Nga ngricat, 100 pacientë në ditë

Mospastrimi i trotuareve nga bora dhe akulli, është bërë shkak që 246 qytetarë të kërkojnë ndihmë mjekësore vetëm gjatë vikendit.

Këtë e thotë për “Radion Evropa e Lirë”, Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit të qendrës emergjente në Qendrën Klinike Universitare.
“Brenda vikendit, 246 raste kanë kërkuar ndihmë. Disa nga ta tashmë janë në kirurgji, e të tjerë në orientuar në klinikën e ortopedisë, për shkak të thyerjeve që i kanë si pasojë e rrugëve të papastruara”, shprehet ai.
Në klinikën e ortopedisë, për shkak të kushteve të rënda atmosferike, është rritur në mënyrë drastike numri i të operuarve, i të pranuarve në klinikë dhe i vizitave në ambulanca specialistike.
“Rreth 100 pacientë në ditë vizitohen dhe gati gjysma kanë fraktura të kockave të thyera, por edhe të kurrizit.... Përafërsisht i kemi 25 operacione në javë, për shkak të thyerjeve”, bën të ditur Faton Morina, ushtrues detyre i klinikës së ortopedisë.
Lenjani thotë se për shkak të numrit të madh të pacientëve, janë mobilizuar me ekipe shëndetësor, me barna e material shpenzues.