Rekomandimet për ligjin e ri të bankave

Në vazhdën e punës për shqyrtimin dhe amendamentimin e Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jo bankare, Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Safete Hadërgjonaj, ka mbajtur dëgjim publik, në të cilin ishin të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të bankave, organizatave joqeveritare dhe ekspertë të tjerë, të cilët dhanë vërejtjet dhe ofruan rekomandimet e tyre për këtë projektligj.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se zhvillimi i sistemit bankar gjatë dhjetë viteve të fundit në Kosovë dhe ndryshimet në praktikën e mbikëqyrjes bankare, kanë rritur kërkesën për nxjerrjen e ligjit të ri për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet e tjera financiare jo bankare. “Ligji përmirëson standardet e qeverisjes së bankave. Dispozitat e tij i japin autoritet Bankës Qendrore të ndërmarrë masa përmirësuese si dhe të vendosë gjoba administrative për shkelje të ndryshme të ligjit, me qëllim të forcimit të stabilitetit financiar në vend”, tha ministri Hamza.
Sa i përket institucioneve mikrofinanciare, ai tha se ligji përcakton një strukturë të përcaktuar qartë të pronësisë dhe njëkohësisht eliminon paqartësitë ekzistuese të institucioneve mikrofinanciare dhe atyre jo bankare. “Në përgjithësi, ky ligj ka për qëllim ndërtimin e një infrastrukture moderne ligjore për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e bankave, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jo bankare, duke siguruar objektivin e saj kryesor për avancimin e një sistemi bankar e financiar si dhe sigurimin e një niveli të përshtatshëm mbrojtës të interesave të depozitorëve”, u shpreh ministri Hamza.
Kryetarja e komisionit Safete Hadërgjonaj, tha se fusha të cilën ai e mbulon, deri tani nuk ka qenë e rregulluar me ligj. Ajo tha se sistemi bankar i Kosovës dhe veprimtaria e institucioneve mikrofinanciare, kanë qenë të rregulluara me rregullore të UNMIK-ut, ndërsa institucionet jo bankare, me rregulla të Bankës Qendrore.
“Meqenëse ky projektligj rregullon një sferë të rëndësishme që reflekton në sigurimin e qëndrueshmërisë dhe stabilitetit të sektorit financiar, Komisioni për Buxhet dhe Financa e ka parë të arsyeshme të organizojë këtë dëgjim publik, që t’iu mundësohet të gjithë të interesuarve të ofrojnë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre, në mënyrë që komisioni ta ketë mundësinë të bëjë ndryshim-plotësimet e nevojshme në projektligj, që kjo fushë të rregullohet sa më mirë, ndërsa ligji të jetë sa më i zbatueshëm në praktikë”, theksoi Hadërgjonaj.
Ajo tha se me këtë projektligj përmirësohen standardet e qeverisjes së bankave, krijohet mundësia për një mbikëqyrje më të mirë të institucioneve bankare, institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve financiare jo bankare, si dhe është përcaktuar mënyra e licencimit, gjë që, sipas saj, e ngrit nivelin e sigurisë e të stabilitetit financiar në vend dhe siguron një nivel më të përshtatshëm të mbrojtjes së depozitave. “Meqenëse ky projektligj ka bërë avancimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonomin tonë, i është përafruar direktivave të BE-së dhe standardeve ndërkombëtare, komisioni e ka mirëpritur atë dhe është i angazhuar të shqyrtojë kujdesshëm çdo vërejtje dhe rekomandim të deputetëve në seancën plenare, si dhe do të analizojë të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e juaja në këtë dëgjim publik”, u shpreh kryetarja Hadërgjonaj.
Guvernatori i BQK-së, Gani Gërguri, përmendi një varg risish që projektligji sjell në këtë fushë, ndërsa theksoi se risia kryesore ka të bëjë me forcimin e kritereve të qeverisjes, si nevojë aktuale për bankat dhe institucionet financiare në Kosovë.
Anëtarët e tjerë të Bordit të BQK-së, Mejdi Bektashi e Sejdi Rexhepi, ekspertët, përfaqësuesit e bankave, të institucioneve të tjera e të shoqërisë civile, i bënë një elaborim të detajuar projektligjit, dhanë vërejtje dhe sugjerime për rregullimin pjesëve të caktuara të tij. Duke e cilësuar si ligj shumë të domosdoshëm për vendin, diskutuesit zhvilluan një debat të gjerë duke potencuar mangësitë e projektligjit dhe duke mëtuar të japin zgjidhjet adekuate për përmirësimin e tij.