Të gjithë qytetarët e Kosovës që ngasin makina, duhet që nga 1 qershori t’i kenë tabelat “KS” ose “RKS”, letërnjoftimin dhe lejen e vozitjes të Kosovës, thuhet në një broshurë të cilën e ka shpërndarë EULEX-i në pikëkalimet kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
EULEX-i thotë se të gjitha dokumentet e kërkuara për hyrjes dhe dalje nga Kosova, janë përcaktuar me marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, për qarkullimin e lirë të qytetarëve.
Për qytetarët që jetojnë në veri, Qendra për Regjistrim do të jetë në qendrën komunale civile në veri të Mitrovicës.
Kryetari ilegal i Zveçanit, Dobrosav Dobric, ka thënë për Beta se serbët e Kosovës nuk do ta lejojnë këtë dhe se do të dalin në protesta pasi, sipas tij, “fjala është për kufizimin e lirisë së lëvizjes që EULEX-i zbaton ndaj serbëve të Kosovës”.
"Kjo është ajo çka na pret nëse pranojmë që EULEX-i të vendosë kufi. Kjo është forma më e dhunshme e disiplinimit të qytetarëve, për ndryshim të nënshtetësisë, të fesë dhe të kombit. Për letërnjoftim dhe leje të vozitjes duhet të kemi certifikatën e lindjes dhe nënshtetësinë në të cilën shkruan se nuk jemi shtetas të Serbisë, se nuk jemi serbë por kosovarë”, ka thënë ai.