Krasniqi: E kemi kryetarin e mirë

Jakup Krasniqi di të befasojë shpesh me qëndrimet e tij në publik, e që janë ndryshe nga ato të zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës. AI po shfaqet si një zë i moderuar, teksa në partinë e tij po afrohen zgjedhjet. Kritikat që i kishte adresuar ndaj kreut të PDK-së, Hashim Thaçit, thotë se kanë pasur për qëllim demokratizimin e këtij subjekti, e jo marrjen e kreut të partisë.

Në një intervistë për “Express”, kryeparlamentari vlerëson se PDK-ja e ka kryetarin e mirë.
Kur kreu i Kuvendit, i cili mban postin e sekretarit në këtë subjekt, flet me një gjuhë të tillë shumëkush mund të vijë te konkludimi se në partinë më të madhe në vend dallimet janë të mëdha dhe se aty mund të plasë sherri shpejt.
Krasniqi nuk ka hezituar që në paraqitjet e tij publike të shfaqet si kritik i ashpër i Hashim Thaçit që për shumëkënd në PDK është lider i pakontestueshëm. Afërsia e Krasniqit me Fatmir Limajn, i cili po ashtu është njëri ndër kritikuesit e Thaçit, vetëm se ka vulosur perceptimin e ndasive në këtë subjekt.
Por Krasniqi shpesh di edhe të ndryshojë qëndrimet.
Në një bisedë për Express, të martën, ai ka folur për vendimin që ka marrë Partia Demokratike e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve brendapartiake.
Ai ka hedhur poshtë njoftimet se e ka lëshuar takimin e Kryesisë së PDK-së, ku ka qenë i pranishëm edhe kreu i PDK-së, Hashim Thaçi.
“Nuk është e vërtetë, unë kam dalë me të gjithë përnjëherë dhe ai është një dezinformim i opinionit”, ka thënë Krasniqi.