferuese të Lazios.
“Fqinjët tanë kanë një projekt i cili nuk po dëshmohet të jetë fitues, por ata sërish lavdërohen në media. Në anën tjetër, klubi jonë po punon në mënyrë të qëndrueshme për të arritur objektivat dhe po e tregon vlerën me fakte, por ju sërish lexoni gjëra në gazeta të cilat na bëjnë neve të dukemi si një fushë tmerri”, ka thënë Tare. 

Keita në planet e Liverpoolit

Liverpooli raportohet se është duke bërë ofertë për mesfushorin e Barcelonës, Seydou Keita.
The Sun shkruan se Redsat dëshirojnë ta përforcojnë mesfushën dhe ia kanë vënë syrin yllit të Barcelonës.
32-vjeçari, i cili vlerësohet rreth 2 milionë funte, aktualisht është i angazhuar në Kupën e Kombeve të Afrikës me Malin, me të cilën është kualifikuar për në gjysmëfinale ku do të përballet me Bregun e Fildishtë.
Keita është jashtë favoritëve në Camp Nou dhe mendohet se do të kërkojë biseda me trajnerin Pep Guardiola për ta lejuar atë të largohet.

Allegri: Milani i gatshëm për Kupën

rajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, thotë se ata janë në formë të mirë në prag të ndeshjes së sotme ndaj Juventusit, në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë.
“Për momentin ne duhet të jemi të qetë dhe të fokusohemi çfarë të bëjmë në fushë, pa u shqetësuar se çfarë thuhet jashtë Milanellos”.
“Ky nuk është një moment krize. Ka pasur disa rezultate të këqija, por edhe Juventusi barazoi të dielën në shtëpi, andaj ne ende jemi në vijë”, ka thënë Allegri. 

Callejon i bindur se Mourinho do të qëndrojë

Jose Callejon është i bindur se Jose Mourinho do të qëndrojë me Realin e Madridit.
“Mendoj se Mourinho nuk do të largohet në fund të sezonit, pasi ai është i lumtur këtu. Ai sheh përpara për t’i punuar dhe për t’i bërë gjërat si duhet. E shoh atë të qetë dhe të etur të fitojë tituj”, ka thënë Callejon.
Ish-anësori i Espanyol u rikthye në Real Madridi këtë sezon pikërisht me kërkesë të Mourinhos.

Zola: Çdokush e do Barcelonën

Legjenda e Chelseat, Gianfranco Zola, ka vizituar fushën e juniorëve të Barcelonës këtë javë ku ka shprehur se është një tifoz i madh i Blaugranëve.
“Besoj në të njëjtën gjë në të cilën beson çdokush tjetër, ata luajnë një futboll spektakolar, shumë të bukur për t’u parë”.
“Shumica e tifozëve e admirojnë Barcelonën për shkak të futbollit të tyre fantastik dhe për llojin e lojtarëve që e kanë”, ka thënë Zola. 

Normalizohen fluturimet në ANP

Pas problemeve të cilat ishte përballur gjatë të martës, Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës “Adem Jashari” me anulim të fluturimeve sot gjendja është normalizuar dhe fluturimet janë duke u realizuar sipas planeve.
Zëdhënësi i Aeroportit, Altin Ahmeti, tha për Telegrafin, se gjendja është normalizuar.
Sipas tij, të gjitha fluturimet e parapara për sot janë duke u realizuar. “Sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë të parapara të realizohen 20 fluturime”, ka treguar Ahmeti.