Stefanovic: Serbia kërkon dialog politik, KEK-un dhe PTK-në

Shefi i ekipit negociator serb për bisedime me Prishtinën, Borislav Stefanovic, ka thënë se pas zgjedhjeve në Serbi do të nisë faza e dytë e dialogut me Prishtinën, nga i cili varet fillimi i negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE dhe gjatë të cilit në tavolinë do të shtrohen temat më të komplikuara: energjia, telekomunikacioni dhe iniciativa e presidentit të Serbisë për “zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
Në një intervistë për agjencinë serbe Tanjug, ai është shprehur i kënaqur me gjërat që janë arritur dhe mendon se ka qenë vendim i zgjuar “ulja në tavolinën e bisedimeve me Prishtinën, përkundër dallimeve të mëdha mes dy palëve”.
“Do të ballafaqohemi me mundësinë që dialogu të bëhet politik, i cili më në fund do të rregulloj marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, duke respektuar interesat tona nacionale, Kushtetutën dhe ligjet e Serbisë”, ka thënë Stefanovic.
Kur është fjala te liria e lëvizjes, ai thotë se “është punuar mjaftë” në këtë drejtim dhe se pret që EULEX-i dhe KFOR-i do të kenë mundësi të lëvizjes së plotë në tërë territorin e Kosovës. Ndërsa, shton se është mundshme që të gjendet “zgjidhja edhe për telekomunikacionin dhe energjinë”, edhe pse sipas tij, “këtu qëndrimet e palëve janë larg njëra-tjetrës”.
"Nuk do të jetë e lehtë, por është e mundur", thotë Stefanovic, i cili thekson se Beogradi synon mbijetesën e “Elektro-Ekonomisë së Serbisë” dhe “Telekomit të Serbisë” në Kosovë, “posedimi i pasurisë së këtyre kompanive dhe funksionimi i tyre edhe në jug të Ibrit”.
“Ndërsa, Prishtina është duke u përpjekur për ta eliminuar praninë e cilësdo ndërmarrjeje të Serbisë në këtë territor... Këto janë dy pikat e mospajtimeve të thella, por edhe veriu specifik i Kosovës, si i vetmi vend në Kosovë ku veprojnë këto dy funksione të rëndësishme të shtetit të Serbisë”, shton Stefanovic, i cili madje përmend katërmijë “punëtorë të punësuar në Elektro-Ekonominë e Serbisë, që janë larguar nga puna pas vitit 1999”.
“Të gjitha kapacitetet energjetike dhe të prodhimit në jug të Ibrit i ka uzurpuar e ashtuquajtura Korporata Energjetike të Kosovës (KEK)”, thotë Stefanovic.
Kur është fjala te telekomi, Stefanovic thekson se do të kërkojë “zgjidhje që serbët në jug të Ibrit të kenë sinjalin 064”.
“Por, do të futet rendi edhe në çështjen e parregulluar të telefonisë fikse me të cilën tash menaxhon kompania e Kosovës PTK”, thotë Stefanovic, duke cekur se temë do të jetë “çështja e investimeve serbe në këto dy sisteme”.
Sipas tij, “kur të vjen koha”, kompanitë serbe do të iniciojnë procese “për dëshmimin e pronësisë dhe investimeve”. “Por, njëherë duhet të gjejmë zgjidhje për qytetarët”.

EULEX-i paralajmëron vozitësit në veri të Kosovës

Të gjithë qytetarët e Kosovës që ngasin makina, duhet që nga 1 qershori t’i kenë tabelat “KS” ose “RKS”, letërnjoftimin dhe lejen e vozitjes të Kosovës, thuhet në një broshurë të cilën e ka shpërndarë EULEX-i në pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
EULEX-i thotë se të gjitha dokumentet e kërkuara për hyrjes dhe dalje nga Kosova, janë përcaktuar me marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, për qarkullimin e lirë të qytetarëve.
Për qytetarët që jetojnë në veri, Qendra për Regjistrim do të jetë në qendrën komunale civile në veri të Mitrovicës.
Kryetari ilegal i Zveçanit, Dobrosav Dobric, ka thënë për Beta se serbët e Kosovës nuk do ta lejojnë këtë dhe se do të dalin në protesta pasi, sipas tij, “fjala është për kufizimin e lirisë së lëvizjes që EULEX-i zbaton ndaj serbëve të Kosovës”.
"Kjo është ajo çka na pret nëse pranojmë që EULEX-i të vendosë kufi. Kjo është forma më e dhunshme e disiplinimit të qytetarëve, për ndryshim të nënshtetësisë, të fesë dhe të kombit. Për letërnjoftim dhe leje të vozitjes duhet të kemi certifikatën e lindjes dhe nënshtetësinë në të cilën shkruan se nuk jemi shtetas të Serbisë, se nuk jemi serbë por kosovarë”, ka thënë ai. 

Punonjësit e arsimit kanë merita të jashtëzakonshme

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka kërkuar të mërkurën nga anëtarët e kabinetit që të rrisin angazhimet në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga dokumenti i presidentit Ahtisaari për statusin e Kosovës, në mënyrë që deri në gjysmën e shtatorit, me një ceremoni rasti të përmbyllet procesi i pavarësisë së mbikëqyrur.
Thaçi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka shprehur urimet për 7 Marsin, Ditën e mësuesit, duke përkujtuar se angazhimi dhe kontributi i të gjithë punëtorëve të arsimit në Kosovë ka qenë dhe është i rëndësishëm për procesin e arritjes dhe ndërtimit të lirisë në Kosovë.
“Punonjësit e arsimit në Kosovë kanë merita të jashtëzakonshme në përgatitjen e gjeneratave që vunë themelet e dijes, shkencës dhe institucioneve, që mbrojtën identitetin kombëtar dhe realizuan krijimin e shtetit të pavarur, të lirë dhe demokratik të Kosovës” ka thënë Thaçi.
Në mbledhje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe disa Projektligje si dhe katër koncept-dokumente për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve: Ligjit për Planifikim Hapësinor, Ligjit për Shfrytëzimin, Administrimin dhe Mirëmbajtjen e Ndërtesave në Bashkëpronësi, Ligjit për Kemikate dhe koncept-dokumentin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtje nga Rrezatimi Jo-jonizues, Jonizues dhe Sigurinë Nukleare.

Prishtina kërkon nga Beogradi "sjellje evropiane"

Qeveria e Kosovës i kërkoi Beogradit zyrtar që të ketë “sjellje evropiane” karshi rajonit - përfshirë Kosovën, që të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit.
Këtë kërkesë e bëri të ditur zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, duke komentuar vendimin e Serbisë për t’i mbajtur zgjedhjet lokale edhe në territorin e Kosovës, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
I pyetur nëse Bashkimi Evropian do të duhej ta ndëshkonte shtetin serb në rrugën e tij evropiane për shkak të këtij zhvillimi, Kuçi u shpreh:
“Kosova s’e ka logjikën që t’u krijohen pengesa të tjerëve, ndërsa të tjerëve u kërkon që të mos e pengojnë Kosovën. Kjo është logjika jonë; ky është shteti ynë; ky është funksioni ynë. Nuk e kemi ndërmend ta dëmtojmë krejt rajonin për veprimet e të tjerëve”, tha ai.
Bashkësia Ndërkombëtare i ka kërkuar vazhdimisht shtetit serb që të mos planifikojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, ndërsa pat theksuar rëndësinë e zhbërjes, sa më parë, të strukturave paralele serbe në vend.
Përmirësimi i raporteve me Kosovën u bë, së fundi, parakusht për avancimin evropian të Serbisë.
Megjithatë, zyrtarët serbë njoftuan një ditë më parë se zgjedhjet lokale do të mbahen “në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar, pavarësisht nëse janë në jug apo veri të Kosovës”.
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Integrimin Evropian, Laslo Varga, thotë se “për procesin e euro-integrimeve, organizimi i zgjedhjeve në Kosovë do të ishte bukur i dëmshëm”.
“Është e qartë edhe deklarata e komisionarit për zgjerim të BE-së, Stefan Fule, se një gjë e tillë do të ishte hap që nuk do t’iu shkonte përshtati integrimeve”, thotë Varga.
Milenko Dereta, nga Iniciativa Qytetare e Serbisë, thotë se autoritetet e Beogradit duhet të nënshkruajnë zgjedhje vetëm atje ku mund të ndikojnë në vendime.
“Referendumi i fundit është provë se Serbia nuk mund të ndikojë në vendimet e atyre komunave, se ato ndjekin politikë të pavarur. Ato nuk njohin asnjë autoritet, pos të tyrin. Le të vetorganizohen dhe vetëzgjidhen atëherë”, thotë Dereta.
Në muajin shkurt, serbët e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë organizuar referendumin e ashtuquajtur të veriut, ku, me shumicë votash, i kanë thënë “jo” shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në këto pjesë të venit.
Autoritetet kosovare kanë thënë se organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë është në kundërshtim me të gjitha dokumentet dhe rezolutat ndërkombëtare. Rezultatet e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nuk janë njohur kurrë si të ligjshme as nga autoritetet kosovare, as ato ndërkombëtare.
Për herë të fundit, Serbia ka mbajtur zgjedhje në Kosovë në vitin 2010. 

Serbia në BE, nëse ka marrëdhënie të mira me Kosovën

Kushti më i rëndësishëm për Serbinë për të filluar negociatat e pranimit në BE, është përmirësimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Kosovën, thotë drejtoresha e zyrës së Qeverisë së Serbisë për integrime evropiane, Milica Delevic.
Në një intervistë për EurActiv, Delevic thotë se së shpejti do të fillojnë përgatitjet për negociatat e mundshme dhe se BE-ja do t'i kushtojë vëmendje të veçantë seksionit të gjyqësorit dhe të “drejtave themelore të qytetarëve, sigurisë, drejtësisë dhe lirisë”.
"Komisioni si prioritet kyç për hapjen e negociatave e ka definuar përmirësimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe unë besoj se të kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura, marrëveshjet e reja në sektorin energjisë dhe telekomunikacionit, si dhe krijimin e kushteve që EULEX-i të mund të kryejë mandatin në tërë Kosovën", ka thënë ajo. 

SHBA-të inkurajojnë dialogun Kosovë-Serbi për veriun

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon në një intervistë për Al-Jazeera Balkans ka thënë se serbët duhet të vendosin për veten e tyre në veri.
Ai ka thënë se beson që marrja e kandidaturës për në BE do ta ndihmojë Serbinë që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovës, që do të ishte mirë për të dyja palët, transmeton Koha.
"Ka ende shumë punë për të bërë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja. Është e qartë se ende ka shumë dallime për veriun e Kosovës dhe ne i inkurajojmë palët që të flasin për këto. SHBA-ja e përkrah fuqishëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, por ne besojmë se ka mënyra që t’u lejohet banorëve lokalë, serbëve etnikë të veriut të Kosovës, që në mënyrë legjitime të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe që të drejtojnë vetë punët e tyre”, citohet të ketë thënë Gordon. 

Spanja vazhdon të mbajë kreun në renditjen e FIFAs

Spanja vazhdon të mbetet e para në renditjen e FIFA-s edhe për muajin mars të këtij viti, derisa Holanda, që mposhti Anglinë 3-2 në miqësoren e javës së kaluar, ka marrë pozitën e dytë nga Gjermania.

Renditja e FIFA: Shqipëria bie dy pozita

Kombëtarja shqiptare ka rënë dy vende në renditjen e FIFAs për muajin mars, pas disfatës 2-1 në miqësoren ndaj Gjeorgjisë.
Kuqezinjtë kishin 452 pikë dhe pushtonin pozitën e 78-të muajin e kaluar, por tash kanë 20 pikë më pak, 432, dhe rreshtohen në pozitën e 80-të.
Nga vendet e Ballkanit, kombëtarja ka lënë prapa Bullgarinë, që me 406 pikë rreshtohet e 85-ta, dhe Maqedoninë, e cila rreshtohet më së keqi nga vendet e rajonit, me 328 pikë në vendin e 102-të.
Kroacia dhe Greqia renditen më së miri nga vendet e Ballkanit, me të parën që pushton pozitën e 9-të dhe të dytën që rreshtohet e 13-ta. Bosnja e Hercegovina është e 21-ta, Serbia e 26-ta dhe Mali i Zi i 44-ti.

Abbiati: Van Persie më nënvlerësoi

Portieri i Milanit, Christian Abbiati, thotë se ia nuk pati një paraqitje të mirë në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Arsenalit, pavarësisht se bëri disa mbrojtje të shkëlqyeshme, përfshirë një shans të pastër të Robin Van Persiet.
“Faleminderit shumë për komplimentet por mos e zmadhoni, pasi megjithatë kam pranuar tre gola. Gjëja më e rëndësishme është që kaluam në rundin e dytë, nuk kemi arritur në çerekfinale për shumë vite”.
“Në pauzë ne ishim të shqetësuar, ne e kishim humbur avantazhin e madh të cilin e kishim nga ndeshja e parë. Ne po e humbnim kualifikimin. Në pauzë ne shikuam në njëri-tjetrin dhe thamë se është e pamundshme të jetë më keq se kjo”.
“Në pjesën e dytë, Arsenali ishte dukshëm më i lodhur, ata ishin harxhuar pas mundit që dhanë në pjesën e parë”.
“Van Persie? Mbase ai më nënvlerësoi mua”, ka thënë Abbiatti. 

Conte: Juve është në pozitë të mirë

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, thotë se ata mbeten në një pozitë të fuqishme në garën për titull.
Juve është vetëm tre pikë prapa Milanit, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar dhe një diferencë shumë më pozitive të golave.
“Pyetja ime është kjo – pse duhet të zemërohem për një kampanjë të jashtëzakonshme në ligë të cilën ne po e prodhojmë? Ndryshe nga kjo, ne mendojmë vetëm për të dhënë më të mirën nga vetja, mendojmë vetëm se si mund të japim gjithçka, unë së pari”.
“Deri tash, kjo përpjekje na ka mundësuar të jemi konkurrues sërish, të respektohemi në fushë sërish, të na e kanë frikën sërish, të gjejmë kundërshtarët të cilët japin 150 për qind për të na mposhtur neve, të gjejmë ekipet të cilat ende duan të na mposhtin”.
“Kjo është sepse ne kemi dhënë maksimumin, andaj nuk shoh arsye për depresion. Ne duhet të jemi shumë krenarë, shumë të fuqishëm dhe shumë të kënaqur me atë çfarë po bëjmë”, ka thënë Conte.

Lëvdata për Oxlade-Chamberlain dhe Rosickyn

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka gjetur kohë të lavdërojë paraqitjen e dy mesfushorëve, Alex Oxlade-Chamberlain dhe Tomas Rosickyt, në fitoren e mbrëmshme ndaj Milanit.
Oxlade-Chamberlain bëri startin e parë në Ligën e Kampionëve dhe luajti në pozitën e mesfushorit të qendrës, që nuk është një pozitë natyrale për të.
“Për një djalosh i cili kurrë nuk ka luajtur në nivel të një mesfushori të qendrës, ai startoi në një ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe ia doli mirë. Ai u lodh ca në pjesën e dytë pas lëndimit, dhe fitoi më pak topa se që bëri në pjesën e parë. Kur ai e merr topin, gjithmonë e dini se diçka mund të ndodhë”.

“Duhet t’i jap meritat Tomas Rosickyt. Ai ishte i jashtëzakonshëm edhe një herë. Në të gjitha këto ndeshje, ai ishte lojtari më me ndikim, dhe ai nuk i merr gjithmonë meritat për këtë, andaj do të doja ta shfrytëzoj këtë mundësi për t’ia dhënë meritat atij”, ka thënë Wenger.

Spalletti: Benfica e meritoi kualifikimin

Trajneri i Zenit St. Petersburg, Luciano Spalletti, thotë se skuadra më e mirë vazhdoi në çerekfinale, pas eliminimit nga Benfica në Ligën e Kampionëve.
Skuadra ruse fitoi 3-2 në ndeshjen e parë, por u mposht me rezultat 2-0 në takimin e mbrëmshme duke u eliminuar nga gara.
“Benfica e meritoi të fitojë. Ne treguam shumë më pak se që tregojmë zakonisht. Ne nuk jemi mësuar të luajmë ndeshje të një rëndësie të tillë”.
“Benfica ishte thjesht më e mirë. Ne kemi një barrierë mentale e cila duhet të tejkalohet për të qenë në gjendje të tregojmë kualitetet tona të vërteta”.
“Ne u përpoqëm ta kontrollojmë ndeshjen në pjesën e dytë, krijuam shanse, por Benfica ishte më e mirë. Kampanja jonë në Ligën e Kampionëve ishte e shkëlqyeshme: ne treguam futboll të mirë në disa ndeshje. Sot kjo nuk ndodhi”, ka thënë Spalletti. 

Di Matteo: Jemi të bashkuar

Menaxheri i përkohshëm i Chelseat, Roberto di Matteo, thotë se morali është i lartë pas fitores së tyre në Kupën FA nga Birmingham City.
“Ne kishim një detyrë të vështirë sot duke marrë parasysh ndodhitë në disa ditët e kaluara dhe ishte e rëndësishme për ne të kalojmë në rundin e ardhshëm. Ne duhej ta bëjmë detyrën tonë sot”.
“A ishte një zgjidhje e mençur? Kjo nuk kishte të bënte me mençurinë. Ata ishin të gjithë në dispozicion. Ata e dinë cakun që ne duhet të arrijmë”.
“Ata janë lojtarë të mëdhenj për këtë klub. Ne kemi një skuadër dhe ne duhet ta shfrytëzojmë skuadrën. Ne duhet të përpiqemi të nxjerrim më të mirën nga këta lojtarë”.
“Ishte pyetja për ta freskuar ekipin ca, për t’i dhënë ca energji dhe këmbë të freskëta për një ndeshje si kjo. Ne duhej të luftonim sot”, ka thënë italiani.

Ibra: Askush nuk e mendoi një rikthim të tillë

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka lavdëruar Arsenalin pas paraqitjes së mbrëmshme të Topçinjve në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Milani i mbijetoi presionit të Arsenalit dhe pavarësisht se humbi 3-0 arriti të kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 4-3.
“Ne nuk mund të jemi të kënaqur, humbëm 3-0, ishim me fat. Ishte një ndeshje e vështirë, një rezultat i keq të cilin nuk e kemi pritur. Ne mund t’ia kishim dalë më lehtë”.
“Në prag të fillimit të ndeshjes askush nuk mendonte për një rikthim të tillë, por ata kanë besuar dhe u mungoi vetëm një gol”, ka thënë Ibrahimovic. 

Panic thotë se Obama është pajtuar me të për Kosovën

“Presidenti amerikan Barack Obama më ka përcjellë gatishmërinë e Washingtonit të ndihmojë që situata në Ballkan të stabilizohet dhe që problemi i Kosovës të zgjidhet në atë mënyrë që askush të mos jetë viktimë, por të gjithë të jenë fitues”, ka thënë ish-kryeministri jugosllav dhe biznesmeni amerikan me origjinë serbe, Milan Panic.
Ai ka sqaruar disa detaje të takimit të tij para disa ditësh në Kaliforni me presidentin Obama, ku mes tjerash kishte kërkuar një qëndrim të drejtë të Washingtonit dhe trajtim të njëjtë të Beogradit dhe Prishtinës në dialog.
“Më ka premtuar se do të bëjë çmos që të arrihet një zgjidhje në të cilën serbët nuk do të dënohen ose dëmtohen, ndërsa Prishtina të shpërblehet. Gjithashtu i kam propozuar Obamës, por edhe liderëve në Bruksel që zgjidhja më e mirë për qetësimin e situatës ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është që Serbia dhe Kosova të shkojnë me tempin e njëjtë drejt BE-së”, ka thënë Panic në një intervistë për gazetën "Vecernje novosti", transmeton QIK.
Në vërejtjen se opozita në Serbi pohon se pranimi për procese të ndara në eurointegrime do të thotë njohje indirekte e pavarësisë së Kosovës, Panic, ka thënë se nuk është e rëndësishme nëse një territor e trajtoni si të pavarur apo jo, me rëndësi, sipas tij, është që të zgjidhet problemi.
"Sikur Beogradi dhe Prishtina të kishin një temp të ngjashëm në rrugën evropiane, do të ishin më kooperativë në marrëveshjet e ndërsjella". Sipas Panicit, "në atë moment kur bëhen anëtare të BE-së, gjithë tregimi për kufijtë bëhet i parëndësishëm".
Në konstatimin nëse Washingtoni ka veshë për pozicionin e Serbisë me Kosovën, ose për ta çështja e statusit është një ‘storie’ e përfunduar, Panic thotë se "do të ishte shumë më lehtë sikur Serbia të realizojë interesat e saja në Kosovë, po qe se nuk do të bllokonte rrugën e Prishtinës drejt BE-së. Ky diskutim duhet patjetër të hapet".
Panic beson se në zgjedhjet e ardhshme në Serbi partitë e tubuara rreth Partisë Demokratike do të fitojnë. Për fat të keq, thotë Panic, Kosova do të jetë temë edhe në zgjedhjet e radhës. “Përsëri do të ketë parti të cilat do të tregtojnë me Kosovën për më shumë vota”, ka thënë Panic. 

Qeveria vazhdon të marrë kredi nga privatët

Qeveria e Kosovës ka shpallur të hapur ankandin e tretë të letrave me vlerë nëpërmjet të cilit pret të kthejë në para të gatshme edhe 10 milionë euro. Ministria përgjegjëse për transferimet financiare të Qeverisë, ajo e Financave, në dokumentin mbi hapjen e kësaj vale të shitjes së letrave me vlerë ka vënë shumë të njëjtë të huas sikurse edhe në dy ankandet e mëparshme. Këto mjete Qeveria pret t’i maturojë apo t’i kthejë hua brenda 13 javësh, apo më 13 qershor të këtij viti.
Kjo është hera e tretë brenda tre muajve që Qeveria merr hua nga privatët. Ankandi i parë i letrave me vlerë apo bonove të thesarit është përmbyllur më 17 janar.
Në të njëjtin ankand, Ministria e Financave ka shitur 10 milionë euro letra me vlerë të Qeverisë, të cilat duhet t’i maturojë (t’i kthejë mbrapa) më 18 prill të këtij viti. Ato janë shitur për 9 milionë e 912 mijë e 304 euro apo me normë kthimi prej 3.51 për qind.
Në ankandin e parë Qeverisë i janë ofruar para hua nëpërmjet letrave me vlerë prej rreth 22,5 milionë euro, por që janë marrë vetëm 10 milionë euro. Ndërkohë në ankandin e dytë që është përmbyllur më 14 shkurt, Qeveria ka pranuar të hyra në vlerë prej 9 milionë e 911 mijë e 62 eurosh, shkruan Koha Ditore.
Por norma e interesit të mjeteve që duhet t’i kthejë Qeveria është më e lartë sesa në ankandin e parë. Këto mjete nga huaja do t’i kushtojnë Qeverisë 3.55 për qind më shtrenjtë në momentin e kthimit apo maturimit. Të hyrat nga ankandi i dytë Qeveria obligohet t’i kthejë më datën 16 maj.

Wenger: E kemi rikthyer krenarinë

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, mendon se krenaria e tyre është rikthyer pas fitores së mbrëmshme 3-0 ndaj Milanit, edhe pse ata u eliminuan nga Liga e Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 4-3.
“Ne u rikthyem me një paraqitje të mirë sonte dhe jemi të zhgënjyer pasi ne e prekëm kualifikimin. Ne kishim shanse dhe nuk i shfrytëzuam, por ne ishim shumë afër. Mendoj se ne vuajtëm ca në pjesën e dytë fizikisht, pasi dhamë shumë në Liverpool”.
“Pastaj u lodhëm në mesfushë, ku nuk kishim opsione në karrigen rezervë dhe na vjen keq. Lojtarët bënë një paraqitje pa të meta, me një shpirt fantastik dhe ju vetëm mund t’i uroni ata”, ka thënë Wenger. 

Redknapp dëshiron ta fitojë Kupën FA

Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është i paepur për të arritur në finalen e Kupës FA.
Spurs sonte do të presin në White Hart Lane ekipin e ligës më të ulët, Stevenage, dhe kanë shanse të mira për të arritur në gjysmëfinale, pasi fituesi i këtij dueli do të presë në shtëpi Boltonin në çerekfinale të Kupës.
“Është një mundësi e madhe për ne. Ne jemi në shtëpi dhe mund të luajmë sërish në shtëpi në ndeshjen e ardhshme, andaj duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi që na është dhënë”.
“Do të doja të arrij në finale dhe të fitoj me Tottenhamin. Do të ishte mrekulli”, ka thënë Redknapp. 

PSG e interesuar për Suarez

Pronari i Paris Saint Germain, Nasser Al-Khelafi, thotë se ai dëshiron ta blejë sulmuesin e Liverpoolit, Luis Suarez.
Suarez ka kaluar një sezon jo aq të qëndrueshëm në Ligën Premier, me 10 gola në 34 paraqitje, por po ashtu edhe me suspendim prej tetë ndeshjesh për abuzim racial ndaj mbrojtësit të Manchester United, Patrice Evra.
“Ne vërtet po shikojmë në treg për sezonin e ardhshëm. Ne kemi caqe të qarta në mendjen tonë. Është e vërtetë se ne e dëshirojmë Luis Suarez dhe Gonzalo Higuain”.
“Një cak afatshkurtër është ta fitojmë Ligën e Kampionëve dhe ta gjejmë Messin e ri”, ka thënë Al-Khelafi për revistën franceze Extra Time.

Kaka dëshiron të vazhdojë me Realin

Kaka ka ripërsëritur edhe njëherë se ai është duke menduar vetëm si të arrijë sukses me Real Madridin.
Braziliani ishte në listën e shënuesve në fitoren ndaj Espanyol gjatë të dielës.
“Dua të qëndroj, jam shumë i sigurt. Nuk do të largohem pasi dua të arrij sukses këtu”, ka thënë Kaka. 

Houston është vrarë?

Whitney Houston mund të jetë vrarë – thonë miqtë dhe familjarët e këngëtares.
Sipas një raporti të TMZ, Zyrtarë të Gjykatës së Los Angelesit kanë marrë telefonata dhe e-maila nga njerëz të cilët thonë se janë të afërm të yllit.
Telefonatat dhe e-mailet ishin bërë nga njerëz të ndryshëm, disa të cilët thonë se janë të afërm të Whitney dhe të tjerë të afërm të ish-burrit të saj Bobby Brown, dhe të gjitha thonë se Whitney mund të jetë vrarë.
Së paku një person ka thënë se ka informata të cilat e mbështesin teorinë e vrasjes. Zyrtarët nuk kanë verifikuar nëse telefonuesit ishin të afërm ose jo.
Whitney u gjet e vdekur në banjën e hotelit të saj në Beverly Hills më 11 shkurt. Ajo ishte 48 vjeçare.

Lori: Gjithmonë i bëj mamit dhurata

Këngëtarja e hitit “S’rezistoj”, Loreta Kaçka, edhe këtë 8 mars do të jetë e zënë për të kënduar.
Lori ka vite që nuk e feston ditën e grave pranë nënës së saj, por ajo ka pohuar se gjithmonë i bën asaj nga një dhuratë.
Këngëtarja nga Shqipëria ka rrëfyer për “Kosova Sot” se më parë i ka bërë një befasi nënës së saj për 8 Mars duke e vizituar atë pa e lajmëruar, dhe duke i dhuruar një tufë lule dhe një tjetër dhuratë. 

Si ta ndalni dëshirën për alkool

Në konferencën e Shoqatës evropiane të psikologëve në Pragë është prezantuar tableta, e cila zvogëlon dëshiron për alkool.
Tableta në fjalë bllokon receptorët në tru të cilët dërgojnë mesazhe për kënaqësinë e alkoolit dhe në këtë mënyrë iu ndihmon alkoolistëve që ta ndalin pijen.
Shkencëtarët rekomandojnë që tableta të merret para daljes, gjegjësisht atëherë kur e dini se vendi ku po shkoni do t’ju nxisë të pinë një gotë më shumë.
Bari quhet Nalmefen, ndërsa ende nuk e ka marrë dritën e gjelbër për përdorim nga Shoqata për miratimin e barnave, sepse ende është në fazat e testimit klinik dhe testimit të efekteve anësore. 

Duhanpirja pasive shton rrezikun për ekzemë te fëmijët

Ekspozimi pasiv ndaj duhanit në tre muajt e fundit të shtatzënisë është i lidhur me rrezikun më të madh të shfaqjes së ekzemës te fëmijët- tregon një hulumtim i shkencëtarëve japonezë.
Studimet e mëparshme kanë treguar për shpeshtësi më të madhe të astmës dhe infeksioneve respiratore te fëmijët, nënat e të cilëve gjatë shtatzënisë kanë qenë të ekspozuara ndaj tymit të duhanit.
Nga ana tjetër, është konfirmuar se duhanpirja pasive në gjashtë muajt e parë të shtatzënisë nuk paraqet rrezik për ekzemë te fëmijët.
Rezultatet e këtij studimi janë të bazuara në përcjelljen e 1.400 fëmijëve të moshave nga dy deri në 18 muaj. 

Roboti më i shpejtë ma katër këmbë (video)

Agjencia për hulumtime pranë ministrisë amerikane të mbrojtjes (Defense Advanced Research Project Agency – DARPA) ka paraqitur robotin më të shpejtë i cili për lëvizje përdorë “këmbët”.
Robotin e quajtur Cheetah (gepard) për DARPA-n e ka zhvilluar kompania Boston Dynamics, e cila ka zhvilluar edhe robotin AlphaDog, e shpejtësia më e madhe të cilën e arrin është 29 km/h, që është ende dukshëm më pak në krahasim me gepardin e vërtetë i cili në distanca të shkurta mund të arrij shpejtësitë deri në 120 km/h. Ai është zhvilluar në kuadër të programit Maximum Mobility and Manipulation (M3) të DARPA, i cili ka për qëllim të avancoj mundësitë e robotëve në përdorimin ushtarak.
Cheetah është i dizajnuar që të imitoj lëvizjen e kafshëve “të vërteta”, sikurse që është gepardi, emrin e të cilit e bart, e sipas burimeve nga Boston Dynamics ai mund të arrij edhe shpejtësinë e gepardit të vërtetë, por për këtë prapëseprapë do ti nevojitet pak më shumë kohë.

Familja më e madhe albine

Çifti albin Roseturai Pullan, 50 vjeçar dhe gruaja e tij 45-vjeçare, Mani, jetojnë me anëtarët tjerë të familjes, të cilët janë po ashtu albinë, dhe përbëjnë familjen më të madhe albine në botë.
Djemtë Vijay (25 vjeç), Shankar (24 vjeç) dhe Ramkishan (19 vjeç) dhe vajzat Renu (23 vjeçe), Deepa (21 vjeçe) dhe Pooja (18 vjeçe) e kanë trashëguar albinizmin nga prindërit e tyre.

Orteku i frikshëm (Video)

Një ortek befasues në vendin e popullarizuar për skijim St Francois-Longchamp të Francës, i ka dhënë fund një dite të bukur të vizitorëve.
Njëri nga turistët ka arritur që me anë të telefonit ta xhirojë momentin e frikshëm.
Në një çast ka filluar orteku i borës duke “fshirë” gjithçka para vetes. I ka rrëzuar madje edhe shtyllat e çelikut të ‘ski liftit’.
Fatmirësisht, askush nuk është lënduar. Ekipi i shpëtimit ka arritur shumë shpejtë në vendin e ngjarjes, ndërsa të ngecurit në lift i kanë shpëtuar me anë të helikopterit.

E shndërron ashensorin në banesë (Video)

Shakaxhiu francez, Remi Gaillard, është vënë sërish në aksion. Ai e ka dekoruar brendinë e ashensorëve në mënyrë që të dukej si banesë e tij private.
Në videon e cila ka arritur gati 1.8 milionë shikime në YouTube, shihet një femër e cila kur e thërret ashensorin, ajo përshëndetet nga Gaillard, i cili shtiret se po rri në shtëpi.
E turpëruar, femra shtyp butonin te ashensori tjetër, të cilin Gaillard e ka shndërruar në qilar...

Kamioni shpëton minibusin

Një vozitës kinez ka shpëtuar për mrekulli kur minibusi i tij rrëshqiti nga një rrugë malore dhe gjatë rënies ‘u kap’ nga një kamion që po kalonte në rrugën e mëposhtme.
Yu Lin nga Nanyang në Provincën Henan, ishte duke shkuar për ta marrë vajzën e tij pesëvjeçare te një shoqe kur ndodhi aksidenti.
“E ndjeja veten duke rënë dhe gjithçka dukej se po ndodh me lëvizje të ngadalësuar, sikur në film. I thosha vetes: ‘Mori fund, do të vdesësh’. Dhe atëherë krejt rastësisht ishte një përplasje dhe u ndala në ajër sikurse të isha kapur nga një dorë gjigante”, ka treguar 32-vjeçari.
Shoferi i kamionit e kishte vërejtur aksidentin dhe e kishte ndalur kamionin për ta mbajtur minibusin, ndërsa më pas Yu Lin është larguar nga automjeti i tij. 

Galliani: U mbylla në dhomën e veshjeve

Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se nuk ka arritur t’i bëjë ballë presionit të ndeshjes ndaj Arsenalit dhe se i ka kaluar 20 minutat e fundit në dhomën e veshjeve.
“Kam vuajtur shumë, si e gjithë skuadra. Isha i tmerruar, fatmirësisht frika kaloi dhe kualifikimi mbeti. Në futboll, këto gjëra ndodhin, në fund ne kaluam më tej me rezultat 4-3”.
“Pas mbrojtjes së Abbiatit nga Van Persie, mendova për zemrën time dhe dola në dhomën e veshjeve dhe nuk e kam parë pjesën e mbetur të ndeshjes. Pasi u shëtita në afërsi të banjës për 20 minuta, mirëmbajtësi erdhi dhe më tregoi se ne kishim mbijetuar”, ka thënë Galliani. 

Ishim të vetëm kundër 1244

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se shteti i tij ka qenë i vetëm kundër përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale me fusnotë, e cila do t’i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai thotë se në diskutimet e mëhershme që janë bërë në BE, Britania e Madhe ka qenë për heqjen e referencës së Kosovës nën Rezolutën 1244, nga dokumentet e BE-së.
“Ne gjithmonë i kemi parë këto referenca në dokumentet e BE-së, si heqje e statusit dhe sovranitetit të Kosovës, pasi kjo nënkupton që statusi i Kosovës është një çështje e hapur ende”, thotë Cliff në një intervistë për “Zëri”.
Mirëpo, sipas ambasadorit, marrëveshja e arritur për fusnotën “nuk thotë më se Kosova është nën rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244, por në përputhje me 1244... dhe ajo që është shumë e rëndësishme, formula është e balancuar nga referenca në mendimin këshillëdhënës të GJND-ë rreth deklaratës së pavarësisë së Kosovës”.
Cliff mendon se Kosova me këtë marrëveshje ka bërë një veprim strategjik. 

Plani i Dacit: Ramushi kryeministër

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Nexhat Daci, ka paralajmëruar se është duke konkretizuar një projekt për të ardhur në pushtet.
Në një prononcim për “Epokën e Re”, Daci ka thënë se partner në këtë projekt e sheh vetëm kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Daci ka thënë se ky projekt do të bëhet publik shumë shpejt, por njëherë po pret kthimin e Haradinajt në Kosovë.
“Shumë shpejt do të shpaloset projekti ‘Daci’. Po pres të kthehet Ramush Haradinaj, sepse i kemi pasur disa projekte me të, të cilat na kanë mbetur në gjysmë. Kam filluar të punoj për këtë projekt prej ditës kur isha herën e fundit në Koshare. Nga aty e kam parë vullnetin e popullit dhe të luftëtarëve se unë i duhem ende shtetit të Kosovës. Nga ajo ditë nuk jam ndal, duke shkruar konceptin dhe strategjinë se si duhet të ecë projekti ‘Daci’. Me këtë projekt parashoh të jem në Qeveri në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Daci.
Ai ka treguar se në këtë projekt e parasheh kryeministër të ardhshëm Haradinajn. Sipas tij, ky projekt nuk i përjashton për bashkëpunim as Thaçin e as Mustafën, por Daci ka thënë se bashkëpunimi me PDK-në dhe LDK-në e sheh më të vështirë. 

Serbia do t’i mbajë zgjedhjet edhe në Kosovë

Serbia do t`i dëshmojë Qeverisë së Kosovës se nuk e ka njohur Pavarësinë edhe nëpërmjet shkeljes së drejtpërdrejtë të sovranitetit të shtetit që në bashkëpunimin regjional do të prezantohet me fusnotë.
Presidenti serb, Boris Tadic, është marrë vesh me përfaqësuesit ndërkombëtarë që të heqë dorë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, por Serbisë do t`i mundësohet që në veri t`i mbajë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato presidenciale nëse vendoset që në shtetin fqinj më 29 prill ose 6 maj të mbahen tri palë zgjedhje: presidencialet, të përgjithshmet dhe lokalet e jo vetëm ato të përgjithshme dhe lokale, siç është vendosur tashmë, shkruan “Koha Ditore”.
Sipas burimeve ndërkombëtare, Tadic do ta arsyetojë mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale me Rezolutën 1244, ose me pamundësi teknike, por sipas të njëjtave burime, sa u përket zgjedhjeve të përgjithshme për parlamentin e Serbisë, ato do të mbahen në veri, dhe po kërkohet nga Qeveria e Kosovës që mbajtja e zgjedhjeve të mundësohet edhe në pjesët e tjera të vendit, ku qytetarët serbë janë shumicë.