KIPRED: Jo planit të Tadicit

Njoftimi i Grupit Ndërkombëtar Drejtues se procesi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës mund të përfundoj kah fundi i viti 2012, vuri në pah nevojën e zgjidhjes të riintegrimit të veriut të Kosovës me pjesën tjetër të shtetit.
KIPRED publikoi analizën politike “Vizioni Gjithëpërfshirës për Veriun: Mundësia e Fundit”, sipas të cilit çdo vonesë e riintegrimit të veriut të Kosovës do ta rrisë potencialin për konflikt brenda Kosovës.
Në këtë analizë theksohet mungesa e një plani serioz nga institucionet Kosovës si dhe mospërmbushja e mandatit të prezencës ndërkombëtare, gjegjësisht KFOR-it dhe EULEX-it, në shtrirjen e rendit dhe ligjit në veri. Një shpërfillje e tillë e pjesës veriore të Kosovës ka bërë që ajo pjesë të kontrollohet nga ekstremistët serb, të lidhur ngushtë me partitë më të mëdha të Serbisë, dhe me krimin e organizuar.
Raporti shpalosë detajet e 4 pikave të Presidentit të Serbisë, Boris Tadic, të cilat po marrin përkrahje ndërkombëtare, përderisa institucionet e Kosovës mbesin pa ide për një zgjedhje të duhur.
Ajo çfarë për KIPRED tërheq vërejtjen, është pika ku propozohet “status special”, përmes të cilit “Serbia dëshiron të përfitoj status dhe të drejta të shtuara të serbëve”, në komuna të veriut të Kosovës ku janë shumicë.
“Krijimi i një rajoni të tillë, të ngjashëm me Republikën Serbe të Bosnje e Hercegovinës, do ta shndërronte Kosovën në një shtet jofunksional, do të tensiononte marrëdhëniet ndëretnike në jug të Ibrit, dhe do të destabilizonte tërë rajonin”, thuhet në raport.
KIPRED propozon një plan të panegociueshëm, i cili duhet të bazohet vetëm në dispozitat e Planit të Ahtisarit. Ky plan duhet të zbatohet në dy faza.
“Në fazën e parë (emergjente), që do të zgjaste 3 muaj, propozohet që: (1) BE ta kushtëzoj Serbinë të vendosë para 9 marsit që nuk do t’i mbaj zgjedhjet lokale në veri; (2) themelimin e Këshillave Tranzitor Komunal për 4 komunat e veriut; (3) zbatimin e sundimit të ligjit duke ndërmarrë hapa konkretë; (4) Zbatimin e plotë të marrëveshjes ‘IBM’, tabelave të regjistrimit dhe marrëveshjen për lëvizjen e lirë; (5) Krijimin e ‘Fondit Special Zhvillimor’ në 5 komunat në veri (Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Zubinpotok, Zveçan, Leposaviq), i cili edhe do të shërbej si model për rajonet tjera të pazhvilluara në Kosovë”.
Në fazën e dytë (akomodimi) që do të zgjaste 1 vit, KIPRED propozon: funksionalizimin e plotë të Ekipit Përgatitor Komunal të Mitrovicës së Veriut; organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në komunat e veriut që do të njiheshin nga Beogradi me kushtëzimin e BE-së; operacionalizimin e rrjedhës transparente të fondeve pas përfshirjes në bashkëpunim kufitar të komunave; fillimin e zbatimit të pakos për zhvillim ekonomik për veri të Kosovës, që do të përfshinte gjithashtu edhe komunën e Mitrovicës së Jugut; si dhe krijimin e hapësirës për investime speciale i cili po ashtu do të shërbente si model për rajonet tjera të pazhvilluara të Kosovës.