Ministri i Punëve të Jashtëm, Enver Hoxhaj, duke folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, në mbledhjen për Kosovën, i ka bërë thirrje Serbisë të heq dorë nga dhuna dhe veprimet destabilizuese në Kosovë dhe rajon. Ministri Hoxhaj i ka informuar anëtarët e këtij këshilli për progresin e arritur në Kosovë, si dhe për perspektivën e marrëdhënieve komplekse me Serbinë, dialogut teknik dhe të ardhmen evropiane.
“Mendoj se nuk mund të flasim për një Evropë të tërë, të lirë, demokratike dhe në paqe pa zgjidhur çështjet e mbetura në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Kosovës integrimi i plotë i rajonit në institucionet euro-atlantike është mënyra më e mirë për të siguruar paqe afatgjate dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë”, ka theksuar ministri Hoxhaj.
Duke folur për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ministri Hoxhaj ka thënë se Serbia ka dështuar të bëjë progres të mjaftueshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Kosovën dhe si rezultat i situatës së bllokuar dhe të tensionuar që është krijuar në komunat veriore të Kosovës nga strukturat qeveritare të Serbisë.
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për situatën e tanishme në pjesën veriore të Kosovës dhe moszbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. “Së pari, në lidhje me veriun e Kosovës, Serbia ka dështuar t’i mbajë obligimet sipas konkluzioneve të dhjetorit të Këshillit Evropian. Situata në terren veçanërisht në veri të Kosovës mbetet e tensionuar si rezultat i bllokadave të rrugës që janë ngritur nga ekstremistët serbë dhe strukturat shtetërore të Serbisë që paguhen nga Beogradi. Prej korrikut të vitit të kaluar, liria e lëvizjes e qytetarëve dhe mallrave në pjesën veriore të Kosovës u mohohet qytetarëve të Kosovës”.
“Në kundërshtim me rezolutën 1244, Serbia ende mban struktura të sigurisë dhe gjyqësisë përfshirë qindra policë, anëtarë të xhandarmërisë dhe policisë sekrete në veriun e Kosovës. Për më tepër, dy aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë, KFOR-i dhe veçanërisht EULEX-i, misione të autorizuara nga Këshilli i Sigurimit, nuk janë në gjendje të kryejnë mandatin për arsye të bllokadave”, ka theksuar Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj ka thënë se sundimi i ligjit nuk është e i negociueshëm dhe duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. “Së dyti, Serbia ka dështuar të përmbushë obligimet prej të gjitha marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Bruksel. Pavarësisht zbatimit të pjesshëm të marrëveshjeve të lirisë së lëvizjes dhe tregtisë së lirë, të gjitha marrëveshjet tjera si kthimi i regjistrit civil dhe librave kadastralë, njohja e dyanshme e diplomave shkollore dhe universitare dhe integrimit të menaxhuar të kufirit nuk janë zbatuar aspak. Në çështjet e telekomit, energjisë dhe bashkëpunimit rajonal, Serbia ka dështuar të pajtohet me propozimet që kanë ardhur nga Kosova dhe Bashkimi Evropian”, ka thënë ministri Hoxhaj.
Duke folur për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit, ministri Hoxhaj ka thënë se paqja dhe stabiliteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe prosperiteti i tërë rajonit do të varet nga vendimet që do të merren shpejt në Bruksel nga Këshilli Evropian. Ai ka thënë se Serbia nuk mund të shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërbërjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për paralajmërimin e strukturave ilegale shtetërore të Serbisë të cilat po synojnë organizimin e referendumit në komunat veriore të Kosovës.
“Këtë vit, kur zgjedhjet do të organizohen në Serbi, Beogradi po synon t’i organizojë ato brenda territorit të Republikës së Kosovës gjithashtu. Kjo përbën shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 dhe sovranitetit tonë shtetëror. Këto ngjarje të mundshme mund të paraqesin një zhvillim shumë të dëmshëm për stabilitetin përbrenda Kosovës dhe mund të vendosin tërë arkitekturën e sigurisë rajonale në pikëpyetje”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj duke i bërë thirrje Serbisë të përmbahet nga dhuna, veprimet destabilizuese dhe retorikës provokative.
“Këtë vit, kur zgjedhjet do të organizohen në Serbi, Beogradi po synon t’i organizojë ato brenda territorit të Republikës së Kosovës gjithashtu. Kjo përbën shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 dhe sovranitetit tonë shtetëror. Këto ngjarje të mundshme mund të paraqesin një zhvillim shumë të dëmshëm për stabilitetin përbrenda Kosovës dhe mund të vendosin tërë arkitekturën e sigurisë rajonale në pikëpyetje”, ka thënë ndër të tjera Hoxhaj duke i bërë thirrje Serbisë të përmbahet nga dhuna, veprimet destabilizuese dhe retorikës provokative.