Instituti Onkologjik vazhdon të mbetet instituti më i “errët” i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Që nga periudha kur për këtë Institut kishte filluar të ndërtohet një objekt “modern”, deri tash janë evidencuar, ose të paktën janë raportuar një “mal” parregullsish dhe pafatsish për funksionim.
Përveç objektit, i cili është konsideruar se nuk i plotëson kushtet për një institut onkologjik, së fundi është raportuar edhe për sabotim aparaturash, blerje të aparaturave të vjetra në vlerë tre herë me shtrenjta se të rejat dhe për shantazh.
Dhe si pasojë e këtyre hetuesit e EULEX-it kanë filluar matjet e reja, të cilat do të tregojnë nëse objekti do të jetë në gjendje që të mos e përçojë radio-aktivitetin jashtë tij. Këtë hetim të EULEX-it për RTK-në e ka konfirmuar edhe ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.
“Tani është ngritur dyshimi që objekti si objekt a është i gatshëm që në situatë të një avarie, aksidenti më serioz a mund të përmbajë tërë radioaktivitetin që do të prodhohej në atë rast. Pra, a mos do të ketë rrëshqitje të themi ashtu ose dalje të rrezatimit jashtë objektit. Jemi në fazën e grumbullimit të dokumentacionit, natyrisht në përputhje me Prokurorinë e EULEX-it, nëse nuk ekziston ky dokumentacion, nuk jemi të interesuar të rrezikojmë shëndetin e popullatës”, tha Agani.
Ish-drejtori i diagnostikës, Xhavit Bicaj, ka kërkuar nga QKUK dhe MSH që sqarohen një varg parregullsish që kanë ndodhur gjatë dhënies së tenderëve për blerjen dhe mirëmbajtjen e aparaturave të vjetra të Onkologjisë.
Letra e Bicajt, të cilën e ka siguruar “Zëri”, flet për tenderimet e udhëhequra në QKUK, gjatë 2-3 vjetëve të fundit, lidhet me Radiologjinë dhe ndërtesën e Institutit Onkologjik.
Ai thotë se në kohën e ish-drejtori të QKUK-së, Ali Sadrisë, është lëshuar një tender prej 270 mijë eurove, për 2 CT të vjetra “Shimatzu”, ku në kuadër të këtij tenderi është dërguar në QKUK një CT njështresore dhe është servisuar një e vjetër nën emergjencë. E gjithë kjo punë, sipas Bicajt, po ta bënin institucionet private nuk do të kushtojë më shumë se 60-70 mijë euro.
“Në kohën e po të njëjtit drejtorë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, më 13.03.2011, ndahet një tjetër tender në vlerë prej rreth 830 mijë euro, i cili i jepet kompanisë ‘Medika’, kompani që në 95 për qind të rasteve i ka fituar tenderët e MSH-së, ku zonja e pronarit dr. Shqipja punon si zyrtare e lartë në këtë Ministri”, thuhet ndër tjerash në letrën e tij, dërguar, drejtorit të QKUK-së, sindikatave shëndetësore dhe komisionit disiplinor të QKUK-së.
Prej kësaj shume, mbi 400 mijë euro kanë qenë të dedikuara për aparatet e radioterapisë, aparate të cilat “deri më sot mrizojnë në ndërtesën e Institutit, që nga viti 2009”, sqaron Bicaj.
Kurse pjesa tjetër e mjeteve, sipas tij, janë destinuar për : CT-64, aparat i cili që nga marsi i vitit të kaluar deri më sot kryesisht nuk ka punuar; MRI-1.5 Tesla, aparat që ka qenë shumë shpesh në defekte; CT - 6 në emergjencë, po ashtu shpesh me defekte; Gama kamera, aparat që ka funksionuar mirë, por përkundër kësaj për të janë destinuar 40 mijë euro për servisim, që i bie 200 euro në ditë; si dhe CT në spitalet rajonale në Pejë, Prizren dhe Gjilan, për situatën e të cilave nuk dihet asgjë.
Bicaj jep edhe një të dhënë për tenderin e fundit dhënë për funksionalizimin e Institutit Onkologjik në QKUK, në vlerë prej afër 300 mijë euro, dhënë në tetor të vitit të kaluar kompanisë hungareze ‘Medcenter’, që sipas të dhënave të Odës ekonomike të Hungarisë, kjo kompani është organizatë joprofitabile, që sipas ligjeve në Kosovë, nuk ka drejtë të ofertojë.
Bicaj, përveç këtyre të dhënave ka bashkangjitur edhe kopjet e kontratave që i përmend që ka të bëjë me: aktin e firmosje së tenderit për funksionalizimin e Institutit Onkologjik, kontratën për mirëmbajtjen e aparaturës radiologjike në QKUK dhe spitalet rajonale dhe kopjen e nxjerr nga Oda Ekonomike e Hungarisë për kompaninë ‘Medcenter’.
Ndonëse tregohet se kjo letër ka mbërritur te drejtori i QKUK, Njazi Gashi, ky i fundit nuk ka pranuar të flasë për ‘Zëri-n’. Edhe zëdhënësja e tij, Mirlinda Çucalla nuk ka kthyer përgjigje për disa ditë.
I vetmi që ka dhënë mendim për këto informata është Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, i cili po ashtu ka pranuar letrën e Bicajt.
“Nëse janë të vërteta të gjitha këto që Bicaj i thotë, normalisht që çështja është shumë serioze dhe duhet dënuar”, tha Syla.
Sa i përket Institutit të Onkologjisë, Syla tha se prej fillimit kur ka nisur ndërtimi procedurat nuk kanë shkuar në rregull dhe keqpërdorimet kanë qenë të mëdha, e fatkeqësisht askush nuk është dënuar.