Qeveria vazhdon të marrë kredi nga privatët

Qeveria e Kosovës ka shpallur të hapur ankandin e tretë të letrave me vlerë nëpërmjet të cilit pret të kthejë në para të gatshme edhe 10 milionë euro. Ministria përgjegjëse për transferimet financiare të Qeverisë, ajo e Financave, në dokumentin mbi hapjen e kësaj vale të shitjes së letrave me vlerë ka vënë shumë të njëjtë të huas sikurse edhe në dy ankandet e mëparshme. Këto mjete Qeveria pret t’i maturojë apo t’i kthejë hua brenda 13 javësh, apo më 13 qershor të këtij viti.

Kjo është hera e tretë brenda tre muajve që Qeveria merr hua nga privatët. Ankandi i parë i letrave me vlerë apo bonove të thesarit është përmbyllur më 17 janar.
Në të njëjtin ankand, Ministria e Financave ka shitur 10 milionë euro letra me vlerë të Qeverisë, të cilat duhet t’i maturojë (t’i kthejë mbrapa) më 18 prill të këtij viti. Ato janë shitur për 9 milionë e 912 mijë e 304 euro apo me normë kthimi prej 3.51 për qind.
Në ankandin e parë Qeverisë i janë ofruar para hua nëpërmjet letrave me vlerë prej rreth 22,5 milionë euro, por që janë marrë vetëm 10 milionë euro. Ndërkohë në ankandin e dytë që është përmbyllur më 14 shkurt, Qeveria ka pranuar të hyra në vlerë prej 9 milionë e 911 mijë e 62 eurosh, shkruan Koha Ditore.
Por norma e interesit të mjeteve që duhet t’i kthejë Qeveria është më e lartë sesa në ankandin e parë. Këto mjete nga huaja do t’i kushtojnë Qeverisë 3.55 për qind më shtrenjtë në momentin e kthimit apo maturimit. Të hyrat nga ankandi i dytë Qeveria obligohet t’i kthejë më datën 16 maj.