Agjencioni Kosovar për Inteligjencë (AKI) vepron edhe në veri në vendit dhe se ajo, në këtë drejtim, ka bërë dhe po bënë punë të mirë, por gjithmonë ka vend edhe për më shumë. Kështu ka deklaruar Florin Krasniqi, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, pas takimit që pati me drejtuesit e këtij institucioni.
Kreu i Komisionit për Mbikëqyrjen e punës së AKI-së, Florin Krasniqi, ndonëse ka konfirmuar para mediave se AKI-ja është duke funksionuar edhe në veri të vendit, nuk ka folur fare për raportin që është diskutuar brenda mbledhjes, me arsyetimin se ai dokument është sekret.
Sa i përket punës së AKI-së, Krasniqi ka thënë se ka vend edhe për më shumë, duke shtuar se Komisioni që ai e drejton nuk e përcakton punën e kësaj agjencie, por e mbikëqyr atë që të mos politizohet, të mos bëjë abuzime financiare, të mos bëjë abuzime me të drejtat e njeriut.
I pyetur nga gazetarët se a ka pasur abuzime financiare nga kjo agjenci, Krasniqi ka thënë se, sipas raportit, nuk del të ketë ndodhur një gjë e tillë.
“Nuk ka ndonjë të gjetur brendapërbrenda agjencisë që vlen me u hetu, ose e gjetur e shkeljes së të drejtave të njeriut ose abuzimeve financiare”, ka thënë ai.
“Nuk ka ndonjë të gjetur brendapërbrenda agjencisë që vlen me u hetu, ose e gjetur e shkeljes së të drejtave të njeriut ose abuzimeve financiare”, ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket ligjit për përgjimet telefonike, Krasniqi është shprehur kategorikisht kundër asaj që AKI-ja të jetë i vetmi institucion që do ta bëjë këtë gjë, edhe pse ka thënë se komentet për këtë çështje do t’i japë sapo ta marrë ligjin në dorë.
“Policia duhet t’i bëjë përgjimet për rastet e caktuara, pasi ta merr autorizimin prej gjykatës. AKI-ja do t’i bëjë përgjimet tjera, kështu që nuk është e autorizuar vetëm..., por, megjithatë, pasi ta shohim ligjin, ne do t’i japim opinionet tona”, ka thënë kreu i Komisionit për Mbikëqyrjen e punës së AKI-së, Florin Krasniqi.