LDK: Reklamimi në CNN humbje e mjeteve të taksapaguesve

Lidhja Demokratike Kosovës e konsideron si të panevojshëm bërjen e reklamave në CNN për të tërhequr sa më shumë investitorë.

Sipas LDK-së në vend që të adresoi problemet dhe fatkeqësitë e krijuara nga ky mot, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e fundit, ka ndarë 1 milion euro për reklamim në televizionin CNN lidhur me klimën për biznes në Kosovë. Kjo shumë i shtohet, shuma prej 7 milion euro të ndarë më herët për një kompani ndërkombëtare për të përmirësuar imazhin e Kosovës në botë. Për më tepër, kjo shumë është jashtë planifikimit të rregullt buxhetor për vitin 2012 dhe është shkelje e ligjit të buxhetit vetëm një muaj pas aprovimit të tij. “LDK vlerëson se reklamimi në CNN dhe media të tjera për të tërhequr investitorë të jashtëm është humbje e mjeteve të taksapaguesve”, theksohet në komunikatën për media.
LDK e konsideron të vogël shumën e ndarë nga Qeveria prej 400 mijë eurove për komunat Istog, Pejë dhe Klinë, për t’i mbuluar dëmet e shkaktuara nga erërat e forta. Dëmet e vlerësuara vetëm në Komunën e Istogut kapin vlerën prej rreth 5.2 milionë euro.
LDK vlerëson se është absurde të shpenzohen mjetet për reklama në televizione për të përmirësuar ambientin për biznes, kur vendin e ka mbuluar korrupsioni dhe krimi i organizuar.