Me ligjin e ri për bankat është zvogëluar potenciali kreditues nga 20 për qind sa ka qenë, në 15 për qind. Kjo po ua vështirëson bizneseve të mëdha qasjen në burime të financimit. Ato thonë se kanë mundësi për investime, por bankat e kanë shtrënguar dorën. Në anën tjetër, në fund të marsit janë rritur kreditë e lëshuara për 19.2 milionë euro.
Edhe pse kredidhënia nga bankat komerciale ka shënuar rritje së fundi, kjo nuk po i prek të gjitha kategoritë. Posaçërisht kur bëhet fjalë për bizneset e mëdha që kanë nevojë për mjete të shumta financiare, shkruan Express.
Bizneset e mëdha po ankohen se potencial për investime kanë, por potenciali për kreditim, që aktualisht e ofrojnë bankat komerciale në Kosovë, thonë se nuk është i mjaftueshëm.
Aq me tepër, kur me Ligjin e ri për bankat dhe institucionit mikrofinanciare, është zvogëluar potenciali kreditues nga 20 për qind sa ka qenë, në 15 për qind. Kjo po e vështirëson punën e bizneseve të mëdha.
Ramiz Kelmendi, pronar i rrjetit të marketeve “ETC”, thotë se ky zvogëlim i potencialit kreditues me ligjin e ri, ka rrezikuar kryesisht kreditimin e kompanive të mëdha. Veçanërisht të atyre që kanë mundësi për investime.
Kompania e tij e ka shfrytëzuar tërë kuotën sa është e lejuar për kreditim, por Kelmendi thotë se ka kapacitete për investime të reja, nëse kjo do t’i mundësohej nga Banka Qendrore. “Nëse BQK-ja jep dritë të gjelbër se cili lloj hipotekimi do të vlejë që të marrë kredi, do ta plotësoj. Aktualisht, shumica e bankave e kanë mbyllur kreditimin për Elkosin”, thotë ai.