Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Nexhat Daci, ka paralajmëruar se është duke konkretizuar një projekt për të ardhur në pushtet.
Në një prononcim për “Epokën e Re”, Daci ka thënë se partner në këtë projekt e sheh vetëm kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Daci ka thënë se ky projekt do të bëhet publik shumë shpejt, por njëherë po pret kthimin e Haradinajt në Kosovë.
“Shumë shpejt do të shpaloset projekti ‘Daci’. Po pres të kthehet Ramush Haradinaj, sepse i kemi pasur disa projekte me të, të cilat na kanë mbetur në gjysmë. Kam filluar të punoj për këtë projekt prej ditës kur isha herën e fundit në Koshare. Nga aty e kam parë vullnetin e popullit dhe të luftëtarëve se unë i duhem ende shtetit të Kosovës. Nga ajo ditë nuk jam ndal, duke shkruar konceptin dhe strategjinë se si duhet të ecë projekti ‘Daci’. Me këtë projekt parashoh të jem në Qeveri në mandatin e ardhshëm”, ka thënë Daci.
Ai ka treguar se në këtë projekt e parasheh kryeministër të ardhshëm Haradinajn. Sipas tij, ky projekt nuk i përjashton për bashkëpunim as Thaçin e as Mustafën, por Daci ka thënë se bashkëpunimi me PDK-në dhe LDK-në e sheh më të vështirë.