Ramires: Hulk lojtar i Chelseat

Mesfushori i Chelseat, Ramires, mendon se bashkëkombasi i tij, Hulk, do të jetë lojtar i Bluve dhe se nuk do të ketë problem që të përshtatet me Ligën Premier.
“Unë po i ndjeki nga Brazili lajmet për të dhe ne e dimë se ai do t’i japë shumë Chelseat. Nëse do të ishte në dorën time, ai tashmë do të ishte në formacionin startues. Me personalitetin që ai ka, ai do të vijë dhe do të fillojë të luajë menjëherë”.
“Ai nuk do të ketë problem adaptimin. Edhe unë edhe David Luiz do ta bëjmë të ndihet sikurse në shtëpinë e tij. Shpresoj që kjo t’ia vlejë në fund”, ka thënë Ramires.

Ancelotti: PSG s’ka nevojë për Ibrën

Trajneri i Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti, ka thënë se skuadra e tij nuk ka nevojë për transferimin e sulmuesit të Milanit, Zlatan Ibrahimovic.
“Politika transferuese e PSG është të investojë në talentë të rinj për të ndërtuar skuadër me lojtarë që mund të performojnë në një nivel të lartë për katër ose pesë vitet e ardhshme”.
“Kjo është arsye pse nuk kemi nevojë për Ibrën, ai nuk i plotëson kërkesat tona”, ka thënë ‘Carlito’. 

Barca interesohet për Falcao

Barcelona ka bërë pyetje te Atletico Madrid për situatën e sulmuesit Radamel Falcao.
Sport shkruan se Barca ka shfaqur interesimin për Falcao kur Atletico kishte trokitur në derën e katalanasve për të bërë pyetje për disa lojtarë të rinj.
Drejtori i Atleticos, Jose Luis Perez Caminero, raportohet se është i interesuar të nënshkruajë me të rinjtë e Barcës, si Cristian Tello dhe Sergi Roberto.
Gjatë kontaktit të tij me kolegun e tij të Barcës, Andoni Zubizarreta, ky i fundit është informuar edhe për situatën e Falcaos, për të cilin interesim të shprehur po shfaq Chelsea. 

Shakira dhe Pique do të bëhen prindër?

Këngëtarja kolumbiane Shakira së bashku me të dashurin e saj futbollistin, Gerard Pique presin një fëmijë.
Kështu raportohet nga mediat latine të cilat, thonë se Shakira është dy muajshe shtatzënë.
Vetë këngëtarja nuk e ka pohuar apo mohuar këtë fakt duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve me heshtje. 
Ndërkohë është vënë re se Shakira ka nisur të përdorë rroba më të gjëra të cilat i mbulojnë format.

Dafina Zeqiri: Më pëlqen shumë Rita Ora

Këngëtarja Dafina Zeqiri e cila mbrëmë u shpërblye me tri çmime Videofesti Muzikor 2012 për videoklipin e saj ‘’My swag’’, ka pohuar se i pëlqen shumë këngëtarja Rita Ora.
Këngëtarja e cila eksperimenton shumë me dukjen e saj, ngjason shumë në paraqitje me këngëtaren Rita Ora, prandaj fansat e Dafinës ka kohë që kërkojnë një bashkëpunim mes këtyre dy këngëtareve, por nëse do mund të ndodhë një gjë e tillë.
”Nuk kam biseduar asnjëherë për ndonjë projekt, por kam parë që fansat kanë kërkesa për bashkëpunim, ka thënë Dafina për mediat në Kosovë.
“Mua më pëlqen shumë Rita Ora dhe nuk jam kundër një bashkëpunimi”, ka thënë Dafina Zeqiri. 

Afroviti: Nuk i ndaj meshkujt nga Kosova apo Shqipëria

Afroviti Goge, modelja e suksesshme nga Shqipëria, ka pohuar se ajo nuk bën ndarjen e djemve nga Kosova dhe Shqipëria.
Sipas bukuroshes, e cila gradualisht është duke u larguar nga fusha e modelimit për të vazhduar vetëm si foto-modele, nëse eksiton dashuria dhe respekti, nuk ka rëndësi nga cili vend është individi
“Nuk mund të jap një përgjigje konkrete, po unë përgjithësisht nuk e bëj atë ndarjen djemtë apo vajzat nga Kosova apo Shqipëria. Ne jemi një dhe do preferoja më shumë t’i dalloja me qytete si p.sh.: Djemtë e Tiranës, djemtë e Vlorës, djemtë e Prishtinës, djemtë e Pejës etj”.
“Ndërsa sa i përket asaj se a do të bëhesha nuse e Kosovës apo jo, momentalisht nuk është fare pjesë e planeve të mia të bëhem nuse. Sidoqoftë kur ekziston dashuria mirëkuptimi e respekti nuk ka rëndësi vendi nga i cili vjen individi”, ka thënë Afroviti.

EULEX-i thërret serbët të pajisen me targa të Kosovës

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) po shpërndan fletushka me informatë për shoferët të cilët kalojnë nëpër pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinë. Përmes këtyra fletushkave EULEX-i ua përkujton serbëve, të cilët i kanë automjetet me targa të vjetra se janë të obliguar t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa KS ose RKS.
Në njoftimin e lëshuar nga EULEX-i thuhet se "Rregullat e raja lidhur me tabelat e regjistrimit janë në harmoni me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur në dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e BE-së ", transmeton B92.
Në njoftim gjithashtu shpjegohen edhe masat që do të ndërmeren lidhur me tabelat e regjistrimit të automjeteve.
Sipas B92, autorietet e Kosovës kanë nxjerr një urdhëresë, sipas së cilës nga 1 qershori Policia e Kosovës do të konfiskojë automjetet, të cilat do të hasen duke qarkulluar në rrugët e Kosovës me targa të vjetra të qyteteve të Kosovës, e të cilat i lëshon MUP-i serb.
"Të gjithë pronarëve të automjeteve me vendbanim në Kosovë u lejohet të kenë vetëm tabela me inicialet KS ose RKS ", thuhet në fletushkën e EULEX-it , në të cilën shpjegohen arsyet e aplikimit të kësaj rregulle

Pa presion për reformën zgjedhore

Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk ka pasur kurrfarë presioni nga ndërkombëtarët për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje të përbashkët për caktimin e zonave zgjedhore. Nëse nuk ka konsensus ndërmjet partive për këtë çështje, atëherë propozimet do të shkojnë në Kuvend për t’u votuar. Kështu ka deklaruar të mërkurën kryetari i Komisionit për amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet, Haki Demolli, pas takimit të rregullt që ka pasur me përfaqësuesit e tjerë të këtij komisioni.
Ndonëse në Komisionin për Reformën Zgjedhore ka shumë divergjenca në mes anëtarëve të partive politike për përcaktimin e zonave zgjedhore, kreu i këtij Komisioni ka thënë se nuk kanë pasur kurrfarë presioni ndërkombëtar për tejkalimin e kësaj situate, duke shtuar se i tërë ky proces është vendor.
I pyetur nëse PDK-ja po e bllokon procesin e reformave zgjedhore, Demolli nuk e ka komentuar një gjë të tillë, duke shtuar se të gjitha partitë duhet ta japin kontributin e tyre në këtë drejtim.
Duke pasur parasysh se pajtimi në mes partive për caktimin e zonave zgjedhore është i vështirë, Demolli ka thënë se nëse nuk arrihet ndonjë pajtim, atëherë nuk mbetet gjë tjetër, pos që propozimet të shkojnë në Kuvend, për miratim.
Edhe nëse alternativat e ndryshme shkojnë në Kuvend për miratim, Demolli nuk mendon se procesi i reformës zgjedhore është i dështuar,pasi, sipas tij,Kuvendi është ai i cili vendos për Projektligjin në tërësi.
Duke folur edhe për propozimet e LDK-së, parti prej nga vjen Demolli, ai ka thënë se LDK-ja është e përcaktuar për më shumë zona zgjedhore.
“LDK-ja ka qenë për versionin apo për variantin 10+zona, por është mjaft i përshtatshëm për LDK-në edhe varianti prej 26 zonave që nënkupton se të gjitha ish-komunat, apo komunat tradicionale të Kosovës, të cilat kanë një numër të elektoratit të mjaftueshëm për një mandat të caktuar në Kuvend, të jenë zonë e ndarë”, ka thënë ai.
Demolli ka shprehur besimin e tij se LDK-ja, në radhë të parë, do të dalë me një pako alternativash, të cilën e kanë aprovuar në kryesinë e kësaj partie, rreth së cilës, sipas tij, do të përafrohen të gjitha subjektet e tjera politike.

Jahjaga: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar sot në Zagreb se nuk do të ketë ndarje të Kosovës e as shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit me homologun kroat, Ivo Josipovic, presidentja Jahjaga ka kërkuar nga pakica serbe në veri të Kosovës që t’iu shmanget grupeve ilegale, sepse ato, sipas saj, pengojnë vendosjen e rendit dhe punojnë kundër ligjit dhe politikës ndërkombëtare.
Jahjaga ka thënë se e ardhmja e Kosovës, Serbisë dhe e tërë rajonit është në integrimet euro-atlantike, deri te të cilat “mund të arrihet vetëm me bashkëpunim dhe jo me probleme”.
E pyetur për të ardhmen e dialogut Prishtinë-Beograd, presidentja Jahjaga ka thënë se qëndrimi i Prishtinës është që të vazhdojë dialogu, nëse marrëveshjet e arritura realizohen.
Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike në mars të vitit të kaluar. 

Shënohet Dita e Dëshmorëve në Mitrovicë

Me aktivitete të nme të organizuara nga Komuna e Mitrovicës është shënuar 6 Qershori, Dita e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në njoftimin e komunës së Mitrovicës bëhet e ditur se dita ka nisur me homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Shipol, ku pos familjarëve të dëshmorëve kanë marrë pjesë edhe drejtuesit komunalë, përfaqësues të shoqatave të luftës, institucioneve etj.
Në mesditë është mbajtur akademi përkujtimore, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka shprehur kënaqësinë e veçantë që për herë të parë pas luftës, 6 qershori në Mitrovicë shënohet si ditë zyrtare e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kanë kaluar 13 vite që ne frymojmë të lirë. Biem dhe zgjohemi pa frikë në shtëpitë tona, në qytetet dhe në atdheun tone. Dhe çdo ditë përjetojmë jetën e dinjitetshme që nuk e kishim me shekuj... U jemi mirënjohës dëshmorëve, të cilët na mundësuan që ne të jetojmë dhe të festojmë të lirë, por na mbetet obligim që bashkërisht të punojmë për forcimin e mëtejmë të këtij shteti, ashtu siç e kanë dashur atadrysh që kanë dhënë jetën për të”, tha Kastrati.
Po ashtu është shfaqur edhe një program artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës së muzikës “Tefta Tashko”.

Alves: Dua të mbetem te Barca

Dani Alves ka deklaruar se ai dëshiron të luajë për Barcelonën edhe për shumë vite të tjera, pasi synon të shkruajë histori me katalanasit.
Mbrojtësi brazilian së fundi është lidhur me një largim nga Camp Nou, por tash ka reaguar vetë duke mohuar spekulimet.
“Ndjehem shumë mirë te Barcelona. Jam i lumtur këtu dhe dua të vazhdoj te ky klub. Kurrë nuk kam menduar të largohem nga Barca, pasi ndjehem rehat dhe kam një kontratë”.
“Ne kemi një grup të shkëlqyeshëm lojtarësh dhe unë shijoj çdo ditë të vetme që luaj këtu. Dua të vazhdoj të shkruaj histori me Barcën”, ka thënë Alves për Sport.
Braziliani 29-vjeçar ka kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2015.

Gazidis: Rasti i Van Persiet diskutohet pas Euros

Drejtori ekzekutiv i Arsenalit, Ivan Gazidis, ka zbuluar se klubi ka zhvilluar biseda me Robin van Persien, por thotë se një vendim për të ardhmen e tij nuk do të merret deri pas Euro 2012.
Kontrata e 28-vjeçarit skadon në fund të sezonit të ardhshëm dhe qarkullojnë thashetheme se ai mund të largohet nga klubi këtë verë, me Manchester Cityn që tashmë ka konfirmuar interesimin për të.
“Robin u ul me ne në fund të sezonit dhe ne kishim një diskutim të mirë. Ajo çfarë u pajtuam në atë takim ishte se ne do të vazhdojmë diskutimet gjatë verës dhe do të bëjmë zbulimin kur të jetë koha e duhur”.
“Ne duhet ta respektojmë faktin se jemi pajtuar ta mbajmë atë për vete. Robin është i fokusuar në Euro për momentin dhe i dëshirojmë çdo të mirë, dhe në çastin e duhur do të zbulojmë vendimin”, ka thënë Gazidis për faqen zyrtare të klubit.

Komuna ka larguar dheun nga hapësira e varrezave hebraike

Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria e Infrastrukturës dhe ajo e Inspeksionit ka angazhuar të gjitha kapacitetet për të larguar sasinë e dheut nga një pjesë e vogël e hapësirës brenda varrezave hebraike.
Përmes një kumtese për media bëhet e ditur se dheu është larguar në tërësi dhe është duke u punuar vetëm në pastrimin e terrenit (barit) dhe rrethojës së varrezave.
“Ne sigurojmë komunitetit hebraik dhe shoqatat hebraike që veprojnë në Prishtinë dhe Kosovë, se asnjë nga varrezat që janë në këtë hapësirë nuk janë dëmtuar dhe nuk janë prekur nga rrëshqitja e dheut. Rrëshqitja e dheut ka ndodhur rreth 30 metra larg varrezave. Rrëshqitja e dheut ka ardhur si rezultat i punimeve që po bënë Komuna e Prishtinës në rregullimin e kanalizimit dhe rrugës në këtë pjesë të qytetit”, thuhet në kumtesë.
Më tej bëhet e ditur se Komuna do të rregulloj këtë hapësirë dhe do ta rehabilitoj edhe një pjesë tjetër të hapësirës brenda varrezave, e cila aktualisht është e pa mirëmbajtur.
“Komuna ka marr të gjitha masat që një gjë e tillë të mos përsëritet. Gjithashtu, komuna do të sanksionoj edhe kompaninë punëkryese, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më”, thuhet në komunikatë.

AKI-ja operon në veri

Agjencioni Kosovar për Inteligjencë (AKI) vepron edhe në veri në vendit dhe se ajo, në këtë drejtim, ka bërë dhe po bënë punë të mirë, por gjithmonë ka vend edhe për më shumë. Kështu ka deklaruar Florin Krasniqi, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, pas takimit që pati me drejtuesit e këtij institucioni.
Kreu i Komisionit për Mbikëqyrjen e punës së AKI-së, Florin Krasniqi, ndonëse ka konfirmuar para mediave se AKI-ja është duke funksionuar edhe në veri të vendit, nuk ka folur fare për raportin që është diskutuar brenda mbledhjes, me arsyetimin se ai dokument është sekret.
Sa i përket punës së AKI-së, Krasniqi ka thënë se ka vend edhe për më shumë, duke shtuar se Komisioni që ai e drejton nuk e përcakton punën e kësaj agjencie, por e mbikëqyr atë që të mos politizohet, të mos bëjë abuzime financiare, të mos bëjë abuzime me të drejtat e njeriut.
I pyetur nga gazetarët se a ka pasur abuzime financiare nga kjo agjenci, Krasniqi ka thënë se, sipas raportit, nuk del të ketë ndodhur një gjë e tillë.

“Nuk ka ndonjë të gjetur brendapërbrenda agjencisë që vlen me u hetu, ose e gjetur e shkeljes së të drejtave të njeriut ose abuzimeve financiare”, ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket ligjit për përgjimet telefonike, Krasniqi është shprehur kategorikisht kundër asaj që AKI-ja të jetë i vetmi institucion që do ta bëjë këtë gjë, edhe pse ka thënë se komentet për këtë çështje do t’i japë sapo ta marrë ligjin në dorë.
“Policia duhet t’i bëjë përgjimet për rastet e caktuara, pasi ta merr autorizimin prej gjykatës. AKI-ja do t’i bëjë përgjimet tjera, kështu që nuk është e autorizuar vetëm..., por, megjithatë, pasi ta shohim ligjin, ne do t’i japim opinionet tona”, ka thënë kreu i Komisionit për Mbikëqyrjen e punës së AKI-së, Florin Krasniqi. 

Edhe Milani pas Vertonghen

Milani është duke rivalizuar top klubet evropiane për mbrojtësin e Ajaxit, Jan Vertonghen.
TMW shkruan se zëvendës-presidenti i Milanit, Adriano Galliani, e ka Vertonghen në listën e blerjeve derisa është në kërkim të një mbrojtësi të ri të qendrës.

Portieri i Chievos, Francesco Acerbi, dhe ai i Corinthians, Dede, po ashtu janë duke u menduar nga Rossonerët

Edhe Milani pas Vertonghen

Milani është duke rivalizuar top klubet evropiane për mbrojtësin e Ajaxit, Jan Vertonghen.
TMW shkruan se zëvendës-presidenti i Milanit, Adriano Galliani, e ka Vertonghen në listën e blerjeve derisa është në kërkim të një mbrojtësi të ri të qendrës.

Portieri i Chievos, Francesco Acerbi, dhe ai i Corinthians, Dede, po ashtu janë duke u menduar nga Rossonerët

NBA: Celtics tronditin Miamin

Boston Celtics kanë treguar kurajë dhe vendosmëri duke shënuar fitore me rezultat 94-90 në fushë të Miami Heat për t’iu afruar në një ndeshje titullit të kampionit të Konferencës Lindore.
LeBron James shënoi 30 pikë dhe Dwyane Wade 27 të tjera, por Heat nuk ishin të mirë në mbrojtje në pjesën e dytë dhe tash janë një hap larg eliminimit nga gara.

Rajon Rondo ishte arkitekti i fitores së Bostonit me 13 asistime, edhe pse nuk ishte i saktë në gjuajtje, me 3 nga 15 tentimet e realizuara. Kevin Garnett ishte “ekzekutuesi” me 26 pikë dhe 11 kërcime.

Celtics tash janë në avantazh 3-2 në serinë e finaleve të Lindjes dhe në ndeshjen e gjashtë, që zhvillohet të enjten, do të kenë edhe epërsinë e fushës vendore dhe mbështetjen e publikut vendas

Reali të ofrojë Higuain për Silvan Real Madridi dëshiron t’ia ofrojë Manchester Cityt sulmuesin Gonzalo Higuain për t’ia marrë mesfushorin David Silva. Presidenti i Realit, Florentino Perez, është i paepur ta rikthejë spanjollin në vendlindje këtë verë dhe e di se menaxheri i Cityt, Roberto Mancini, është një admirues i Hiaguain. Perez është i gatshëm ta përshijë argjentinasin në negociata për të nxjerrë një marrëveshje me skuadrën angleze. I pari i Realit i ka telefonuar edhe Silvas gjatë vikendit për t’ia bërë të qartë atij se dëshiron ta rikthejë në Spanjë.

 Real Madridi dëshiron t’ia ofrojë Manchester Cityt sulmuesin Gonzalo Higuain për t’ia marrë mesfushorin David Silva.
Presidenti i Realit, Florentino Perez, është i paepur ta rikthejë spanjollin në vendlindje këtë verë dhe e di se menaxheri i Cityt, Roberto Mancini, është një admirues i Hiaguain.

Perez është i gatshëm ta përshijë argjentinasin në negociata për të nxjerrë një marrëveshje me skuadrën angleze.

I pari i Realit i ka telefonuar edhe Silvas gjatë vikendit për t’ia bërë të qartë atij se dëshiron ta rikthejë në Spanjë.

Tingulli 3nt sjellin remixin e “1splif mas koncertit”

Hip-hop grupi kosovar Tingulli 3nt kanë realizuar “dubstep remxin” e këngës “1splif mas koncertit”.
Ky “dubstep remix” është realizuar nga producentët tashmë të famshëm kosovarë Zapp&Chriss.

Dyshja së fundi i janë bashkuar labelit “BABA STAR”.

Stresi: Kënga ime i prek të gjithë

Stresi thotë se kënga “Lamtumirë”, një bashkëpunim me Xheraldinën, prek çdo person dhe secili njeri mund ta gjejë vetën në atë këngë.
Reperi, emri i vërtetë i të cilit është Arkimed Lushaj, triumfoi në kategorinë “Best Hip Hop dhe R’n’B” në festivalin “Top Fest 9” me këngën në fjalë.

“Fabula e këngës sime është bazuar në një film turk, që flet për një çift, që sakrifikojnë shumë për njëri-tjetrin. Shumë njerëz e kanë gjetur veten në këtë pjesë të tekstit, ndaj dhe teksti im prek të gjithë”, ka thënë Stresi për mediat shqiptare.
Stresi ka pohuar se së shpejti do të publikoj edhe një videoklip të ri.

Shndërron aeroplanin në shtëpinë e ëndrrave (Video)

Shumë njerëz kanë fobi nga aeroplanët, ndërsa Bruce Campbell është aq i dashuruar pas tyre saqë aeroplanin është duke e shndërruar në shtëpinë e ëndrrave të tij.
Ai thotë se ideja që në të ardhmen do të jetojë “me kohë të plotë” në këtë aeroplan 727-200, të vendosur në pyjet e Oregonit, SHBA, e ngazëllen.
Duke e përshkruar avionin si një “zog që është ideuar për të fluturuar”, Campbell me krenari udhëheq gazetarin e “CNN”-it për në këtë objekt të pazakontë për shtëpi.

Sipas Start, ai thotë se përpiqet me mish e me shpirt që ta mbajë pastër “shtëpinë” e tij, dhe sa herë që bën për të hyrë, fshin këpucët në prag të shkallëve. Campbell shpjegon se në “shtëpinë e re” ka instaluar elektricitetin dhe ka futur tubacionet e ujit. Ai thotë se avioni ka tre banja, porse vetëm një funksionon. “Është e vogël, por edhe unë i vogël jam”, thotë me shaka.

Nuk ka radio, porse Campbell dëgjon muzikën që dëshiron me anë të një iPod-i. Kjo shtëpi “nuk është për gjithkënd. Por, unë mendoj se është për shumë persona dhe padyshim që është për mua. E dua shumë”, thotë Campbell teksa përfundon prezantimin.

Grevë urie në Burgun e Dubravës

Të burgosurit në Burgun e Dubravës kanë hyrë sot në grevë të urisë, me kërkesë për miratimin e Ligjit për amnisti, ka njoftuar Këshilli Grevist i burgut të Dubravës.
"Ndonëse ishte paralajmëruar edhe premtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës të miratoi Ligjin për amnisti, kjo nuk ndodhi dhe shkaktoi pakënaqësi dhe zhgënjim tek të gjithë të burgosurit.

Kjo ka bërë që Këshilli Grevist në Burgun e Dubravës të marrë vendim që të burgosurti të hyjnë në grevë sot dhe nuk do ta ndalin atë deri në realizimin e te drejtës për amnisti dhe miratimit të ligjit”, thuhet në kumtesë, transmeton Kosovapress.

“Dihet se këtu në burgun e Dubravës dënimin e vuajnë mbi 1000 të burgosur, sonte pas orës 24:00 në grevë janë futur mbi 650 të burgosur dhe pritët që numri të rritet që nga mëngjesi, pas njoftimit nga Këshilli grevistë dhe ka gjasa që kjo grevë të radikalizohet”.

“Shpresojmë në drejtësi, por edhe në përkrahjen e mediave të shkruara dhe elektronike, sepse kanë një rëndësi të veçantë në plasimin e informatës të organet kompetente dhe tek qytetarët, por mbi të gjitha tek hartuesit e ligjeve, të cilët vet i hartojnë dhe vet i hedhin poshtë, dhe nuk i fusin ne rend te ditës”, thuhet në komunikatën e Këshillit Organizativ të grevës.

BE: Kosova të hapë zyrë diplomatike në Beograd

Brukseli po i vendos Serbisë kushte pothuajse të pa arritshme për vazhdimin e procesit të integrimit evropian. Nga Serbia kërkohet të lejojë hapjen e zyrës së Kosovës në Beograd, e cila është e papranueshme për autoritetet lokale, shkruajnë mediat serbe.
Hapja e zyrës së Kosovës praktikisht do të kishte funksionin e hapjes së ambasadës, e cila vetëm do të mbajë një emër tjetër – Zyrë, shkruan "Novi Magazin".

Njëkohësisht nga Serbia kërkohet që të hapë një përfaqësi të saj në Prishtinë, e cila, krahas hapjes së zyrës së Kosovës në Beograd, praktikisht do të thotë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Sipas kësaj gazete, përveç këtyre kushteve, për Serbinë mbeten në fuqi edhe kushtet e vjetra për vazhdimin e integrimit evropian, siç janë: Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, për eliminimin e institucioneve paralele dhe ndërprerja e financimit të këtyre institucioneve.

Gjithashtu kërkohet të mundësohet lëvizja e lirë e KFOR-it dhe EULEX-it në veriun e Kosovës.

Sipas kësaj gazete, kur serbët të heqin barrikadat ë veri do të duhet të lejojë hapjen e zyrës së misionit të BE në veri.

Qeveria dorëzohet përballë Nikolicit

Paralajmërimi i presidentit të ri serb, Tomislav Nikolic, se gjatë kësaj jave do ta vizitojë veriun e Kosovës dhe të takohet me drejtuesit e komunave serbe (strukturat ilegale), do të jetë sfidë serioze për Qeverinë e Kosovës.
Gjatë një prononcimi për agjencinë serbe të lajmeve, B92, presidenti Nikolic ka thënë se “shtetasit (e Serbisë që jetojnë në Kosovë) duhet ta dinë se çfarë i pret ata dhe pas çfarë vendimesh qëndron shteti i tyre”, gjë të cilën, sipas tij, do ta kuptojnë serbët e Kosovës gjatë takimit me të.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë shkurt nëpërmjet telefonit se në raport me vizitën e Nikolicit, Prishtina zyrtare do të veprojë në përputhje me ligjet në fuqi, shkruan “Zëri”.

“Ne çdo trajtim do ta bëjmë sipas ligjeve, Kushtetutës dhe interesave nacionale”, ka thënë ai, pa u përgjigjur në pyetjen nëse kjo nënkupton që Qeveria e Kosovës do ta lejojë ose ndalojë një vizitë të mundshme.

Por, analistët politikë vlerësojnë se ekzekutivi kosovar nuk do të ketë fuqi që ta ndalojë ardhjen e presidentit serb, pavarësisht se ky veprim i të parit të Serbisë nënkupton shkelje të Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit të vendit.

Ata ironizojnë institucionet e vendit karshi “shkeljes së shtetit” nga Beogradi zyrtar, duke theksuar se nëse qeveria e Hashim Thaçit nuk do ta ndalë një vizitë të tillë, atëherë gjëja më e mirë në raport me vizitën do të ishte që të mos deklarohen fare.

Prani e shtuar e KFOR-it tek ura lindore e Mitrovicës

Në afërsi të urës lindore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë, përkatësisht në hyrje të ‘Lagjes së boshnjakëve’, gjatë orëve të vona të së martës vërehen forca të shtuara të KFOR-it, raporton rtv21.
Aty ndodhen të stacionuara gjashtë xhipa si dhe një autoblindë e KFOR-it me ushtarë hungarezë, ndërsa përtej urës ndodhet edhe një patrullë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se ka prezencë të shtuar edhe të serbëve lokalë tek barrikada në këtë lagje, që ndodhet afër shkollës së mesme teknike, ndërsa nëpër rrugët e veriut pothuajse nuk vërehen fare pjesëtarë të EULEX-it.

Sipas këtyre burimeve, ekziston mundësia që gjatë natës serbët të përforcojnë barrikadën afër shkollës teknike, ndërkohë që parashihet edhe vendosja e barrikadave në disa pika tjera.

Pantic: Beogradi t'i tregojë marrëveshjet me Prishtinën

I ashtuquajturi kryetar i komunës paralele të Mitrovicës, Krstimir Pantic ka thënë se kryetarëve të komunave në veri të Kosovës ende nuk u ka arritur asnjë ftesë për takim me kryetarin e Serbisë, Tomislav Nikolic. Ai ka thënë se ata janë të interesuar që sa më parë të marrin përgjigjeje se për çfarë është marrë vesh Beogradi me Prishtinën.
Pantic ka thënë për mediet serbe se ai dhe kolegë të tij, kur t’i vjen thirrja, do të shkojnë te presidenti serb Nikolici për të marrë përgjigjet në pyetjet se çfarë është marrë vesh me Prishtinën në Bruksel, shefi i delegacionit serb, Borisllav Stefanovic.

“Duhet ta dimë cilat janë detyrimet tona, ne që udhëheqim me pushtetin lokal. Nuk është mirë që qytetarët të dalin në rrugë, t’u rrezikohet jeta nëse diçka është arritur dhe nënshkruar në Bruksel dhe që duhet të zbatohet”, ka thënë ai.

Pantic ka potencuar se nëse marrëveshjet në të cilat thirren shqiptarët nuk janë arritur, qytetarët e veriut të Kosovës kanë të drejtë të plotë të protestojnë dhe krerët e pushtetit lokal kanë gjithashtu të drejtë t’i thërrasin dhe me ta të jenë në barrikada.

Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikolic ka thënë të shtunën se qytetarët e Serbisë të hënën ose të martën do ta dinë saktë se për çfarë janë marrë vesh Beogradi me Prishtinën

PDK-ja mban peng reformën zgjedhore

Qëndrimi enigmatik i PDK-së rreth procesit të reformës zgjedhore, vazhdon ta mbajë peng Komisionin për Reformë Zgjedhore, që ta kryejë reformën. Mirëpo, edhe partia e dytë në vend, LDK-ja, nuk ka publikuar ende qëndrimet finale, duke pritur partinë më të madhe në vend që ta bëjë këtë.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdojnë të mos i dërgojnë qëndrimet e tyre finale për reformën zgjedhore, ndonëse kjo e fundit ka deklaruar se tashmë i ka qëndrimet, por do t’i prezantojë në takimin që do të mbahet mes komisionit dhe liderëve të partive.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, ka thënë se nëse dështon edhe takimi i radhës me liderët e subjekteve politike, do ta dështojë edhe mandatin e dytë të Komisionit për Reformën Zgjedhore.

“LDK-ja e ka një paketë me qëndrimet e saj për çështjen e listave, zonave dhe pragut, por që janë me nga dy alternativa dhe vetëm pas debatit në takim, do të merret qëndrimi final se cilën do ta përdorin”, ka thënë Demolli në një intervistë për “Lajm”.

Në takimin e fundit të komisionit ishin ftuar liderët e partive, por kreu i PDK-së, Hashim Thaçi kishte munguar, duke arsyetuar se nuk kishte marrë ftesën për takim.

“Çështja e ftesave është çështje teknike, që nuk merret kryetari i komisionit, por është çështje që merren asistentët e sekretarisë së Kuvendit. Sipas tyre, ftesat janë dërguar në adresë të të gjithë kryetarëve të partive”, ka thënë Demolli.

FH: Kosova, hapa prapa në procesin zgjedhor

Bashkimi Evropian vazhdon të ketë ndikim pozitiv në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili, me perspektivën e anëtarësimit, shërben si motivi i vetëm për reforma demokratike në këto vende, thuhet në raportin më të ri të organizatës Freedom House.
Procesi i kandidaturës pason një seri hapash formalë, të cilët vlerësojnë suksesin e përpjekjeve për të ndërtuar institucione demokratike dhe ekonomi funksionale të tregut.

Megjithatë, pavarësisht synimeve publike për integrim, shumë nga reformat kanë stagnuar, duke bërë që në këtë aspekt Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia të shënojnë rënie gjatë vitit 2011, vlerëson Freedom Housue.

Sipas raportit të organizatës, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj prapa në procesin zgjedhor të dhjetorit 2010. “Zgjedhjet ishin dëmtuar nga mashtrimet, ndërsa në komunat ku është rivotuar, ato janë bojkotuar nga qytetarët – gjë që ka dëshmuar mungesën e besimit në sistemin politik”, thuhet në raport, të cilin e transmeton Rel.

Sipas tij, Kosova ka shënuar përmirësim në qeverisjen lokale, me krijimin e komunave të reja dhe me kushtet më të mira për ripranimin dhe integrimin e të kthyerve. Kjo, sipas raportit, ka luajtur rol të rëndësishëm në avancimin e bisedimeve me BE-në për liberalizimin e vizave.

Lucas: Reali do të ishte realizim ëndrre

Ylli i Sao Paulo, Lucas Moura, thotë se një transferim te Real Madridi do të ishte realizim ëndrre për të.
Lucas është caku kryesor i trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho, dhe pritet të arrijë në Santiago Bernabeu gjatë kësaj vere.
“Do të ishte realizim ëndrre të luaj për Real Madridin, ata janë një prej klubeve më të mëdha në botë”, ka thënë Lucas për Esporte Espetacular.

El Shaarawy i gatshëm të zëvendësojë Ibran

Stephan El Shaarawy është i gatshëm të marrë rolin e Zlatan Ibrahimovic, nëse ky largohet nga Milani këtë verë.
Agjenti i El Shaarawy thotë se lojtari aktualisht është duke u mbushur bateritë për sezonin e ardhshëm.
“Stephan do të qëndrojë te Milani, 100 për qind. Djaloshi është shumë i kënaqur me sezonin e tij të parë me Rossonerët dhe ai e konsideron atë pozitive”.
“Ai nuk frikësohet nga spekulimet se Ibra mund të largohet. Këto janë çështje të klubit, pasi Stephan për momentin është në pushime dhe po i mbush bateritë”, ka thënë Roberto La Florio për TMW.

Nëntë mbrojtësit në listën e dëshirave të Barcës

Barcelona ka ndërtuar një listë prej nëntë lojtarëve të repartit mbrojtës, prej të cilëve së paku njërin synon ta sjellë në Nou Camp.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, është zgjidhja e parë e Blaugranëve.
Dhe El Mundo Deportivo shkruan se në listë janë edhe Javi Martinez (Athletic Bilbao), Iñigo Martínez (Real Sociedad), Dejan Lovren (Lyon), David Luiz (Chelsea), Thomas Vermaelen (Arsenal), Jan Vertonghen (Ajax) si edhe dyshja defensive e Borussia Dortmund, Neven Subotic dhe Mats Hummels. 

Reali interesohet për Lahm

Real Madridi raportohet se është lëshuar në kërkim të kapitenit të Bayern Munich, Philipp Lahm.
Nuk është sekrete se trajneri i Realit, Jose Mourinho, dëshiron të sjellë një mbrojtës të ri në ekipin e tij gjatë verës, dhe La Sexta shkruan se Lahm është një prej emrave në listën e tij.
Klubi spanjoll tashmë ia ka bërë të qartë Bayernit interesimin, me presidentin Karl-Heinz Rummenige që ka kërkuar 35 milionë euro për të hequr dorë nga shërbimet e kapitenit.
Mesut Ozil është duke punuar fuqishëm për Mourinhon për të bindur Lahm për jetën në Madrid.

Barca as mohon e as pohon spekulimet rreth Silvas

Barcelona nuk po flet rreth mundësisë së transferimit të mbrojtësit të Milanit, Thiago Silva.
Ka pasur spekulime se zëvendëspresidenti i Rossonerëve, Adriano Galliani dhe presidenti i Blaugranëve, Sandro Rosell, kanë mbajtur takime të fshehta për të diskutuar rreth brazilianit.
Megjithatë, zëdhënësi i Barcës, Toni Freixa, nuk ka dhënë informacion nëse spekulimet janë të vërteta apo gënjeshtra.
“Lajmi ka dalë dhe nuk dua t’i diskutoj burimet, por, në çdo rast, nuk dua as ta konfirmoj e as ta mohoj”, citon Marca fjalët e Freixas.

Shota duet me Fabianin

Këngëtarja Shota Baraliu kohë më pare e kishte menduar një bashkëpunim me këngëtarin nga Shqipëria, Fabianin.
Sipas Shotës kënga do të jetë mes zhanrit popullor dhe RnB kështu që pritet një performancë e paparë nga ana e të dyve. 
“Shumë shpejt do t’i befasojmë adhuruesit tanë me duetin që do ta realizojmë me Fabianin. Kënga është përgatitur nga Flori, pritet që shumë shpejt ti vihet emir. Dua të eksperimentoj në disa zhanre dhe kam përshtypjen se do të dale një projekt i mirë muzikor”, ka thënë Shota për ‘Zëri’.
Kjo këngë do të lasnohet edhe me videoklip i cili do të realizohet në Shqipëri. 

Alban Skenderaj triumfon në ‘VFM 2012’

Videoklipi i këngës “Mirë se vjen në shpirtin tim” i Alban Skenderajt ka fituar çmimin kryesor në edicionin e sivjetmë të Videofestit Muzikor.
Përveç çmimit për videospotin më të mirë, ky klip rrëmbeu edhe çmimet për zhanrin pop dhe regjinë më të mirë.
Tre trofe dërgoi në shtëpi edhe Dafina Zeqiri me këngën “My Swag” – për performancën më të mirë, ‘stylingun’ më të mirë dhe ishte klipi më i mirë në konkurrencën e femrave.
Dy çmime fitoi videoklipi i këngës “Le t’kallen” i Kaos, ato për zhanrin ‘rep hip-hop’ dhe në konkurrencën e grupeve.
Bashkëpunimi mes Nora Istrefit dhe MC Kreshës ishte më i miri në këtë kategori, Gjirës i takoi çmimi në konkurrencën e artistëve të rinj, Mentor Haziri fitoi në konkurrencën e meshkujve, ndërsa Genc Salihu në atë të zhanrit rok.
Rokerët legjendarë nga Tetova, “Elita 5”, morën çmimin e karrierës, ndërsa me këtë rast u shfaq edhe një video me një histori të shkurtër rreth bendit dhe më pas ata performuan në skenën e VFM.
Çmimet e ndara në edicionin e dhjetë të VFM:
Videospoti më i mirë në duet: Andos & Eugent Bushpepa – “Adrenalina”
Videospoti më i mirë i zhanrit Rap Hip-Hop: Kaos – “Le t’kallen”
Videospoti në bashkëpunim: Nora Istrefi & MC Kresha – “As ni zo”
Videospoti më i mirë i zhanrit Pop: Alban Skenderaj – “Mirë se vjen në shpirtin tim”
Videospoti më i mirë i zhanrit Rok: Genc Salihu – “Lufta është bahçe”
Videospoti më i mirë në konkurrencën e Artistëve të rinj: Gjira – “Çka po don me t’knu zemër”
Videospoti me Performancën më të mirë: Dafina Zeqiri – “My Swag”
Çmimi i publikut: Adelina Emini – “Tipsy”
Videospoti më i mirë në konkurrencën e Meshkujve: Mentor Haziri – “Engjëll”
‘Best Styling’: Dafina Zeqiri – “My Swag”
Videospoti më i mirë i zhanrit Pop Folk: Gili – “Haku i nënës”
Videospoti më i mirë i zhanrit R&B: Vesa Luma & Big Basta – “Boom”
Çmimi i karrierës: Elita 5
Videospoti më i mirë i zhanrit Dance: Blero ft. Astrit Stafa – “Summer Love”
Videospoti me Regjinë më të mirë: Alban Skenderaj – “Mirë se vjen në shpirtin tim”
Videospoti më i mirë në konkurrencën e Grupeve: Kaos – “Le t’kallen”
Videospoti me më shumë klikime në YouTube : Flori ft. Albatrit Muqiqi & Noga – “Tequila Vava”
Videospoti më i mirë në konkurrencën e Femrave: Dafina Zeqiri – “My Swag”
Çmimi i ‘21 Plus’: Genta & DJ DaLool – “Guximi”
Videospoti më i mirë: Alban Skenderaj – “Mirë se vjen në shpirtin tim”

Vjen kënga e Unikkatilit dhe Presionit

E plotësuar- Njëri prej reperëve më të mirë shqiptarë, Unikkatil, ka lansuar këngën e tij më të re në bashkëpunim me Presionin që titullohet “Do”.

Kënga e shumëpritur është dashur të lansohej më herët, megjithatë publikimi i saj është shtyrë duke i lënë fansat në pritje.
Sidoqoftë, shpresojmë që kjo pritje t’ia ketë vlejtur dhe kjo këngë të pëlqehet nga fansat e reperëve dhe të shndërrohet në një hit, si shumë këngë të tjera ku ka punuar Viktor Palokaj.

Zemër çokollate

Çokollata ofron kënaqësi më të madhe sesa puthja me pasion.
Në një studim, pjesëmarrësit kanë shkrirë pak çokollatë (me 60% kakao) në gjuhë, gjë e cila ka krijuar ndjenjë më të gjatë dhe më intensive sesa puthja pasionuese.
Nëse dihet se ëmbëlsira përmban feniletilaminë, e cila ngre nivelin e endorfinës në tru, ky reaksion nuk çudit fare.
Kur ha një çokollatë, rriten rrahjet e zemrës. Mënyra më e mirë për të shijuar në maksimum një çokollatë është ta lësh të të shkrijë në gojë... 

Zemër çokollate

Çokollata ofron kënaqësi më të madhe sesa puthja me pasion.
Në një studim, pjesëmarrësit kanë shkrirë pak çokollatë (me 60% kakao) në gjuhë, gjë e cila ka krijuar ndjenjë më të gjatë dhe më intensive sesa puthja pasionuese.
Nëse dihet se ëmbëlsira përmban feniletilaminë, e cila ngre nivelin e endorfinës në tru, ky reaksion nuk çudit fare.
Kur ha një çokollatë, rriten rrahjet e zemrës. Mënyra më e mirë për të shijuar në maksimum një çokollatë është ta lësh të të shkrijë në gojë... 

Femrat që punojnë natën rrezikohen nga kanceri

Femrat, të cilat herë pas herë punojnë edhe në ndërrime të natës, kanë rrezik më të madh nga krijimi i kancerit të gjirit, veçanërisht nëse janë tipi i mëngjesit.
Shkencëtarët danezë kanë kontrolluar të dhënat mjekësore të 18.500 femrave. Femrat që kanë punuar në ndërrim të natës kanë pasur për 40 për qind rrezik më të madh nga krijimi i kancerit të gjirit. Megjithatë, femrat të cilat në periudhën prej gjashtë vitesh kanë punuar të paktën tri net në javë, kanë pasur dyfish rrezik më të madh nga formimi i kancerit të gjirit.
Në fund, rrezik më të madh kanë pasur femrat të cilat kanë punuar në ndërrime të natës, ndërsa e kanë përshkruar veten si tip i mëngjesit.
Shkencëtarët theksojnë se si rritja e rrezikut nga krijimi i kancerit të gjirit është mënyra përgjegjëse në të cilën funksionon organizmi, respektivisht ritmi cirkadial.
Ritmi cirkadial tregon ritmin e ndodhive psikofizike të njeriut të cilat janë të lidhura me ndikimet e ndryshme të jashtme (dita dhe nata, ndryshimi i stinëve të vitit, baticat dhe zbaticat), të cilat reflektohen te njeriu në kuadër të ritmeve biologjike nga më të ndryshme. 

Mozilla lëshon Firefox 13 para kohe

Me sa duket, Firefox është duke iu përmbajtur planeve të saja për lansimin e versioneve të reja të shfletuesin të saj të internetit, Firefox.
Kjo, pasi që versionin më të ri, Firefox 13, kompania Mozilla e ka lëshuar edhe më herët sesa është pritur. 
Ndryshimet e reja në kuadër të Firefox-it të fundit me numër 13 përfshijnë një tipar të ri, faqen më të vizituar, pasi që i njëjti  hapet tani, kur përdoruesi hap një tab të ri.
Në listën e ndryshimeve të reja që sjell Firefox 13 vlen të përmendet qasja më e shpejtë në faqet e preferuara, historia e shfletimit të internetit, cilësimet e Firefox dhe shumë më shumë se kaq.

Bullgari, zbulohen skeletet e vampirëve

Arkeologët bullgarë thonë se i kanë zbuluar dy skelete nga Mesjeta, të shpuar nëpër gjoks me shkopinj metali, për t’i parandaluar ata që të mos shndërrohen në vampirë.
Shefi i Muzeut Kombëtar të Historisë në kryeqytetin Sofje, Bozidar Dimitrov, ka thënë se të dy skeletet ishin zbuluar fundjavën e kaluar afër qytetit Sozopol në Detin e Zi – transmeton Radio Evropa e Lirë.
Sipas tij, besimet paragjykuese kishin çuar deri aty sa që njerëzit që kishin bërë keq gjatë jetës së tyre ishin shpuar me shkopinj metalikë nëpër eshtrat e gjoksit dhe zemër për shkak të frikës se pas vdekjes ata do të ktheheshin për ta pirë gjakun e të gjallëve.
Dimitrov ka theksuar se kjo praktikë kishte ekzistuar në disa pjesë të Bullgarisë, madje edhe në fillim të shekullit të kaluar. 

E shtrëngojnë dorën

Me ligjin e ri për bankat është zvogëluar potenciali kreditues nga 20 për qind sa ka qenë, në 15 për qind. Kjo po ua vështirëson bizneseve të mëdha qasjen në burime të financimit. Ato thonë se kanë mundësi për investime, por bankat e kanë shtrënguar dorën. Në anën tjetër, në fund të marsit janë rritur kreditë e lëshuara për 19.2 milionë euro.
Edhe pse kredidhënia nga bankat komerciale ka shënuar rritje së fundi, kjo nuk po i prek të gjitha kategoritë. Posaçërisht kur bëhet fjalë për bizneset e mëdha që kanë nevojë për mjete të shumta financiare, shkruan Express.
Bizneset e mëdha po ankohen se potencial për investime kanë, por potenciali për kreditim, që aktualisht e ofrojnë bankat komerciale në Kosovë, thonë se nuk është i mjaftueshëm.
Aq me tepër, kur me Ligjin e ri për bankat dhe institucionit mikrofinanciare, është zvogëluar potenciali kreditues nga 20 për qind sa ka qenë, në 15 për qind. Kjo po e vështirëson punën e bizneseve të mëdha.
Ramiz Kelmendi, pronar i rrjetit të marketeve “ETC”, thotë se ky zvogëlim i potencialit kreditues me ligjin e ri, ka rrezikuar kryesisht kreditimin e kompanive të mëdha. Veçanërisht të atyre që kanë mundësi për investime.
Kompania e tij e ka shfrytëzuar tërë kuotën sa është e lejuar për kreditim, por Kelmendi thotë se ka kapacitete për investime të reja, nëse kjo do t’i mundësohej nga Banka Qendrore. “Nëse BQK-ja jep dritë të gjelbër se cili lloj hipotekimi do të vlejë që të marrë kredi, do ta plotësoj. Aktualisht, shumica e bankave e kanë mbyllur kreditimin për Elkosin”, thotë ai.

Spanja kërkon ndihmë financiare nga Evropa

Spanja është në kërkim të një ndihme të drejtpërdrejtë financiare nga Evropa për të shpëtuar bankat e saj të përfshira nga borxhet e mëdha, por Gjermania është e palëkundur në qëndrimin e saj kundër një ndihme të tillë financiare pa imponuar kushte të reja të shpenzimeve nga qeveria e Madridit.
Duke marrë parasysh financimin e pasigurt për Institucionin bankar të Spanjës Bankia që e ka blerë shteti për 24 miliard dollarë, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy po përpiqet të gjejë mbështetje për marrjen e një ndihme financiare nga fondi i shpërtimit i krijuar nga 17-vendet e eurozonës. Franca dhe Komisioni Evropian dje kanë sinjalizuar mbështetjen e tyre për Spanjën.
Por zëdhënësi i kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert tha se varet nga qeveritë kombëtare individuale e jo sistemet bankare, për të kërkuar ndihmë financiare nga fondi i shpëtimit, dhe pastaj respektimi i kushteve për shpenzimet parapara ndihmës financiare të këtij lloji. Zëdhënësi Seiber tha se “këtë duhet ta respektojë edhe Spanja”.
Tregjet e aksioneve në mbarë Azinë, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara pësuan rënie të hënën nga shqetësimet se kriza e borxhit Evropian po ndikon në vendimet e investitorëve.
Analisti gjerman i investimeve, Robert HALVER i cili punon për Baader Bank, tha se kriza e Eurozonës duket e pafund, por mund të lehtësohet në qoftë se Banka Qendrore Evropiane do të investonte më shumë në Itali dhe Spanjë për t’i dhënë kohë atyre për të nxitur ekonomitë e tyre. “Historia po përsëritet, ne jemi sërish në gjendje krize ashtu si vitin e kaluar. Politikanët nuk kanë mësuar asgjë. Banka Qendrore Evropiane duhet të ndërhyjë për të blerë kohë për vendet si Italia dhe Spanja në mënyrë që ato të mund të zbatojnë reformat. Askush nuk mund ta duroj këtë situatë pritjeje”.
Ndërkohë, Portugalia, një tjetër vend i Evropës i përfshirë nga borxhet e mëdha, ka ulur parashikimet për rritjen e saj ekonomike në 0,2 për qind për vitin e ardhshëm. Lisbona njoftoi gjithashtu se është duke dhënë ndihmë financiare prej më shumë se 8 miliardë dollarësh për tre huadhënësit më të mëdhenj të vendit për t’i ndihmuar ata në përballimin e humbjeve në rritje nga dhënia e kredive.

Veriu rrezikon koalicionin qeverisës

Kryeministri Hashim Thaçi nuk është i gatshëm t’i hyjë dialogut për veriun duke e pasur në krah vetëm Behgjet Pacollin. Kështu kanë deklaruar zyrtarë të lartë vendës dhe ndërkombëtarë.
Zyrtarët vendorë, në kushte anonimiteti, kanë thënë se Thaçi është duke u ndruajtur se një dialog i tillë do ta dëmtonte pozicionin politik të tij, si karshi liderit të LDK-së, Isa Mustafa, ashtu edhe kundrejt atyre që pretendojnë ta marrin drejtimin e PDK-së, ndërsa të dytët kanë shprehur mirëkuptim për këtë qëndrim të tij.
“Thaçi do t’i hynte dialogut për veriun me kushtin e vetëm që në të përfshihet edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Kështu LDK-ja do ta humbte mundësinë për të përfituar poenë politikë te qytetarët dhe në anën tjetër, askush në PDK nuk do të mund t’ia ngarkonte fajin pse ka pranuar t’i hyjë dialogut politik”, ka thënë një zyrtar i mirinformuar me rrjedhat e procesit paradialogues, shkruan Koha Ditore
I njëjti zyrtar ka sqaruar se këtë qëndrim kryeministri Thaçi tashmë ua ka bërë të qartë “miqve ndërkombëtarë”.
“Bile, ai (Thaçi v.j.) nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta prishë koalicionin qeverisës, për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme, nëse Mustafa nuk pranon të jetë pjesë e dialogut”, ka thënë burimi i gazetës.
Prishja e koalicionit qeverisës është parë si opsion real edhe nga një diplomat i lartë ndërkombëtar. Pritjet e tij, janë që Qeveria Thaçi 2, do të “delegjitimohet” në shtator të këtij viti. 

Jahjaga takoi shqiptarët në Kroaci

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës së saj në Kroaci, dje qëndroi në qytetet Poreç dhe Rovinj, ku zhvilloi takime me komunitetin shqiptar të rajonit të Istrës dhe u njoh me organizimin dhe angazhimin e tyre. Ajo bisedoi me prefektin e Prefekturës së Istrës, Ivan Jakovic, si dhe me udhëheqës të tjerë lokalë, të cilët folën për kontributin e komunitetit shqiptar në këtë rajon të Kroacisë.
Jahjaga, duke iu drejtuar një numri të madh qytetarësh shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në rajonin e Istrës, tha se ka ardhur t’i vizitojë dhe që si Presidente e Kosovës t’ua përcjell përshëndetjet nga atdheu, t’i shohë dhe të bashkëbisedojë me ta, t’i ndajë hallet, si dhe të dëgjojë propozimet dhe sugjerimet e tyre.
“Ky është takim mes bashkëqytetarëve, bashkëfamiljarëve, bashkatdhetarëve dhe ne të gjithë sot këtu ndjehemi mirë dhe ne sot këtu kemi sjellë frymën e Kosovës. Kudo që jemi ne sjellim frymën e atdheut, se ne shqiptarët kudo që jemi, jemi bashkë, i gjendemi njëri-tjetrit, dhe jemi në miqësi me të gjithë popujt e tjerë, dhe miqësia me popullin kroat është miqësi shekullore”, tha Presidentja Jahjaga, citon “Zëri”.
Gjatë qëndrimit në Poreç ajo i komentoi deklaratat e presidentit të ri të Serbisë lidhur me Kosovën, duke thënë se “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, shtet sovran, ka integritetin e saj territorial, të njohur ndërkombëtarisht”.
“Ne jemi në miqësi të fuqishme me SHBA dhe vendet e BE-së”, tha ajo.
“Zgjedhjet në vendet fqinje nuk ndikojnë në Republikën e Kosovës. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve dhe nuk do ketë shkëmbim të qytetarëve. E ardhmja e të gjitha shteteve të rajonit është në integrimet evropiane dhe kjo nuk ka alternativë tjetër”, tha Presidentja Jahjaga.

Paradoksi i “dhomave të dëshmive”

Ndëshkimet e Policisë së Kosovës për dikë dinë të jenë të rrepta dhe të menjëhershme, e për dikë pothuajse nuk përdoren fare. Derisa nuk është vonuar fare shkarkimi dhe arrestimi i përgjegjësve të objektit ku gjendet dhoma e vjedhur e dëshmive në Pejë, Policia e Kosovës vazhdon të mbajë në gjirin e saj përgjegjësit e drejtorisë ku gjendet dhoma e dëshmive në Prishtinë, gjithashtu e vjedhur disa vjet më parë.
Madje këta të fundit, tani vazhdojnë të mbajnë të njëjtat grada ashtu çfarë i kishin në vitin 2009 kur ndodhi skandali i vjedhjes dhe bile kanë edhe pozita udhëheqëse, shkruan “Zëri”.
Në Pejë, si masë ndëshkimi për këtë skandal është shkarkimi nga puna edhe i Ahmet Hasit nga pozita e komandantit të Policisë rajonale të Pejës.
Policia e Kosovës zyrtarisht nuk e thotë asnjë fjalë se ç’ndodh me përgjegjësit e dhomës së dëshmive në Prishtinë, ku në prill të vitit 2009 janë vjedhur 47 kg heroinë, 3 milionë euro, në valuta të ndryshme, një çantë e zezë dhe dëshmi të tjera.
“Zëri” ka pritur 24 orë që të marrë përgjigje se kush ishin zyrtarët policorë, të cilët e kanë pasur nën përgjegjësinë e tyre dhomën e dëshmive të Prishtinës, masat që janë ndërmarrë ndaj tyre si dhe në çfarë pozite janë momentalisht këta zyrtarë.
Policia ka thënë se për këto pyetje duhet biseduar me Prokurorinë Speciale të Kosovës, më saktë me EULEX-in, i cili e ka në dorë rastin.
Mirëpo, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka thënë se këto pyetje janë tërësisht çështje të brendshme e Policisë dhe është habitur me sugjerimin e dhënë se ku duhet kërkuar informata të tilla.

Krasniqi: E kemi kryetarin e mirë

Jakup Krasniqi di të befasojë shpesh me qëndrimet e tij në publik, e që janë ndryshe nga ato të zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës. AI po shfaqet si një zë i moderuar, teksa në partinë e tij po afrohen zgjedhjet. Kritikat që i kishte adresuar ndaj kreut të PDK-së, Hashim Thaçit, thotë se kanë pasur për qëllim demokratizimin e këtij subjekti, e jo marrjen e kreut të partisë.
Në një intervistë për “Express”, kryeparlamentari vlerëson se PDK-ja e ka kryetarin e mirë.
Kur kreu i Kuvendit, i cili mban postin e sekretarit në këtë subjekt, flet me një gjuhë të tillë shumëkush mund të vijë te konkludimi se në partinë më të madhe në vend dallimet janë të mëdha dhe se aty mund të plasë sherri shpejt.
Krasniqi nuk ka hezituar që në paraqitjet e tij publike të shfaqet si kritik i ashpër i Hashim Thaçit që për shumëkënd në PDK është lider i pakontestueshëm. Afërsia e Krasniqit me Fatmir Limajn, i cili po ashtu është njëri ndër kritikuesit e Thaçit, vetëm se ka vulosur perceptimin e ndasive në këtë subjekt.
Por Krasniqi shpesh di edhe të ndryshojë qëndrimet.
Në një bisedë për Express, të martën, ai ka folur për vendimin që ka marrë Partia Demokratike e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve brendapartiake.
Ai ka hedhur poshtë njoftimet se e ka lëshuar takimin e Kryesisë së PDK-së, ku ka qenë i pranishëm edhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi.
“Nuk është e vërtetë, unë kam dalë me të gjithë përnjëherë dhe ai është një dezinformim i opinionit”, ka thënë Krasniqi. 

Prezencë e KFOR-it tek ura lindore në Mitrovicë

Në afërsi të urës lindore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, përkatësisht në hyrje të ‘Lagjes së boshnjakëve’, gjatë orëve të vona të së martës vërehen forca të shtuara të KFOR-it.
Aty ndodhen të stacionuara gjashtë xhipa, si dhe një autoblindë e KFOR-it me ushtarë hungarezë. Ndërsa, përtej urës ndodhet edhe një patrullë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se ka prezencë të shtuar edhe të serbëve lokalë tek barrikada në këtë lagje, që ndodhet afër shkollës së mesme teknike, ndërsa nëpër rrugët e veriut pothuajse nuk vërehen fare pjesëtarë të EULEX-it.
Sipas këtyre burimeve, ekziston mundësia që gjatë natës serbët të përforcojnë barrikadën afër shkollës teknike, ndërkohë që parashihet edhe vendosja e barrikadave në disa pika tjera.