Bizneset gati për hapjen e rrugëve nga bora

Duke qenë plotësisht në dijeni me gjendjen e krijuar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të bores, ngricave, bllokadave në rrugët magjistrale dhe lokale që kanë rezultuar me rrezik të lartë për lëvizjen e qytetarëve, bllokim të procesit mësimor dhe me pengesa të mëdha në lëvizjen e mallrave dhe funksionimin e bizneseve, Oda Ekonomike e Kosovës dhe anëtarët e saj shprehin gatishmërinë e plotë të përkrahin me të gjitha format dhe mjetet e mundshme të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe lokal në terë territorin e Kosovës, në gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjeve emergjente për përmirësim të gjendjes aktuale.

Ndërmarrjet anëtare të Odes Ekonomike të Kosovës, sidomos ato të sektorit të ndërtimtarisë që disponojnë mjete adekuate për largimin dhe bartjen e bores dhe akullit, janë të gatshme që vullnetarisht t`i ofrojnë këto mjete në dispozicion në funksion të autoriteteve kompetente deri në tejkalim të plotë të gjendjes aktuale dhe normalizim të rrethanave për lëvizje të sigurt të qytetareve, qasje të plotë në shërbimet esenciale dhe qarkullim të mallrave.
Ndërmarrjet anëtare të Odes Ekonomike të Kosovës dhe stafi i tyre vazhdimisht kanë dëshmuar që janë në gjendje që në çdo moment të kontribuojnë në procese të rëndësishme, mirëpo edhe në situate krize të çfarëdo lloj natyre. Kontributi ynë në tejkalimin e gjendjes aktuale të shkaktuar nga natyra kontribuon direkt në përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve për qytetaret e vendit si dhe krijimin e rrethanave të domosdoshme për funksionimin e ekonomisë së vendit.
Solidariteti i komunitetit të biznesit vendor është dëshmuar edhe në të kaluarën jo vetëm në aktivitete brenda Kosovës por edhe me gjerë e në veçanti në Shqipëri.
Është për tu respektuar një gatishmëri e tillë e komunitetit të biznesit vendor anëtare të Odes Ekonomike të Kosovës që dëshirojnë të kontribuojnë me zellin e tyre jo vetëm në krijimin e buxhetit të Kosovës, në krijimin e vendeve të reja të punës, në avancim të prodhimit dhe promovim të vlerave vendore, përmirësim të bilancit tregtar por të jenë në të njëjtën kohë edhe një shtyllë solidarizuese për të dalë në ndihmë aktualitetit të krijuar në Kosovë dhe për të evituar pasojat e motit të ligë që mund të kenë efekte negative në shumë sfera.