Lorik Bytyqi u gjet i vdekur në lumin e fshatit Dobrajë të Lipjanit. Vogëlushi pesë vjeç ishte duke i ndjekur disa pata kur ra në ujin e turbullt. Gjyshi i tij, Shefqeti thotë se fajin për këtë tragjedi, e kanë mbeturinat e hedhura që e kanë rritur nivelin e ujit. Ai ishte i fundit që e pa fëmijën para se të mbytej dhe këtë nuk do ta harrojë kurrë.
Gjyshi i Lorikut të vogël, Shefqeti, dhe anëtarët e tjerë të familjes, kurrë nuk do ta harrojnë këtë ditë të tmerrshme.
I pikëlluar dhe disi në faj nga ajo që ka ndodhur, gjysh Shefqeti ishte personi i fundit që e pa nipin e tij duke lozur, vetëm pak çaste para se ai të mbytej.
I pikëlluar shumë nga ajo që ndodhi, Shefqeti megjithatë gjen forcë të tregojë për Express momentin tragjik, në të cilën humbi jetën djali i djalit.
Ishte mëngjesi i së shtunës kur ky gjysh bashkë me njërin nga dy nipërit e tij, dolën para shtëpisë për të mbuluar gropat që i kishte shkaktuar bora.
“Isha duke i mbyllë disa gropa dhe vazhdimisht shikoja Lorikun, pasi ai gjatë gjithë kohës, po mundohej t’u afrohej disa patave që kishin ardhur pranë lumit”, thotë Shefqeti për Express, me lotët që nuk i ndalen.
Për një moment, ai thotë se e la vogëlushin vetëm dhe hyri në shtëpi për të marrë shpejt disa vegla, për t’iu rikthyer punës që kishte nisur.
Por, kur doli sërish para derës, nuk e pa më Lorikun, e as patat pas të cilave ai vraponte.
“E parandieja se e ka marrë lumi, prandaj hoqa rrobat dhe u futa në lumë për ta kërkuar. Eca shumë, por nipin nuk e gjeta”, thotë gjyshi që nuk ndalet se qari.
I tmerruar dhe i habitur se ku mund të kishte mbetur ai, Shefqeti tregon se vrapoi drejt shtëpisë për t’ia kumtuar lajmin tragjik familjarëve të tjerë.
“Dikush kishte lajmëruar edhe policinë dhe pjesëtarët e FSK-së, të cilët erdhën shumë shpejt dhe iu bashkuan kërkimit”, tregon Shefqeti.
Sipas tij, kërkimet në lumë dhe jashtë tij, zgjatën gjithë natën ndërmjet së shtunës dhe të dielës.
“Por tashmë ishte shumë vonë. FSK-ja ma gjeti djalin, nipin tim të vogël, por pa shenja jete. E kishte dërguar uji në fund të katundit”, thotë ai.
Kjo bëri që të dielën, familja Bytyqi të hapë derën për ngushëllime.
Pavarësisht zisë që ka mbuluar shtëpinë e tij, Shefqeti gjen forcë të falënderojë të gjithë që i ndihmuan dhe po u qëndrojnë pranë.
Ai nuk kishte menduar kurrë që në një ditë të vështirë siç ishte e shtuna, do ta gjente ndihmën e gjithë bashkëfshatarëve të tij dhe trupave të FSK’së.
Njësia e Kërkim-Shpëtimit (KSH) e Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC) të Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjatë aksionit të kërkimit, gjeti trupin e pajetë të fëmijës Lorik (Ilir) Bytyqi, (5-vjeçar) nga Dobraja, komuna e Lypjanit, i cili ishte mbytur të shtunën pasdite në lumin e fshatit.