Dymbëdhjetë oficerë të Njësisë Ndërlidhëse për Reagim Ndaj Krizave (NJNRK) të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të udhëhequr nga komandanti i NJNRK-së, nënkolonel Shemsi Syla, janë nisur për në Danimarkë, ku do të marrin pjesë në Kursin Trajnues të Qendrës së Agjencisë Daneze të Menaxhimit të Krizave Emergjente (DEMA).
Shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), kolonel Naim Haziri në përcjellje të oficerëve për në Danimarkë, u shpreh mirënjohës për mundësitë e ofruara nga Danimarka për FSK-në. Ai tha se NJNRK-ja ka një rast të mirë për matjen e kapaciteteve të saj në këtë trajnim të përbashkët me homologët në Danimarkë.
Në trajnimin “Trajno trajnerët” do të marrin pjesë oficerë (tre major, pesë kapitenë dhe tre togerë), përderisa Rektori i Kolegjit, nënkolonel Martin Tomson do të udhëheq trajnimin gjashtë ditorë (5-11 mars).
Qëllimi i trajnimit është përgatitja e skenarit dhe konceptit të ushtrimit që do të zhvillojë NJNRK-ja në fund të këtij muaji (25-31 mars), me ç’rast në Kopenhagë të Danimarkës do të udhëtojë komplet NJNRK-ja (dyzet pjesëtarë), e cila do të zhvillojë një ushtrim të gjerë të përbashkët me njësitë homologe.
Mundësia për aktivitetet trajnuese të NJNRK-së, që do të zhvillohet në Danimarkë, vjen si rezultat i punës dhe bashkëpunimit të gjithanshëm me ushtarakët mentorues danez, nënkolonel Gjon Flarup dhe majorit Eluf Pedersen, të cilët në mandatin e tyre u angazhuan shumë në ngritjen profesionale të NJNRK-së.
Njësia Ndërlidhëse për Reagim Ndaj Krizave, prej fillimit të vitit e deri më tani ka pranuar një seri donacionesh nga Danimarka në pajisje për FSK-në si dhe libra ushtarak për bibliotekën e FSK-së, donacione këto nga Biblioteka e Kolegjit Mbretërorë të Mbrojtjes daneze.