Metro Firefox në përgatitje e sipër

Nga Mozilla paralajmëruan versionin e parë Metro të Firefoxit për përdorim në Windows 8. Versioni i parë konceptual do të paraqitet në pranverë, e versionet alpha dhe beta janë paralajmëruar për gjysmën e dytë të vitit.
Pasi që Microsoft planifikon të shtyj para ndërfaqen Metro në Windowsët e rinj si njërën nga karakteristikat kryesore, në Mozilla kanë ardhur në përfundim se prania e tyre është e domosdoshme në platformën më të përhapur kompjuterike. Metro-Firefox, sikur dhe aplikacionet tjera Metro, do të shfrytëzojnë dimensionet e plota të ekranit, e gjithashtu, do të përdorin edhe funksionalitetet unike të Windows 8 për komunikim me aplikacionet tjera. Në këtë mënyrë, për shembull, fotografia nga uebi do të mund të kalohet aplikacionit tjetër për përpunim.
Microsoft me Windows 8 do të plasojnë edhe Internet Explorer 10 në versionin Metro dhe atë klasik desktop. Beta versioni i SO do të jetë në dispozicion nga fundi i muajit.

Eliminoni dhimbjen e dhëmbit për shtatë minuta

Dhimbja e dhëmbit është padyshim një nga dhimbjet e pakëndshme që thuajse të gjithë e njohim, mirëpo, me ndihmën e një truku shumë të thjeshtë, që përfshin një kockë akulli, do ta keni të lehtë ta eliminoni atë, së paku deri sa të arrini te stomatologu.
Një studim i realizuar disa vite më parë në Kanada ka treguar se dhimbjen nga dhëmbi mund ta eliminojmë ose lehtësojmë duke mos e hapur aspak gojën.
Ndërsa krejt çfarë ju nevojitet është një kockë akulli, të cilën do ta vendosni në rrudhosjen e dorës në mes të gishtit të madh dhe gishtit tregues dhe ngadalë do ta fërkoni pikërisht atë pjesë pesë deri në shtatë minuta.
Kjo pjesë e shuplakës është vendi në të cilin gjenden mbaresat nervore të lidhura me qendrën për dhimbjen në tru, e cila kontrollon shkallën e dhimbjes në duar dhe në kokë.
Fërkimi me akull bllokon ato qendra, ndërsa 90 për qind e pjesëmarrësve në një studim, kanë pohuar se kjo teknikë ua ka lehtësuar dhimbjen. 

In LOVE

Valentine’s Day, fesat e të dashuruarve. Një letër dhe ca fjalë të bukura thuhet dhe do të mjaftonin...Por të gjithë e dimë që fjalët mbeten fjalë. Por të mos e lëmë veten të ndikohet nga një origjinë kaq fisnike dhe ta shohim Shën Valentinin, për atë që është sot: një rrethanë që ia (s’)vlen të injorohet plotësisht.
Përsëri Shën Valentin! Përsëri të ia shprehin zyrtarisht dashurinë njëri-tjetrit me njëmijë e një nga më të çuditshmet e që në fund kurorëzohen me një përligjje romantike të dashurisë. Për ca të tjerë, është përsëri një datë që të kujton më shumë se kurrë se je ende singëll! Kështu Shën Valentini shndërrohet në ato festat acaruese, me çifte acarues që dalin rrugëve të lagjes, që të acarojnë nervat me shprehjet e hapura të dashurisë! Mirëpo ja ku ndodh mrekullia! Edhe për ty një takim romantik, pikërisht ditën e Shën Valentinit! Edhe një arsye më shumë kjo e fundit, për t'u ndier nervoze, për të treguar që në takimin e parë gjithë historitë e tua të dështimit ... Dhe përfundimi? Ky ka për të qenë takimi i parë dhe i fundit, ndërsa Shën Valentini do të mbetet po ajo festa acaruese!
Por nuk ka faj Shën Valentini! Fajin e kanë armiqtë kryesorë të takimit të parë romantik, me të cilët pa dashje u bëre aleate. Ndaj, para se t'i thuash “po” një ftese për Shën Valentin, fillimisht mëso si të shmangësh armiqtë kryesorë të takimeve të para.
Shenjat që manifestojnë nervozizmin
Është normale të ndihesh nervoze në takimin e parë. Sidomos nëse ky takim rastis ose kurdiset pikërisht ditën e të dashuruarve, kur presioni psikologjik që shkaktohet nga pritshmëria është më i madh. Rrjedhimisht edhe emocionet janë më të mëdha. Por nervozizmi nuk është diçka tërheqëse te një femër e sidomos në takimin e parë.
Shenjat e nervozizmit ndikojnë negativisht në njohjen mes dy personave, të cilët në raste të tjera mund të kishin qenë të duhurit për njëri-tjetrin. Dil para pasqyrës dhe rregullo frymëmarrjen. Merr frymë thellë disa herë, derisa ta ndjesh qw je mw e relaksuar. Kthehu te partneri dhe përpiqu të dukesh sa më e qetë, të flasësh ngadalë, por me një zë të sigurt. Ndërsa kur fillon të luash me unazën ose aksesorë të tjerë, bën mirë të mbërthesh me duar krahët e karriges ose mbështeti në prehër. Pastaj rregullo edhe njëherë pozicionin e trupit që të dukesh sa më e qetë. Mos harro: vetëbesimi është padyshim një nga cilësitë që meshkujt adhurojnë te femrat. Dhe një femër e sigurt nuk tregon asnjë shenjë nervozizmi.
Mos trego histori të dhimbshme të jetës tënde
Nëse i ankohesh një mashkulli që në takimin e parë e sidomos kur takimi është caktuar në një ditë si Shën Valentini, të jesh e sigurt se takimi ka për të përfunduar sa hap e mbyll sytë. Ai pret të kalojë një mbrëmje të këndshme dhe jo të dëgjojë hallet e tua.
Por shumë femra sillen si “mbretëresha të dhimbjes”, duke menduar se në këtë mënyrë e bëjnë një takim të paharrueshëm, ndërsa mashkullin të gjunjëzohet para tyre. Për një mashkull, një takim romantik është një mundësi tjetër për t'u argëtuar. Tragjeditë dhe hallet e të tjerëve padyshim që nuk janë histori argëtuese për t'u dëgjuar. Meshkujt pëlqejnë femrat me humor, që dinë t'u japin zgjidhje problemeve të tyre me entuziazëm dhe e shohin jetë në perspektivë. Rëndësi ka që gjatë takimit të lësh përshtypjen e një femre pozitive. E kush pastaj nuk do të kishte qejf të dilte, përsëri me ty dhe pastaj përsëri e përsëri, derisa një takim i zakonshëm të shndërrohet në një lidhje serioze?!
Të qeshësh vend e pavend
Meshkujt përpiqen t'i bëjnë femrat të qeshin. Por në shumë raste femrat e përdorin të qeshurën si armë për t'u çliruar nga tensioni, duke qeshur në mënyrë të sforcuar e që për më tepër duket shumë false. Kur e kupton që e qeshura jote, në vend të jetë shprehje e kënaqësisë që po të jep prania dhe batutat e tij, është në fakt shprehje tensioni, atëherë bën mirë ta marrësh situatën në dorë. Çliro muskujt e fytyrës, mos qesh nëse nuk ka asgjë për të qeshur, madje as mos buzëqesh.
Nëse e kupton që nuk çlirohesh dot nga një buzëqeshje idiote që të rri e stampuar në fytyrë, atëherë bëj të njëjtin ushtrim me frymëmarrjen e ke gjithmonë me vete, atëherë ke mundësi të kontrollosh të qeshurat e madje edhe buzëqeshjet e kota. Ke parasysh se armiqtë e takimeve të para janë si veset. Për t'u çliruar prej tyre, nevojitet kohë, ndaj mos prit rezultate të menjëhershme. Por eksperimento, zbulo si i manifeston këto vese dhe lufto vazhdimisht kundër tyre, derisa të dalësh fitimtare. Vetëm atëherë një takim i parë do të pasohet nga shumë të tjerë. Dhe jo vetëm për Shën Valentin!

Cavani paralajmëron Chelsean

Edinson Cavani beson se shanset e Napolit kundër Chelseat në Ligën e Kampionëve janë të pamohueshme.
Skuadra nga Serie A arriti në fazën e grupeve të garës evropiane pasi përfundoi mbi Manchester Cityn dhe Villarrealin në “Grupin e Vdekjes”.
Në prag të ndeshjes së javës së ardhshme kundër Chelseat, Cavani ka paralajmëruar Blutë se Napoli do të synojë kualifikimin në çerekfinale.
“Ne tashmë i kemi dërguar mesazh botës: ne mund ta mposhtim këdo. Chelsea duhet të jetë i kujdesshëm me ne”, ka thënë Cavani.

Seedorf: Kujdes nga Arsenali

Veterani i Milanit, Clarence Seedorf, ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij të jenë të vëmendshëm rreth kërcënimit që paraqet Arsenali, në prag të takimit të nesërm të Ligës së Kampionëve në San Siro.
Rossonerët përfunduan të dytët në Grupin H, prapa Barcelonës, dhe u caktua të përballen me skuadrën angleze, që kryesoi në grupin F, para francezëve të Marseille.
“Çdo vit Arsenali merr pjesë në Ligën e Kampionëve për ta fituar atë. Ata kanë kombinimin e qëlluar të lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë. Ata janë një prej skuadrave që duhet mposhtur”, ka thënë Seedorf për Sky Sports.

Goal: Xhaka, ndër talentet e rinj të LK-së

Granit Xhaka është listën e shtatë talenteve të rinj të Evropës që ia vlen të përcillen gjatë rundit të radhës së Ligës së Kampionëve, shkruan ueb-faqja më e popullarizuar e futbollit, Goal.com.
Sipas kësaj faqeje, mesfushori shqiptar është një yll i ri në ngritje në futbollin zviceran dhe shihet si një talent hiç më i vogël se bashkëlojtari i tij, Xherdan Shaqiri, i cili megjithatë këtë vit e ka lënë nën hije bashkëkombësin.
Xhaka, i cili ka disa paraqitje me përfaqësuesen e Zvicrës, luajti një rol kyç në kualifikimin e Baselit në 16-shen e fundit të Ligës së Kampionëve, duke eliminuar edhe Manchester United.
Po sipas Goal, tashmë shumë klube evropiane janë duke e përcjellë të riun kosovar, përfshirë edhe Manchester United, që është i gatshëm të ndajë 12 milionë euro për të.
Sir Alex Ferguson raportohet se e sheh të riun si një zëvendësim për afatgjatë për Paul Scholes, dhe do t’i përcjellë dy ndeshjet e radhës të Baselit (kundër Bayern Munich), për të krijuar një ide më të qartë për Xhakën.
Pos Xhakës, në listën e talenteve të rinj të Ligës së Kampionëve, Goal ka përfshirë edhe David Alaba të Bayern Munich, Stephan El Shaarawy të Milanit, Ahmed Musa të CSKA Moskës, Samuel Umtiti të Lyonit, Raphael Varane të Real Madridit dhe Alex Oxlade-Chamerbain të Arsenalit.

Mourinho kërkon zëvendësin e Casillas

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, planifikon t’i japë një pamje tjetër portës së klubit gjatë verës – duke përfshirë në ndryshim edhe kapitenin Iker Casillas.
Mourinho dhe agjenti i tij, Jorge Mendes, kanë organizuar një huazim te Benfica në fund të sezonit për portierin rezervë Antonio Adan.
Dhe Sport shkruan se edhe Casillas po ashtu është në planet e ndryshimeve të Mourinhos. Trajneri i Reali është duke shikuar mundësinë ta zëvendësojë Casillas me një portier ndërkombëtar të klasit të parë për sezonin e ardhshëm.
Casillas nuk është parë sy-më-sy me Mourinhon këtë sezon, veçanërisht pas ndeshjeve të pakëndshme ndaj Barcelonës. 

Valentino Rossi i zhgënjyer me Interin

Ylli i Moto GP, Valentino Rossi, është i zemëruar me atë çfarë po ndodh këtë sezon te skuadra e tij e zemrës, Interi.
Rossi i ka bërë të qarta emocionet e tij përmes faqes sociale Twitter, menjëherë pas disfatës befasuese nga Novara.
“Pse e shitëm Thiago Mottan?” ka shkruar Rossi, për të shtuar: “Vendimi për të zëvendësuar Eto’o me Diego Forlan, ishte si ai të largosh Roberto Carlos për Alessandro Pistone”.

Prandelli e dëshiron Cassanon në Euro 2012

Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, thotë se ai dëshiron që sulmuesi i Milanit, Antonio Cassano, të jetë pjesë e skuadrës Azzurre në finalet e Euro 2012, edhe nëse ai është i paaftë të luajë.
“U kam thënë atyre se do të pres deri në minutën e fundit të ditës para se lista finale të zbulohet. Do të shkoj në Spanjë për të parë rikuperimin e Rossit”.
“Kam biseduar me Antonio për një kohë të gjatë dhe ne kemi shkëmbyer premtime. Nuk e përjashtoj mundësinë që ai të jetë lojtari jonë i 24-të, duke marrë parasysh se sa vendimtar ai ishte për kualifikimet tona”, ka thënë Prandelli për Sky Sport Italia.
Italia është caktuar në grupin C të kampionatit evropian, në të cilin grup bëjnë pjesë edhe Spanja, Kroacia dhe Irlanda. 

Pepe: Horri më i madh i futbollit

Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, ka marrë nofkën “horri më i madh në futboll”.
Gazeta gjermane Bild ka publikuar listën prej 15 lojtarëve më problematik të cilët janë pjesë e futbollit sot, me Pepe që ka dalë i pari, para Marco Materazzit.
Top 15 problematikët e futbollit sipas gazetës më të madhe gjermane janë këta:
1. Pepe (Real Madrid)
2. Marco Materazzi (former Inter Milan)
3. Zlatan Ibrahimovic (AC Milan)
4. Luis Suarez (Liverpool)
5. Jose Mourinho (Real Madrid)
6. Mario Balotelli (Manchester City)
7. Nigel de Jong (Manchester City)
8. Jermaine Jones (Schalke)
9. Gennaro Gattuso (Milan)
10. Mark Van Bommel (Milan)
11. Kevin-Prince Boateng (Milan)
12. Maik Franz (Hertha Berlin)
13. Arnautovic (Werder Bremen)
14. Marcelo (Real Madrid)
15. Wiese (Werder Bremen)

Enrique: Luajtëm nën nivelin tonë

Trajneri i Romës, Luis Enrique, është dukshëm i zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës së tij në disfatën 1-0 ndaj Sienës.
Një gol i vetëm i shënuar nga penaltia nga Emanuele Calaiao i dha skuadrës vendase tre pikët e takimit dhe pengoi Giallorosët të tejkalojnë Interin në pozitën e pestë.
“Kjo nuk ishte nata jonë, ne bëmë shumë gabime. Shumë lojtarë tonë ishin nën nivelin e tyre të zakonshëm. Ne gjithmonë mundohemi të sulmojmë, por nëse nuk e kontrollojmë topin kjo na sjell telashe”.
“Është e qartë se ne ende jemi larg qëndrueshmërisë të cilën po e kërkojmë. Siena ishte e shkëlqyeshme në mbrojtje dhe ata e mbyllën lojën shumë mirë”, ka thënë Enrique për Sky Sport Italia. 

Wenger: Rikthimi në top katërsh na e rrit vetëbesimin

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, po e endjen rikthimin e vetëbesimin pasi skuadra e tij arriti të kthehet në pozitën e katërt të tabelës këtë javë.
“Është fantastike për ne të kthehemi në një pozitë modeste në tabelë. Jo shumë ekipe do të kishin fituar [kundër Sunderlandit] një skuadër e cila po ia del shumë mirë”.
“Është një shtytje e madhe për ne, pasi disa javë më parë askush nuk besonte se ne mund t’i rikthejmë gjërat dhe ne ia dolëm. Kjo mund të ndryshojë shumë shpejt, por është më mirë të jesh në këtë pozitë, se sa të mos jesh”, ka thënë Wenger. 

Veseli lëndohet në debutimin me United

Nënshkrimi më i ri i Manchester United, Frederic Veseli, nuk ka pasur një debutim të këndshëm me ekipin rezervë të Djajve të Kuq.
Shqiptari me nënshtetësi zvicerane, u inkuadrua si zëvendësues në pjesën e parë të fitores së mbrëmshme 2-1 ndaj Bolton Wanderes.
Por, Veseli, i ardhur në Old Trafford nga Manchester City, u detyrua të largohet nga ndeshja në minutën e 78-të për shkak të një lëndimi në këmbë. 

Henry shpreson për diçka të veçantë ndaj Milanit

Legjenda e Arsenalit, Thierry Henry, shpreson të tregojë diçka të veçantë në ndeshjen e të mërkurës së Ligës së Kampionëve në udhëtim te Milani.
“Ju gjithmonë mund të bëni më shumë. Unë isha në dhomën e veshjeve duke menduar për shansin e humbur ndaj Aston Villas kur u futa në lojë dhe duhej ta kisha dërguar topin në rrjet”.
“Por nëse ju më pyesni, a do të preferoja ta kisha shënuar atë kundër Villas ose këtë kundër Sunderlandit, do ta zgjidhja këtë të fundit. Ju gjithmonë mund t’ia dilni më mirë, kjo është ajo çfarë gjithmonë i them vetes”.
“Do të shohim pas ndeshjes së fundit kundër Milanit, si kaloi kjo për mua”, ka thënë Henry. 

Tevez: Ferguson, menaxheri më i mirë

Sulmuesi i Manchester Cityt, Carlos Tevez, ka folur pozitivisht për miqtë e tij të Manchester United dhe për Sir Alex Ferguson.
Tevez, me fjalë të cilat nuk ngacmojnë raportet e tij me fansat e Cityt, e ka quajtur Fergusonin si një prej dy menaxherëve më të mirë me të cilët ka punuar, derisa ka lavdëruar për profesionalizmin e tyre tre ish-bashkëlotjarët, Paul Scholes, Wayne Rooney dhe Ryan Giggs.
“E di se Ferguson nuk kishte raportet më të mira me mua, por ai së bashku (ish-trajneri e Argjentinës, Marcelo) Bielsa, janë dy menaxherët më të mirë që kam pasur”.
“Paul Scholes është profesionisti më i mirë, ai, Rooney dhe Giggs... nuk kam fjalë, ata ishin të shkëlqyeshëm me mua”, ka thënë Tevez.

LDK: Reklamimi në CNN humbje e mjeteve të taksapaguesve

Lidhja Demokratike Kosovës e konsideron si të panevojshëm bërjen e reklamave në CNN për të tërhequr sa më shumë investitorë.
Sipas LDK-së në vend që të adresoi problemet dhe fatkeqësitë e krijuara nga ky mot, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e fundit, ka ndarë 1 milion euro për reklamim në televizionin CNN lidhur me klimën për biznes në Kosovë. Kjo shumë i shtohet, shuma prej 7 milion euro të ndarë më herët për një kompani ndërkombëtare për të përmirësuar imazhin e Kosovës në botë. Për më tepër, kjo shumë është jashtë planifikimit të rregullt buxhetor për vitin 2012 dhe është shkelje e ligjit të buxhetit vetëm një muaj pas aprovimit të tij. “LDK vlerëson se reklamimi në CNN dhe media të tjera për të tërhequr investitorë të jashtëm është humbje e mjeteve të taksapaguesve”, theksohet në komunikatën për media.
LDK e konsideron të vogël shumën e ndarë nga Qeveria prej 400 mijë eurove për komunat Istog, Pejë dhe Klinë, për t’i mbuluar dëmet e shkaktuara nga erërat e forta. Dëmet e vlerësuara vetëm në Komunën e Istogut kapin vlerën prej rreth 5.2 milionë euro.
LDK vlerëson se është absurde të shpenzohen mjetet për reklama në televizione për të përmirësuar ambientin për biznes, kur vendin e ka mbuluar korrupsioni dhe krimi i organizuar. 

Moti i ligë paralizon bizneset

Kosova po vazhdon të ballafaqohet me temperatura të ulëta dhe reshje të borës. Këto kushte atmosferike, të cilat kanë nisur që nga fundi i muajit janar, kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve. Si pasojë e kësaj, ditëve të fundit është bllokuar edhe afarizmi i disa bizneseve kosovare.
Moti i keq, thotë Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova” në Vushtrri, ka bërë që ai ta ndërpresë për një kohë prodhimin. “Deri sot kemi mundur të lëvizim me vështirësi, por sot definitivisht jemi paralizuar, jemi bllokuar dhe nuk mund të lëvizim askund. Ne furnizojmë gati gjithë Kosovën dhe më gjerë me prodhimet tona, por tani nuk jemi duke mundur”, thekson Kosumi.
Ai thotë se nuk kanë ende të dhëna të sakta se sa mund të jenë humbjet që janë shkaktuar nga mosfunksionimi i duhur i veprimtarisë së tyre, por që, sipas tij, humbjet janë të mëdha. Vështirësitë e bizneseve vendore nga moti i ligë që po mbretëron në Kosovë i kanë konfirmuar edhe përfaqësues të bizneseve.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini thotë për Radon Evropa e Lirë se moti i vështirë që e ka kapluar Kosovën ditëve të fundit, ka vështirësuar qarkullimin e mallrave. “Moti i vështirë që ka kapluar Kosovën ditëve të fundit ka vështirësuar eksportin i cili edhe ashtu nuk është në nivelin e duhur. Po ashtu ka ndikuar negativisht edhe në import, sepse në kemi edhe rënie të importit për shkak të kushteve të vështira atmosferike, por kjo nuk do të thotë se ka mungesa të produkteve në Kosovë”, thekson Shahini.
Në anën tjetër, përfaqësues të Doganave të Kosovës thonë se reshjet e borës kanë bllokuar dhe kanë vështirësuar qarkullimin në pikat kufitare të Kosovës dhe eksporti dhe importi i mallrave është zvogëluar dukshëm.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilecvi thotë për Radion Evropa e Lirë se mallrat e vetme që janë duke hyrë në Kosovë janë derivate e naftës dhe disa produkte tjera të cilat kanë peshë të vogël.
Sipas tij, pika kufitare Kullë –Rozhajë, është e pakalueshme dhe është i pamundur qarkullimi i mallrave. “Në Vermicë, niveli i importit i cili ka qenë afër 100 maune në ditë, tani ka rënë në një apo dy maune në ditë. Po ashtu edhe te Hani i Elezit, që është një prej porteve kryesore ku futen mallrat e Kosovës, ka një nivel shumë të vogël të importit . Kryesisht mallrat e vetme që janë duke ardhur janë nafta dhe derivatet e naftës dhe ato me sasi të zvogëluar”, thekson Stavilevci.
Kosova është kapluar nga moti i ftohtë, ngjashëm sikurse edhe shumë shtete tjera në Ballkan dhe në Evropë. Temperatura të ulëta dhe reshje të borës në Kosovë pritet që të ketë gjatë tërë javës. 

Moody´s ul vlerësimin për gjysmën e Europës

Me gjithë reformat e nisura prej qeverisë Monti, për agjensinë Moody´s borxhi italian zbret nga A2 në A3 me perpektivë negative. Deklasohet dhe Spanja nga A1 në A3, Sllovakia nga A1 në A2 dhe Sllovenia nga A1 në A2, të gjitha me perspektivë negative.
Portugalia dhe Irlanda po shkojnë drejt vlerësimit të borxhit si “mbeturina”, njësoj si vlerësimi për Greqinë.
Faktorët kryesorë të zhvlerësimit që sipas Moody´s kanë çuar në veprimin mbi vlerësimin italian kanë qenë tre: “Pasiguria në perspektivën e reformave institucionale në zonën Euro dhe perspektiva e dobët makroekonomike të zonës Euro, të cilat do të ndikojnë në besimin e tregjeve; sfidat që duhet të përballin financat italiane, në veçanti borxhi i lartë dhe kostot e larta të financimit, ashtu sikurse përkeqësimi i situatës makroekonomike të vendit; rreziku që qeveria italiane nuk do të arrijë të plotësojë objektivat e saj të rimëkëmbjes duke parë dobësinë e ekonomisë së vendit”.
Ndërsa perspektiva negative pothuajse për të gjitha vendet europiane, gjithnjë sipas agjencisë Moody´s, “ reflekton mundësinë e një përkeqësimi të mundshëm të kushteve ekonomike dhe financiare si rezultat i thellimit të krizës së borxhit në zonën Euro”.

Hapet Smard, kompania e parë për blerje online

Smard është kompania e parë e profilizuar për shpërndarjen e materialeve zyrtare, duke përfshirë elemente higjienike, gjëra ushqimore, dhe çdo gjë që i nevojitet zyrës suaj për të funksionuar normalisht.
Kjo kompani ofron dy mënyra për të bërë porosinë e materialit të nevojshëm: duke vizituar ueb faqen www.smard.info apo përmes katalogut me listën e produkteve të cilat kjo kompani i ofron. Pasi që kryeni porosinë, njëri nga agjentët do t’ua sjellë materialin në zyre duke ju kursyer kohë dhe gjithashtu duke ju zvogëluar edhe shpenzimet.
Ideja është që bizneseve të ju lehtësohet furnizimi me artikuj të kërkuar dhe ulja e shpenzimeve të furnizimit. Me një organizim shumë të sofistikuar dhe staf të specializuar, Smard do të lehtësojë dhe përmbush të gjitha kërkesat e një zyre sot.
Benefitet që kjo kompani ju ofron janë si në vijim: Dërgimi i produkteve tek zyra e juaj; produkte kualitative me çmim tregu; të gjitha produktet ju sjellin në një faturë të vetme të cilën e regjistroni si shpenzim dhe përfitoni në uljen e tatimit në fitim duke evituar grumbullimin e kuponëve dhe letrave tjera pa vlerë; kursimi i angazhimit të një punëtori etj.
Kompania Smard ka përkrahje dhe partneritet me shumë kompani vendore dhe të huaja.

Autostrada drejt Elbasanit në pranverë të 2013-ës

Në pranverën e vitit të ardhshëm pritet të mbyllen punimet për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan. Kjo u bë e ditur nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi, i cili theksoi se deri më tani në tunel është kryer 50 për qind e punimeve.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan me grupin Actor dhe Copri, Olldashi theksoi se pas dy ditësh pritet që punimet të nisin në terren, raporton Starti. Ministri vlerësoi ofertat e dy kompanive për ndërtimin e kësaj autostrade, që sipas tij siguruan një ulje të ndjeshme nga parashikimi i kontratës së vlerës e autostradës. Fondet për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan janë siguruar nga Banka Islamike për Zhvillim, Aby Dhabi dhe OPEC.
Avantazhet e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, autostradës Tiranë-Elbasan, pritet të jenë të shumta. Sipas ekspertëve, kjo rrugë do të kthejë qytetin e Elbasanit në një zonë shumë të zhvilluar, pasi përmes saj do të ketë fluks transaksionesh tregtare e që priten të arrihen brenda 2 vitesh.
Autostrada e re shkurton mbi 50 minuta, në distancë e shpejtësi, rrugën drejt Elbasanit dhe kjo jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por edhe për qytetarët e Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut.

Takimi i dytë për IBM

Është mbajtur në Bruksel takimi i dytë i Grupit trepalësh për implementimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM)
Pala e Kosovës ka këmbëngulur që zbatimi i marrëveshjes së IBM-së të fillojë sa më parë dhe që të jetë në frymën e standardeve të BE-së.
Përmes zbatimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, Kosova do të përmbush një nga obligimet evropiane për përafrim me BE-në, në veçanti për liberalizmin e vizave, thuhet në një kumtesë për shtyp nga Zyra e Kryeministrit.

Gjendet viktima e fundit e tragjedisë në Restelicë

Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë operacionit të kërkimit, kanë gjetur sot edhe viktimën e fundit të fatkeqësisë në Restelicë të Sharrit.
Viktima u gjet rreth orës 13:35. Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, e shpalli të përfunduar operacionin e FSK-së në këtë fshat.

Maqedonia kërkon kujdestarinë për Amserën

Pesë vjecarja Amsera Reka, e mbijetuara e vetme në ortekun që e përfshiu fshatin Restelicë, është shtetase e Maqedonisë, shkruajnë mediat maqedonase.
Prindërit e saj, 30 vjeçari Abdullah dhe 29 vjecarja Garka, si dhe vëllai i saj dy vjeçar, e humbën jetën në një ortek bore.
“Ata janë goranë maqedonas, të cilët edhe pse jetojnë në territorin e Kosovës, kanë shtetësi maqedonase”, shkruan portali “netpress”.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme thonë se nga afër do t’i ndjekin zhvillimet në Restelicë dhe nëse është e nevojshme, shteti i Maqedonisë do të merr kujdestarinë për këtë vajzë të vogël.
Nga MPJ bëjnë të ditur se në qoftë se të afërmit e saj nuk duan të kujdesen për Amserën, atëherë për të do të kujdeset Ministria maqedonase për Punë dhe Politikë Sociale.
Dje përfaqësues të Entit për prioritete kombëtare pranë MPJ-së të Maqedonisë, një përfaqësues i ambasadës në Prishtinë dhe Ismail Bojda - nga shoqata e myslimanëve maqedonas - e kanë vizituar fshatin ku ndodhi tragjedia e madhe.
Sipas tyre, situata në Restalicë është shumë e keqe, që ngjanë me “skenat e një filmi horror”.

Gjenerali i përgjakur duhet të largohet

Raporti i fundit nga Fondi për të Drejtën Humanitare për kohën e krimeve të luftës për shefin e tanishëm të Ushtrisë Serbe, Ljubisa Dikovic, ka nxitur një përgjigje të zemëruar nga ekspertët dhe ministrat e Qeverisë së Serbisë.
Raporti fajësonte për një numër krimesh lufte të kryera në Kosovë në vitin 1999, komandantin e atëhershëm të Brigadës së Motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë, aktualisht shef i Ushtrisë serbe.
Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se një zyrtar me të dhëna të tilla të njollosura nuk është shef i përshtatshëm për Ushtrinë Serbe, meqë qartësisht i mungon potenciali profesional dhe etik për të ndihmuar në kthimin e besimit në Ushtrinë serbe - në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
Por, Ministria serbe e Mbrojtjes dhe Gjenerali Dikovic e kanë dënuar raportin si një përpjekje e mbrapshtë për të njollosur reputacionin e Ushtrisë Serbe, ndërsa Zyra e Prokurorisë për Krimet e Luftës së Serbisë i ka mohuar provat kundrejt Dikovicit si të pabaza.
“Dosja është e bazuar në ekspozitat e Gjykatës së Hagës të prezantuara në gjyqet e Milutinovicit, Lazarevicit dhe Vlastimir Djordjevicit. Kemi përdorur edhe dokumente publike të JNA-së, të cilat janë në dispozicion në webfaqen e Gjykatës. Raporti bazohet edhe në dokumentacionin tonë, i cili është goxha i gjerë në lidhje me Kosovës, sepse kemi pasur 20 vjet punë për rastin atje”, ka thënë për “Gazetajnk”, drejtoresha e FDN-së, Natasa Kandic.
“Ka gjithashtu depozitime nga dëshmitarë, të cilët përshkruajnë si ndodhën ekzekutime të caktuara masive. Disa (nga dëshmitarët) janë të brendshëm në ushtri dhe qeveri, dhe të tjerë janë viktima të krimeve të luftës. Do të dalim me një shtesë në dosjen e Dikovicit, duke nxjerrë dokumente shtesë, të cilat konfirmojnë më tutje pohimet tona, dhe mbi këtë bazë besojmë se do të ketë tani material të mjaftueshëm për të kërkuar riekzaminimin e përgjegjësive të tij”. 

Arrestohen tetë aktivistë të Vetëvendosjes

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërmorën sot një tjetër aksion në Prishtinë.
Derisa kryenegociatorja Edita Tahiri po takohej me ndërmjetësin e bisedimeve Robert Cooper, aktivistët e Vetëvendosjes shkruan parullën “Kosova Repunlikë”, në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Aksioni, sipas lëvizjes, kundërshtonte bisedimet “për të hequr dorë nga Republika”.
Sipas një komunikate të Vetëvendosjes, aksioni u pasua nga “intervenimi brutal i policisë”, duke arrestuar tetë aktivistë.
Aktivistët e arrestuar janë: Frashër Krasniqi, Kreshnik Ahmeti, Valdrin Ahmeti, Salih Zyba, Gëzon Kastrati, Zgjim Hyseni, Lulzim Gjaka dhe Arbënor Dehari. 

BE kundër barrikadave dhe referendumit

Bashkimi Evropian konsideron se zgjidhja për situatën e " veçantë" në veri të Kosovës, mund të arrihet vetëm përmes konsultimeve dhe dialogut, e jo përmes barrikadave apo referendum.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, ka thënë se zyrtarët e Beogradit kanë qenë “të qartë në këtë aspekt”.
"Zgjidhja arrihet vetëm përmes paqes”, ka shtuar ajo.

570 fshatra – të bllokuara

Bora që po bie pa ndërprerë javët e fundit, ka bllokuar rreth 570 fshatra në të gjitha komunat e Kosovës.
Ky lajm është konfirmuar nga burime të “Expressit” brenda Qeverisë së Kosovës.
Por, duket se për të mos hapur panik, zyrtarët qeveritarë nuk kanë treguar publikisht për këtë shifër alarmante.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria ndarjen e mjeteve financiare për komunat nga Fondi Emergjent, si dhe lejimin e komunave për ridestinimin e mjeteve nga buxhetet komunale, në mënyrë që komunat ta kenë më të lehtë tejkalimin e kushteve të rënduara atmosferike të këtyre ditëve.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në një deklaratë për shtyp, vlerëson se angazhimi i tashëm i komunave të vendit në përballimin e situatës së rëndë të krijuar nga reshjet e borës, “është tërësisht në përputhje me mundësitë dhe kapacitetet e tyre”.
Temperaturat e ulëta dhe të reshurat e borës kanë shtuar edhe numrin e pacienteve, të cilët po kërkojnë ndihmë në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK. Skënder Bacaj, pulmolog, tha se pacientet të cilët po kërkojnë ndihmë kanë kryesisht probleme që shkaktohen nga viruse të ndryshme. Ai u bën thirrje qytetarëve të cilët vuajnë nga sëmundjet kronike, të vaksinohen me vaksinën kundër gripit sezonal.

Zyrtarë e UNMIK-ut punojnë edhe në strukturat paralele

Të paktën 8 zyrtarë të UNMIK-ut, që operojnë në veri të Mitrovicës, punojnë edhe në komunën paralele të Serbisë.
Dragan Spasojevic, drejtor i Urbanizmit në Administratën e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës (UAM), ka të njëjtën pozitë edhe në komunën ilegale të Serbisë, raporton “Koha Ditore”. Edhe Borivoje Djuric merr dy rroga dhe ka dy pozita të ngjashme në të dy mekanizmat, ku është drejtor për financa dhe ekonomi. Njëjtë vepron edhe drejtori tjetër, Momcilo Barovic.
Në një dokument të hartuar nga ICO-ja dhe Qeveria, ku planifikohet mbyllja e administratës së UNMIK-ut në veri të Mitrovicës që financohet nga Qeveria e Kosovës, puna e dyfishtë e këtyre zyrtarëve përmendet si një nga arsyet se pse duhet mbyllur UAM-in.
Administrata e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës ka një staf prej 163 personave në dhjetë departamente. Udhëheqësit e tetë prej këtyre departamenteve punojnë edhe në komunën paralele serbe, e cila, sipas Rezolutës 1244, është ilegale.
Përveç tre drejtorëve, që kanë pozita të njëjta, pesë drejtorë tjerë të UAM-it kanë punë të dyta në komunën paralele.
Milos Milidragovic, Katas Shcekic, Zoran Bratic, Bilana Petrovic, Zoran Smikic, janë drejtorët që marrin paga edhe nga buxheti i Kosovës edhe nga ai i Serbisë. Në dokumentin e publikuar ditë më parë nga “Koha Ditore”, konstatohet se “80 për qind e UAM-it është e njëjtë me komunën paralele të Serbisë”.