Ndërhyrja e 25 korrikut e Qeverisë, në veri të Kosovës, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, e ka pasur vetëm një rezultat – barrikadimin e veriut.
“Qëllimi do të duhej të ishte shtënia nën kontroll e veriut, arrestimi i strukturave kriminale të Beogradit si dhe shpërbërja e tyre”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes, sipas së cilës problematizimi i veriut në negociata do të thotë legjitimimi i Serbisë si palë vendimmarrëse në integritetin territorial të Kosovës.
“Përveç që nuk bën të negociohet me Serbinë për veriun dhe as për një problem të brendshëm të Republikës sonë, rreziku bëhet edhe më i madh kur kihet parasysh se kush do të na përfaqësojë. Një njeri i cili bashkë me shumë vartës të tij është pjesë e dhjetëra dosjeve për korrupsion dhe krime tjera, nuk të sjell gjë tjetër veçse koncesione e kompromise”.
Sipas Vetëvendosjes, Plani Ahtisaari mund të shërbej për plane më të errëta.
“Në negociatat e ardhshme që do të mund të ndodhin, do të negociohet mes Planit të Ahtisaarit dhe 4 Pikëshit të Tadiqit. Dhe, mesi mund të jetë diçka me keq se Plani i Ahtisaarit”, thuhet në kumtesë.