Shumë njerëz kanë fobi nga aeroplanët, ndërsa Bruce Campbell është aq i dashuruar pas tyre saqë aeroplanin është duke e shndërruar në shtëpinë e ëndrrave të tij.
Ai thotë se ideja që në të ardhmen do të jetojë “me kohë të plotë” në këtë aeroplan 727-200, të vendosur në pyjet e Oregonit, SHBA, e ngazëllen.
Duke e përshkruar avionin si një “zog që është ideuar për të fluturuar”, Campbell me krenari udhëheq gazetarin e “CNN”-it për në këtë objekt të pazakontë për shtëpi.
Sipas Start, ai thotë se përpiqet me mish e me shpirt që ta mbajë pastër “shtëpinë” e tij, dhe sa herë që bën për të hyrë, fshin këpucët në prag të shkallëve. Campbell shpjegon se në “shtëpinë e re” ka instaluar elektricitetin dhe ka futur tubacionet e ujit. Ai thotë se avioni ka tre banja, porse vetëm një funksionon. “Është e vogël, por edhe unë i vogël jam”, thotë me shaka.
Nuk ka radio, porse Campbell dëgjon muzikën që dëshiron me anë të një iPod-i. Kjo shtëpi “nuk është për gjithkënd. Por, unë mendoj se është për shumë persona dhe padyshim që është për mua. E dua shumë”, thotë Campbell teksa përfundon prezantimin.