Kosova, pengesë në rrugën e Serbisë drejt BE-së

Çështjet e pazgjidhura me Kosovën do të vazhdojnë të jenë pengesa më e madhe në rrugën e Serbisë drejt BE-së, tha Rosa Balfour, analiste në Qendrën e Politikave Evropiane (EPC) në Bruksel.

"BE-ja nuk do të pranojë në gjirin e saj një vend me një problem të tillë të pazgjidhur. Nuk do të përsëris përvojën me Qipron, ishullin e ndarë, i cili në vitin 2004 u bë anëtar i BE-së ", tha Balfour, për EurActiv.
Kur Qipro iu bashkua BE-së, motivi për të adresuar zgjidhjen e problemit të ndarjes është zhdukur, por ai problem shpesh pengon punën e BE-së, tha Balfour, duke theksuar se kjo përvojë nuk do të përsëritet.
"Kjo do të thotë se në rrugën drejt BE-së Serbinë e presin sfida të mëdha. Jo vetëm që do të duhet të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për të përmbushur standardet e BE-së, por është e nevojshme që të vazhdojë të angazhohet në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në mënyrë që të gjejë zgjidhje të dakorduar për statusin e saj", tha ajo.
Fati i marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës me BE-në do të varet nga dialogu për zgjidhjen e problemeve, tha Balfour, duke theksuar se kjo mund të tingëllojë si paradoksale.
"Megjithatë ky është thelbi i integrimit evropian: zgjidhja paqësore e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, me ç’rast përfitimet nga anëtarësimit do të duhej të zbusin zemërimin nga gëlltitja e pilulës së idhët", tha Balfour.