Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, priti sot në takim një delegacion nga Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kryesuar nga Zëvendëssekretarja e Mbrojtjes, Celeste A. Wallender.
Në këtë takim u diskutua situata e sigurisë në vend dhe thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë.
Rexhepi, pasi i shpalosi prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e informoi bashkëbiseduesen për sfidat aktuale, me fokus në pjesën veriore të vendit.
Wallender vlerësoi progresin e arritur në konsolidimin e institucioneve të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në ngritjen e kapaciteteve dhe performancës së Policisë së Kosovës.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për nevojën e rishikimit të sektorit të sigurisë në vend, në përputhje me situatën aktuale, përgjegjësitë e Institucioneve të Republikës së Kosovës dhe agjendën e pajtuar për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga ky proces.