Të reshurat e mëdha të borës dhe ulja e temperaturave në Kosovë kanë shkaktuar vështirësi në komunikacion, anulime të fluturimeve, bllokim të rrugëve, si dhe probleme me furnizim me energji elektrike e ngrohje.
Shumë komuna tashmë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
Gjendja e tillë pritet të vazhdojë, i tha “Radio Kosovës”, Drejtori i Institutit Meteorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj.
Ai tha se sot moti do jetë me vranësira dhe temperatura të ulëta prej minus 17-18 gradë celsius, ndërkaq temperatura maksimale e ditës do të arrijë në minus 12 gradë.
Kjo gjendje sinoptike, sipas tij, do të vazhdojë deri të premten, kur pritet përkeqësim i motit me reshje bore.
Reshjet borës, sipas Tahirsylajt, do të jenë të vazhdueshme në fundjavë dhe fillim të javës së ardhshme.
Përveç telasheve të shumta që po sjell acari në Kosovë, ngricat pritet të shkaktojnë dëme edhe në sektorë të ndryshëm të bujqësisë.
Në këto situata, më i ndjeshëm është sektori i vreshtarisë, vlerësojnë ekspertë të bujqësisë.