Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se shteti i tij ka qenë i vetëm kundër përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale me fusnotë, e cila do t’i referohet Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai thotë se në diskutimet e mëhershme që janë bërë në BE, Britania e Madhe ka qenë për heqjen e referencës së Kosovës nën Rezolutën 1244, nga dokumentet e BE-së.
“Ne gjithmonë i kemi parë këto referenca në dokumentet e BE-së, si heqje e statusit dhe sovranitetit të Kosovës, pasi kjo nënkupton që statusi i Kosovës është një çështje e hapur ende”, thotë Cliff në një intervistë për “Zëri”.
Mirëpo, sipas ambasadorit, marrëveshja e arritur për fusnotën “nuk thotë më se Kosova është nën rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244, por në përputhje me 1244... dhe ajo që është shumë e rëndësishme, formula është e balancuar nga referenca në mendimin këshillëdhënës të GJND-ë rreth deklaratës së pavarësisë së Kosovës”.
Cliff mendon se Kosova me këtë marrëveshje ka bërë një veprim strategjik.